Gjirokastër - Një automjet  tip 'Benz' ka shpërthyer në ecje mbrëmjen e sotme  rreth orës 22:00 në qendër të qytetit të Gjirokastrës, në bulevardin “18 Shtatori”.

Të plagosur kanë mbetur drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri, të identifikuar si Rigers Mela dhe Beqir Devolli.

Nga pamjet që ka siguruar Report Tv shihet se pas shpërthimit të një sasie tritoli automjeti ka humbur kontrollin dhe është përplasur me trafikndarësen.

Po ashtu në video shihet se automjeti është deformuar totalisht dhe ka pësuar dëme të konsiderueshme.

Pas ngjarjes policia ka rrethuar vendin, ndërsa të plagosurit janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Ende nuk dihet gjendja shëndetësore e tyre.

"Rreth orës 22:00, në bulevardin “18 Shtatori”, dyshohet se ka shpërthyer automjeti tip “Benz”, në pronësi të shtetasit B. D., i cili ishte në lëvizje. Si pasojë e shpërthimit, kanë mbetur të dëmtuar shtetasit B. D. dhe R. M., të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve", njoftoi sot policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit dhe përcaktimin e saktë të shkakut të shpërthimit

Lajm në përditësim…