Libri akademik e shkencor, Shqipëria e Kosova në Panair! Shaban Sinani: Ja ku shkojnë botimet tona! Krizat politike?! Mehmet Kraja: Ne vazhdojmë punën!

Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, nisi këtë të martë, në Akademinë e Shkencave Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor.

“Gëzuar Ditën Mbarë botërorë të Librit të shpallur në vitin 1995 nga UNESCO, si një ditë e tillë. Jo rastësisht Panairi bëhet pikërisht sot, bëhet në nderim të librit dhe në nderim të një libri jo aq të mirëpritur sepse siç dihet libri shkencor ka kufizimet e veta në komunikimet me lexuesin”, thotë akademiku Shaban Sinani, Sekretar Shkencor i ASH-së.

Pas vitit të kaluar në Prishtinë, ky edicion i tretë i nismës së përbashkët me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, rikthehet në Tiranë.

“Libri shkencor, libri akademik, kërkon një përkujdesje më të madhe dhe institucionale dhe shtetërore. Jo më kot ne e kemi ndërmarrë këtë nismë, sepse libri akademik e shkencor, nuk është libri i tregut. Është libër i dijes, që qëndron heshtur, qëndron anash dhe bëhet duke pasur në bazë argumentin”, thotë ndër të tjera Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Në stendat që do të qëndrojnë të hapura deri në 25 prill, janë jo vetëm botimet e dy Akademive, por përfshihen mbi 35 institucione nga e gjithë shqiptaria. Do të jenë të pranishëm akademikë, autorë, studiues, botues dhe përfaqësues të institucioneve, ndërsa krahas botimeve të viteve të kaluara, promovohen edhe 74 tituj të rinj.

“Ne jemi të gëzuar që sot kemi mirëpritur, jo vetëm Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës por dhe shumë botues të tjerë të universiteteve, të qendrave kërkimore dhe botues”, thotë më tej ak. Sinani.

Krahas promovimeve reciproke të autorëve të Shqipërisë dhe Kosovës, bashkëpunimi i dy akademive tashmë përqendrohet edhe në projektet madhore të Akademisë së Shkencave.

“Dy prej projekteve përfundojnë këtë vit. Fjalori i madh i Shqipes, që ishte parashikur deri në 90- 100 mijë fjalë, dhe që ka shkuar 110 mijë fjalë dhe 10 mijë njësi frazelogjike përmbyllet këtë vit, po ashtu edhe Historia e Shqiptarëve, thotë ak. Sinani më tej.  

Ndonëse 23 prilli, e zgjedhur si Dita Ndërkombëtare e Librit nga UNESCO, në nder të autorëve të mëdhenj të letërsisë botërore që u ndan nga jeta këtë ditë si Ëilliam Sheakspeare apo Miguel de Servantes, i mëshon mbi të gjitha promovimit të leximit. Është kërkuar disa herë nga institucionet që Libri Shkencor dhe Akademik i destinuar kryesisht për Arsimin dhe studiuesit, të jetë në agjendën e Ministrisë së Arsimit.

“Ne dhurojmë rregullisht në të gjitha bibliotekat universitare, ato publike madje dhe jo publike, koleksionet tona të botimeve. Deri këtë vit kemi botuar 30-35 tituj, në 2024-ën janë parashikuar 80 tituj dhe këto tituj do të jenë në dispozicion të Bibliotekave të atyre që formohen dhe atyre që formojnë”, shpjegon ak.Sinani.

Krahas titujve për gjuhësinë, ekonominë, artet e historinë, shumë prej botimeve shkencore e akademike të ekspozuara përfshijnë edhe punë hulumtuese në terren, veçmas librat për arkeologjinë apo antropologjinë. Sa i përket financimit, të domosdoshëm për rritjen e nivelit të hulumtimit e të botimeve shkencore, ka pasur një ndërgjegjësim të dy qeverive përkatëse të Shqipërisë e Kosovës, siç pohojnë akademikët.

“Praktikisht buxheti që është ofruar për tri projektet e mëdha të Albanologjisë, është një projekt që nuk është dhënë më parë për veprat albanologjike. Fillimisht ka qenë 1 miliard lekë të vjetra, ndarë në vite, që nuk është shfrytëzuar ende”.

Mbështetjen nga Qeveria e Kosovës e pohon edhe kryeakademiku Mehmet Kraja, por si është të bësh shkencë e art, në kohë kur krizat politike nuk mungojnë?

“Edhe kur nuk ka kriza politike ne i prodhojmë vetë, kështu që puna vazhdon edhe në rrethana krizash. Nuk kemi zgjidhje tjetër”, shprehet ak. Kraja.

Gjatë këtyre tri ditëve në Akademinë e Shkencave do të mbahen 40 veprimtari promovuese.

 

A.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

Ceremonia e rivarrimit të 5 dëshmorëve të atdheut, Balla: T'i konsolidojmë rezultatet

Ceremonia e rivarrimit të 5 dëshmorëve të atdheut, Balla: T'i konsolidojmë rezultatet