Kukulla anatomike që iu ngjajnë kafshëve të vërteta dhe krijojnë një përvojë vizuale mahnitëse; projeksione 360°, të cilat e kthejnë skenën në një xhungël të gjallë dhe gjithëpërfshirëse, ku publiku ndjehet pjesë e botës së Moglit do të ofrojë shfaqja më e re në skenën e Teatrit të Kukullave, "Libri i xhunglës".
“Është hera e parë që realizohet një shfaqje për fëmijë e këtyre përmasave: me kukulla të vërteta, projeksione të plota dhe një botë të gjallë që fton të vegjlit të hyjnë në xhungël.”, thotë regjisorja Ina Morinaj.
Historia e librit të Rudyard Kipling vjen për herë të parë në një projeksion të veçantë, që pritet të jetë edhe projekti më i madh i këtij viti për institucionin. Regjisorja shpjegon se historia ndjek vijën klasike të librit të Kipling, por me një ndryshim të rëndësishëm në fund: Në vend që Mogli të largohet drejt botës së njerëzve, ai qëndron në xhungël!
“Është ruajtur përralla klasike përveç fundit të pjesës. Ka dy versione të librit të xhungëls. Është versioni klasik që njohim që Mogli pasi bën të gjitha aventurat në xhungël kthehet tek njerëzit dhe versioni “Tiger! Tiger”, që Kipling e ka nxjerrë më vonë si version, pasi u ankuan të gjithë fëmijët e vegjël, se donin që Mogli të qëndronte në xhungël. Dhe ne kemi respektuar pikërisht këtë dëshirë të fëmijëve, që Mogli t'i bëjë të gjitha aventurat dhe pastaj ta rigjejë shtëpinë e vet.”, thotë Morinaj.
Në rolet kryesore do të interpretojnë aktorë profesionistë të Teatrit të Kukullave, siç është Juxhin Plovishti në rolin e Moglit, ndërsa Elidon Alika i jep jetë rolit të Panterës.
“Unë jam Pantera Bagira, që përkujdeset për Moglin që mos t’i ndodhë asgjë e keqe në xhungël. Vështirësia këtë herë te kjo shfaqje është sepse janë disa kukulla të reja dhe është një teknikë shumë e re dhe besoj ia kemi dalë mbanë shumë mirë.”
Me narracion nga Ema Andrea, në shfaqje, e cila do të vijë premierë mbrëmjen e 7 nëntorit, interpretojnë edhe aktorët Aleksandër Grami, Ilia Kaçi, Erdit Asllanaj, Esmeralda Kame, Albana Sançolli, Ermonela Alikaj dhe Florian Kokona.
Komente









