Teatri i Kukullave shënon sot 75-vjetorin e themelimit. Në kuadër të kësaj dite, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka përcjellë një mesazh urimi dhe mirënjohjeje.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja shprehet se Teatri i Kukullave ka sjellë për 75 vite “magjinë e kukullave, buzëqeshje dhe çaste lumturie” për breza të tërë fëmijësh.

“75 vite në shërbim të fëmijëve, duke sjellë magjinë e kukullave, buzëqeshje dhe çaste lumturie. Një histori e ndërtuar me dashuri, përkushtim dhe artin e qindra mjeshtrave që kanë dhënë zemrën për këtë institucion të çmuar.

Sot, me mirënjohje e respekt, nderojmë të gjithë artistët që kontribuan përgjatë këtyre dekadave, ata që nuk janë më mes nesh, por lanë gjurmë të paharrueshme dhe ata që vazhdojnë me pasion stafetën e trashëgimisë për brezat e rinj”,shkruan Gonxhja në rrjetet sociale.