Libri /Ish- funksionari i Guardia Di Finanza, Carbone: Shqipëria të gjejë forcë për të vendosur rregull në territorin e vet

Libri "Una Vittoria Mancata" i autorit Sergio Carbone vjen pas një udhëtimi mbresëlënës në kërkim të sekreteve të tokës së shqiponjave. Dëshira e autorit italian, i cili ka qenë funksionar i Guardia di Finanza në Shqipëri gjatë viteve 2000, është që ndajë këtë përvojë të çmuar, duke sjell edhe një pjesë të vogël e historisë, që meriton të mos harrohet.  Carbone mendon se bukuria e Shqipërisë, në mite dhe legjenda apo historia e saj, midis Lindjes dhe Perëndimit, së bashku me brishtësinë institucionale duhet që të shkruhet, për të mos u harruar. Në një rrëfim për “ReportTV” Sergio Carbone shpjegon se si lindi ky libër, edhe përse “Fitorja e munguar”.

Zoti Carbone, si lindi libri “Una vittoria mancata”?

Ka lindur  nga eksperienca që unë kam pasur këtu në Shqipëri gjatë viteve 2000- 2001. Gjatë kësaj periudhe unë kam qenë i ngarkuar të punoj pranë Ministrisë së Financave në Shqipëri, për hir të misionit, për rindërtimin e forcave policore shqiptare.

Cila është “Fitorja e munguar”?

“Fitorja e munguar” është kur dikush i vë vetes një objektiv dhe objektivi nuk arrihet. Kështu që në këtë rast imazhi që kam vendosur në libër. Fitorja me krahë e Samothrace, e quajtur Nike, është një imazh që i përshtatet më së miri idesë së librit. Pra i referohet fitores, është me krahë por pa kokë. Pra është si të jetë e munguar sepse mungon koka, pra mungon një pjesë e bukurisë së saj. Pra është një fitore e papërmbushur, një fitore që aspirohej por për arsye të pavarura nga vullneti nuk qe e mundur të vazhdohej.

Çfarë të ka impresionuar më shumë në vendin e shqiponjave?

Më kanë impresionuar shumë gjëra. Vendi i shqiponjave është një vend shumë i bukur. Është një vend që ka bukuri natyrore të jashtëzakonshme. Një vend shumë interesant, që ka një histori. Pra ka një të shkuar por edhe një të ardhme.

E shkuara fillon me Skënderbeun, sikundër ilustrimet që sillni në librin tuaj, e më pas kemi të tjerë personazhe e ngjarje historike. Çfarë linje keni ndjekur për ta trajtuar historinë, të kaluarën e këtij vendi?

Shqipëria ka pasur një të shkuar të rëndësishme. Është gjendur në një situatë shumë të veçantë, dhe ka qenë gjithmonë objekt interesi për kombet e tjera dhe për komunitetin ndërkombëtar. Dalëngadalë, Shqipëria ka ardhur duke u konsoliduar. Ka përjetuar shumë ngjarje, si pushtimi islamik, pra ai otoman dhe pastaj Rilindja shqiptare, ndërgjegjësimi i përkatësisë tek shqiptarët dhe Kushtetuta e një shteti që mund të themi se mbetet  një shtet i ri. 

Libri vjen i pasuruar edhe me tablotë e  piktorit Guri Madhi, përse ndalët pikërisht tek ky artist?

Kam dashur ta pasuroj librin me ilustrime, të cilat i kam konsideruar shumë domethënëse dhe që janë realizuar nga një piktor, pikërisht Guri Madhi, që nëse nuk është më i famshmi në Shqipëri, është me siguri një nga më të famshmit e Shqipërisë. Janë ilustrime që më kanë pëlqyer shumë. Mënyra se si ai e ka përdorur penelin është e mrekullueshme, me forcë dhe me çdo gjë tjetër që përfaqëson.

Trajtoni gjithashtu edhe përballjen e dobëtëve me të fortët. Çfarë mund të na zbuloni diçka më tepër rreth kësaj?

Shqipëria ka pasur shumë situata, shumë gjëra dhe pikërisht është një vend me një proces juridik, informativ le të themi. Më tepër ka qenë më shumë se ç’është tani i tillë, pasi mund të thuhet se tashmë është një vend i konsoliduar. Një vend që aspiron të hyjë në BE.

Përtej asaj që flitet në mediet e huaja për të tilla situata, ju që keni jetuar këtu e i keni parë këto situata nga afër, çfarë mendimi keni krijuar?

Unë mendoj se një informim i tillë i medieve vjen edhe nga një njohje false, që këto të fundit kanë karshi Shqipërisë. Më duhet të them se kur kam ardhur këtu, kam mbetur i impresionuar. Sepse, si është e mundur që një vend që ka kaq shumë lidhje me Italinë apo me vende të tjera të Evropës, njihet kaq pak në Itali. Edhe pse më duhet të them se ka shumë shkëmbime ekonomike, turistike, etj. Pra mund të themi në aspektin e mallrave, njerëzve, kapitalit etj., mund të konsiderohet tepër bashkëpunuese me Shqipërinë.

Nëse flasim pak për eksperiencën tuaj në Guardia di Finanza, çfarë mund të na thoni në lidhje me Shqipërinë?

Unë mendoj se Shqipëria duhet ta vijojë këtë proces që është në vazhdim, të afrimit... Duhet padyshim ta vazhdojë derisa të përmbushet krejtësisht. Unë në Shqipëri shikojë shumë ndryshime, përgjatë këtyre 20 viteve që kam pasur mundësinë ta ndjek zhvillimin e aktivitetit dhe zhvillimin e vendit kam parë se ka pasur progrese të dukshme. Shumë gjëra kanë ndryshuar dhe shumë gjëra duhet ende të ndryshojnë. Është një proces i ngadaltë, por i paevitueshëm.

Çfarë lipset të ndryshohet më parë?

Duhet thjesht që të vazhdojë, të vazhdojë drejt konsolidimit të institucioneve.

Diskutimet për krimin e organizuar dëgjohen përherë edhe më shumë, por deri më tani është vështirë të flitet për arrestime konkrete? Si ekspert i fushës ç’mund të na thoni në këtë aspekt?

Pra edhe në këtë këndvështrim unë do të thoja se është një problem mbi të gjitha shqiptar. Është Shqipëria që duhet të gjejë forcën, kurajën, për të vendosur rregull në territorin e vet.

Mendoi që librin ta përktheni edhe në gjuhën shqipe?

Nisa ta shkruaj këtë libër dhe e shkruajta në italisht, sepse për mua ishte më e thjeshtë. Por, kjo nuk do të thotë se jeta e këtij libri ka përfunduar. Përkundrazi jeta e këtij libri mund të vazhdojë dhe është mbi të gjitha në duart e lexuesve. Nëse do të gjejë konsensusin e lexuesve, do të mund të përkthehet edhe në shqip dhe të shpërndahet në tregun e këtij vendi... Doja të vecoja një episod shumë interesant, që ka ndodhur gjatë periudhës fashiste. Gjatë kësaj epoke kishte shumë shqiptarë në Itali, si edhe në “Piana degli albanesi”, në Palermo, SIçili: “Mussolini shkoi në vizitë në një nga këto vende. Dhe atje gjeti, në një lokal të njohur, në Breshia, Don Cicio i cili i thotë: Përse  e ke marrë të gjithë këtë eskortë, ti je këtu në mbrojtjen time? Musolini u mendua shumë për këtë gjë. Ai nuk i njihte rregullat shqiptare rregullat e Kanunit dhe nga aty filloi një shtypje e madhe kundrejt mafies në Siçili dhe pak e kanë kuptuar që kjo shtypje lindi nga një keqkuptim. Nga fakti se Mussolini dhe Don Cicio nuk ishin kuptuar”...

Edhe së fundmi, çfarë ju bëri të ktheheshit sërish në Shqipëri kur misioni juaj ka përfunduar?

Misioni im ka përfunduar, por lidhja ime me Shqipërinë ka mbetur. Është një lidhje që lindi me ardhjen time e që u konsolidua me kohën, falë edhe miqësive dhe njerëzve që kam njohur, si dhe pritjes që më bënë këtu.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Bisedë telefonike mes Putin dhe Erdogan, Kremlini: Në qendër të bisedës ishte rritja e tregtisë mes dy vendeve

Bisedë telefonike mes Putin dhe Erdogan, Kremlini: Në qendër të bisedës ishte rritja e tregtisë mes dy vendeve