Libri italian, si e nënshtroi
Ahmet Zogu Shkodrën

Libri italian, si e nënshtroi <br />Ahmet Zogu Shkodrën
Camillo Libardi ka jetuar prej disa dekadash në Shqipëri deri në vtin 1933. Dke qenë një vëzhgues i hollë i jetës dhe politikës shqiptare ai ka shkruar disa libra me temë nga historia e Shqipërisë. Libri "Si u bë mbret i Shqipërisë Ahmet Zogu" është botuar nga shtëpia botuese Naimi, përkthyer nga Valbona Gurra. Në këtë libër që vjen për herë të parë në gjuhën shqipe, përshkruhen me detaje ngjarje të panjohura historike si rebelimet antizogiste në Veri të vendit, reprezaljet e Zogut në Shkodër, Dukagjin dhe Temal, lufta e Zogut kundër opozitës, ekzistenca e të burgosurve politikë apo e vrasjeve politike. Gjithashtu, në libër jepen dëshmi të reja për atentatin kundër Zogut në Vjenë, për vrasjen e Bajram Currit, rolin e madh që kanë patur gazetat e asaj kohe si "Ora e maleve" apo "Hylli i Dritës", ashtu si jepen dëshmi me interes për raportet e religjionit, fesë me politikën dhe regjimin.

Në fakt, libri "Si u bë mbret i Shqipërisë Ahmet Zogu" përmban kujtimet e autorit gjatë shërbimit të tij në krye të Kryqit të Kuq italian që vepronte në Shqipëri në fillim të shekullit të kaluar. Autori e thotë vetë në libër se është larguar nga Shqipëria në vitin 1933, gjë që e ka ndihmuar atë të kuptojë shumë nga ngjarjet e jetuara në Shqipërinë e asaj kohe. Sipas botuesit të këtij libri, Naim Zoto, disa nga librat e Camillo Libard-it të shkruara për Shqipërinë janë "Pesëmbëdhjetë bisedat e Shenjtit Shën Leonard prej Porto-Maurizio-s, të kushtuara Saktamentit Hyjnor, të përkthyera në shqip nga një frat në Shkodër", "Lëvizjet e para patriotike shqiptare", "Misionari Shqiptar në fushën e betejës", etj.

Jeta e Camillo Libard-it në Veri të Shqipërisë
Camillo Libardi ka qëndruar kryesisht në Shkodër dhe në rrethinat malore, në mjediset e klerit katolik dhe në shtëpitë e shqiptarëve të thjeshtë. Kështu ai na jep një tablo të gjallë të shoqërisë shqiptare të asaj kohe, duke u fokusuar në stilin shqiptar të qeverisjes dhe të politikanëve të saj. Sipas tij, qysh në atë kohë, "politika shqiptare nuk ka patur lidhje me mirëqeverisjen por me sundimin me çdo kusht dhe me çdo mjet, duke vazhduar traditën e qeverisjes otomane". Në libër Libardo përshkruan me hollësi të gjitha makinacionet dhe protagonistët e asaj kohe për të nënshtruar Veriun shqiptar. Janë dëshmi të para e të dëgjuara nga vetë ai. Natyrisht, vendin kryesor në këto kujtime e zë Ahmet Zogu, rruga që ai imponoi për t'u kurorëzuar Mbret. Të ashtuquajtur krerë, bajraktarë apo klerikët, intelektualët më në zë të Shqipërisë së Veriut, duke nisur me Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën, Ernest Koliqin, Bajram Currin, Muharrem Bajraktari, Gjon Markagjoni i Mirditës, dom Lazër Shantoja, Rexhep Shala, Kazazët, Bumçët, Bernardin Shllaku, Ahmet Frashëri, Lazër Mjeda, Musa Juka, Gjon Gazulli e plot figura të tjera të kohës janë pjesë e dëshmisë interesante të Camillo Libardit.

E vërteta e shkruar në librin e Libard-it
Jo vetëm Camilo Libardi, por edhe autorë të tjerë Italinë si Trento, Artigianelli, Pellizzi, etj kanë dëshmuar njëzëri se Ahmet Zogu "u vetshpall mbret i shqiptareve" në 1 shtator 1928 dhe krijoi nje monarki kushtetuese, të ngjashme me atë italiane. Madje në nuk është harruar të shkruhet në këto dokumnete edhe deklarata e rreme se Zogu rridhte nga familja e Skënderbeut. Vecc të tjerave studiueisit e huaj, përfsfhi edhe Ribald-in pohojnë pa ekuivoke se "Ahmet Zogu në Shqipëri mblodhi të gjitha monedhat e floririt dhe gurët me vlerë, të cilat "u zëvendësuan me monedha prej letre". Vecc të tjerave shkruhet se de jure Ahmet Zogu ishte mbret, por de facto ishte praktikisht i injoruar nga gjithë monarkët e tjerë europianë. Camillo Libardi shkruan kështu në shënimin sqarues që mban datën 7 maj 1940: "Pas Luftës së Dytë Botërore, Italia trashëgoi nga Austro-Hungaria protektoratin mbi katolikët shqiptarë. Ahmet Zogu, pasi tradhtoi Serbinë, u hodh në krahët e Duçes tonë e, kështu, italianët vërshuan në Shqipëri dhe u gjendën përballë një qeverie dhe një populli që nuk e njihnin.

Zoti Armando Armeo, konsull i Italisë në Shkodër, shprehu dëshirën që të bëja një përshkrim, në mënyrë që të merrte vesh se në ç'ujëra do të notonte. E paraqita dhe është ky, me përjashtim të përfundimit. Nuk pretendoj që të lavdërohet nga askush, vetëm të njihet e vërteta...". Libri i autorit italian Camillo Libardi "Si u bë mbret i Shqipërisë Ahmet Zogu" (Come si é fatto re d'Albania Ahmet Zogu) është botuar në gjuhën italiane në maj të vitit 1940, afro një vit pasi Italia fashiste e Musolinit kishte pushtuar Shqipërinë, më 7 prill 1939, ndërkohë që po në këtë datë, pra, atë "të premte të zezë", mbreti i Shqipërisë, Ahmet Zogu, u largua fshehurazi dhe, siç thotë në kujtimet e tij një dëshmitar protagonist i asaj kohe "e la Shqipërinë më parë se i pari italian që shkeli në truallin e vatrës tonë". Në gjuhën shqipe ky libër me kujtime historike botohet për herë të parë. Me sa duket, siç e konfirmon edhe autori në shënimin e vet për lexuesin italian, libri, ndonëse duket i shkruar shumë kohë më parë, është publikuar si një guidë historike në kuadër të interesimit italian për "vendin e shqiponjave".

CAMILLO LIBARDI:QELLIMI I VETEM I BEUT TE MATIT
Ja disa nga fragmentet që tregojnë si ishte personaliteti i Ahmet Zogut i parë me sytë e bashkëkohësve. Camillo Libardi nuk ka asnjë arsye të deformojë historinë, sepse ai ka jetuar disa vjet në Shqipëri nën mbretërimin e Ahmet Zogut. Së dyti një arsye edhe më e fortë është fakti që ai i shkruan në formën e kujtimeve, pra jo si një përgjegjësi për të shkruar histori të mëdha, por si nevojë për të rrëfyer atë që ndjeu dhe pa me sytë e tij. Më poshtë po shkruajmë një fragment sesi e përshkruan autori portretin e monarkut shqiptar: "Të bëhesh princ, edhe sikur të mos jesh plotësisht princ, por të paktën president republike ose, të paktën, të paktën mbetet të bëhesh diktator. Ky ishte dhe është qëllimi i beut të Matit.

Për këtë qëllim, ambicia e tij e pakufi nuk deshi t'ia dijë për mjetet që përdori. Për këtë plan iu desh të sakrifikonte gjithçka, edhe me kusht që Shqipërinë ta copëtonin... Për këtë nga jashtë krijoi aleancë me Jugosllavinë dhe nga brenda intrigat me feudalët. Ishin këto dy shkallët që i nevojiteshin për të hipur në fron. Në tre vitet e qeverisë së tij, i rrethuar nga ministra vasalë ose më mirë nga kukulla, mundi të thotë se ai nuk ishte vetëm kryetari i tyre, por i vetmi ministër i Shqipërisë! Princ i vërtetë. Deputetë të blerë e gazetarë të shitur e thërrisnin "Shpëtimtari i atdheut". Madje, disa poetucë rrugësh i këndonin në vargje ose më mirë të themi e ngrinin në qiell me himnet e këngët e tyre; ai që në kafenetë e Tiranës nuk duartrokiste kur këndohej himni i tij, do të rrihej pa mëshirë nga xhandarët e nga admiruesit e tij; bujtës të huaj stamponin në pëlhura rrezet e fytyrës së tij princërore, pallatin e tij të rrethuar me mure, kanale, përforcime e roje trupmëdhenjsh e të fuqishëm, ish të dënuar për krime, roje nderi: të gjitha këto mund të quheshin rezidencë e një despoti.

Kishin kaluar më tepër se 400 vjet dhe Skënderbeu nuk mundi të kishte nderin e një monumenti të tij në gjithë Shqipërinë, ndërsa tani mblidhnin firma për t'i ngritur një monument Ahmet Zogollit…..
Ndërsa një fragment tjetër përshkruan situatën në Shqipëri pas shpalljes mbret të Ahmet Zogut: "Që nga ajo ditë e më pas bajraktarët, krerët, nënkryetarët dhe personat me influencë, qetësisht, duke ndenjur në shtëpitë e tyre, duke mos bërë asgjë për të ruajtur qetësinë publike, duke e ngritur në qiell regjimin aktual, duke qeshur me njerëzit që vriteshin apo vidheshin, të rënduar nga ligësitë rreth tyre, merrnin në rehati të madhe napolonat e muajit. Natyrisht, nëse dikush ofendohej, faji nuk ishte i qeverisë, po i të fyerit, i cili, sido që të ishte shkaku, ndiqej nga hakmarrja e drejtë e fyesit. Kështu, i padrejti bëhej i drejtë, e keqja njihej si e mirë, hakmarrjet më të tmerrshme në ekzekutime të drejtësisë publike. I ishte vënë vulë keqbërjes, ishte shenjtëruar krimi, imoraliteti, ishte shkatërruar besimi. Shihej vetëm turp njerëzor".

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 13 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

‘Lonely Planet Italia’: Vizitoni Rivierën Shqiptare, një nga destinacionet magjike të Evropës

‘Lonely Planet Italia’: Vizitoni Rivierën Shqiptare, një nga destinacionet magjike të Evropës