BRUKSEL- Në kohën e agresionit rus ndaj Ukrainës, Bashkimi Europian ritheksoi edhe një herë sot (18 dhjetor 2024) se partneriteti me vendet e rajonit është më i rëndësishëm se kurrë.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u takuan me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi zgjerimin dhe posaçërisht mbi Planin e Rritjes ekonomike për rajonin që aspiron integrimin në bllok.
Përmes një deklarate përfundimtare, u pajtuan për përshpejtimin e procesit të zgjerimit dhe ku vendeve të rajonit iu kërkua t’i zgjidhin mospajtimet.
“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin tonë. Ne rikonfirmojmë edhe një herë angazhimin tonë të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet”, thuhet në deklaratë.
Edhe në konferencë për median pas samitit Presidenti i Këshillit Evropian, Antonia Costa dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen vunë theksin tek zgjerimi i Bashkimit Europian por në bazë të meritës.
“Duhet të krijojmë të gjitha kushtet për zgjerim. Nuk ka asnjë dyshim që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE. Vetëm merita duhet të përcaktojë mundësinë e integrimit ose jo" tha Costa.
Çdo zgjerim e bën më të fortë BE, por vendet kandidate duhet të jenë të qarta për progresin që duhet të kenë. Duhen reforma. Kemi gati 300 mln euro që do të jenë një mbështetje e mirë për reformat. Hapi i parë do të jetë integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE." tha Von der Leyen.
Ky samit vjen një ditë pasi u zyrtarizua edhe hapja e negociatave të Shqipërisë për klasterin 6 ‘Marrëdhëniet me Jashtë’ Nga Shqipëria, i pranishëm në samit ishte kryeministri Edi Rama, ndërkohë paradite në Bruksel u nënshkrua marrëveshja e partneritet të Sigurisë dhe Mbrojtjes që vendos në dispozicion të qeverisë shqiptare një fond prej 13 milionë eurosh për modernizimin e Forcave Ushtarake Tokësore.
Kosova u përfaqësua në samit nga Presidentja Vjosa Osmani e cila kritikoi Bashkimin Evropian se është i “padrejtë” ndaj vendit të saj duke mos i hequr masat ndëshkuese dhe duke mos treguar gatishmëri për ta shqyrtuar kërkesën e saj për anëtarësim në bllok.
Përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë i është kërkuar që të avancojnë në procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet tyre duke i përmbushur detyrimet që dalin nga dialogu, të cilin e lehtëson BE-ja.
Të pranishëm ishin edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviç, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe kryesuesja e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviç.
Zgjidhja e mospajtimeve rajonale
Zhvillimi i rregullt i samiteve të përbashkëta BE-Ballkani Perëndimor është një prej dëshmive se BE-ja e ka prioritet këtë rajon. Forcimi i partneritetit mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe përmes integrimit gradual të këtyre vendeve në disa politika të BE-së, ishte në fokus të samitit, ku u miratua edhe një deklaratë e përbashkët.
“Zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, stabilitet dhe prosperitet. Ka tash një dinamizëm të ri në procesin e zgjerimit. Përshpejtimi i procesit të zgjerimit, bazuar në kushtet e drejta dhe strikte dhe parimet e meritave individuale, është në interes të përbashkët”, thuhet në deklaratë
Për të ndihmuar në përshpejtimin e procesit të zgjerimit nga ky samit u dërgua thirrja që vendet e rajonit sa më shpejt t’i zgjidhin mospajtimet me fqinjët, si me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ashtu edhe mes vete në rajon. Ky mesazh u theksua si nga presidenti i Këshillit Europoian Costa ashtu dhe në deklaratë.
“Mospajtimet rajonale dhe bilaterale që i kanë rrënjët në të kaluarën për kohë tepër të gjatë kanë penguar fokusimin në të ardhmen. Implementimi i marrëveshjeve bilaterale me mirëbesim dhe me rezultate të prekshme, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin e Miqësisë, Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë, mbeten kyç”, thuhet në deklaratë.
Kosova
Duke folur pas mbërritjes të mërkurën në Bruksel për samitin BE-Ballkani Perëndimor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e kritikoi Bashkimin Evropian se është i “padrejtë” ndaj Kosovës në politikat e saj, duke mos i hequr masat ndëshkuese ndaj saj dhe duke mos treguar gatishmëri për ta shqyrtuar kërkesën e saj për anëtarësim në bllok.
Osmani tha se “duket se ka tendenca në BE nga disa shtete anëtare që Kosova vazhdimisht të dënohet”.
Por, Ursula von der Leyen tha se BE-ja e mbështet edhe Kosovën, përfshirë edhe heqjen e masave dhe nisjen e procedurave për dhënien e statusit të kandidatit, por për këtë duhet tejkaluar problemet që ekzistojnë "për shkak se vendimet në BE merren me konsensus".
“Jemi të gatshëm të nisim procesin, por na duhet një ftesë për të dalë me një qëndrim. Po punojmë që ta marrim këtë dhe ne jemi gati. E njëjta vlen edhe për masat. Ne jemi absolutisht gati t’i heqim masat, por edhe këtu na duhet pajtueshmëri nga vendet anëtare, të cilën tash nuk e kemi, por po punojmë shumë që ta marrim sepse, gjithsesi, është me rëndësi që edhe Kosova të lëvizë“, tha von der Leyen.
Të pranishëm në samit nga Ballkani ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviç, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe kryesuesja e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviç.
Veç shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së, në takim morën pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonia Costa, si organizator i takimit, pastaj presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Alexander De Cro
Bashkimi Evropian është “partneri i vetëm i besueshëm dhe i palëkundur” për vendet e Ballkanit Perëndimor, tha kryeministri belg Alexander De Croo në Bruksel të mërkurën në mbrëmje, para fillimit të samitit BE-Ballkani Perëndimor.
“Në botën e sotme gjeopolitike, ne duhet të bëjmë të qartë se ne jemi i vetmi partner real që ka Ballkani Perëndimor dhe se aspiratat e tyre për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian janë reale”, argumentoi De Croo,
Që nga nisja e pushtimit ushtarak rus të Ukrainës në vitin 2022, politika e zgjerimit evropian ndaj gjashtë vendeve të BP-së ka marrë një vrull të ri.
De Croo theksoi gjithashtu se pranimi në BE duhet të bazohet në meritat dhe reformat konkrete të secilit vend kandidat. Ai tha se “nuk jam tifoz” i një situate si në vitin 2004, kur 10 vende iu bashkuan bllokut njëherësh.
BRUKSEL - Në konferencën e përbashkët me presidentin e KE-së, Ursula Von der Leyen deklaroi pas samitit BE-Ballkani Perëndimor se do jepen më shumë akses për vendet e këtij rajoni në kapitalin financiar.
Në këtë iniciativë të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Mali i Zi do të bashkohen vitin që vjen.
'Duhen reforma dhe investime. Kemi reforma shumë ambicioze për të zbatuar nga partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor. Këto reforma do të mbështeten me fonde. Kemi 300 milionë euro për të mbështetur reformat. Hapi i parë do të jetë interimi i tyre në tregun e përbashkët europian. Do ta bëjmë akoma më të lehtë dhe më funksionale, kalimin e kufijve.
Do të japim më shumë akses me kosto më të ulëta të kapitalit financiar, Shqipëria dhe Mali i Zi do të bashkohen në këto iniciativa vitin që vjen dhe vendet e tjera më pas. Ajo që u vendos në procesin e Berlinit është e rëndësishme që lidhen me ECOMERC dhe duhet të thyejnë dhe barrierat mes kapitalit njerëzor', tha Ursula Von der Leyen.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga mbërritja e tij në samitin e BE-Ballkani Perëndimor.
Rama u prit nga Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, me të cilët pati një shtrëngim duarsh.
Antonio Kosta
Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Kosta, foli para samitit BE-Ballkani Perëndimor duke thënë se “zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor është investimi më i madh gjeopolotik që ne mund të bëjmë në drejtim të sigurisë, paqes dhe prosperitet”.
“Ne po i paraprijmë benefitet për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Dhe sigurisht që Plani i Rritjes mund të transfermojë radikalisht vendet e Ballkanit në drejtim të zhvillimit, në këtë dekadë. Për këtë mezi po pres këtë takim, në një moment kyç dhe shumë të mirë për t’I dhënë një shtysë zgjerimit dhe integrimit gradual”,-tha Kosta.
Vjosa Osmani
Pas mbërritjes në Bruksel në kuadër të samitit BE- Ballkani Perëndimor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se takimet e tilla janë rast i mirë për të çuar përpara perspektiven evropiane të të gjithë rajonit, por sipas saj, në procesin e zgjerimit BE po i bën “padrejtësi” Kosovës.
“Duket se ka tendenca në BE nga disa shtete anëtare që Kosova vazhdimisht të dënohet”, tha Osmani në Bruksel duke u ankuar se blloku me 27 vende anëtare po bën lëshime ndaj Serbisë, “përkundër agresionit të saj” ndaj Kosovës.
Kryeministri Edi Rama është takuar në Bruksel me Marta Kos, komisionere e BE për Fqinjësinjë dhe Negociatat për Zgjerimin.
Gjatë takimit me Kos në momentin e fotografisë Rama dhe Kos kanë ndarë batuta me njëri-tjetrin. Kos tha se edhe i ati i saj ashtu dhe i vëllai kanë qenë më të gjatë se ajo. Rama ja ktheu se “Kur je me dikë më të madh, vëmendjen e merr i vogli”.
Kos është një figurë kyçe në politikat e BE-së për zgjerimin e mundshëm të unionit, duke mbikëqyrur proceset e anëtarësimit për vende që aspirojnë të bashkohen në BE-në, përfshirë Shqipërinë, Serbinë, Kosovën, Bosnje Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Pas pak në Bruksel pritet të nisë samiti i radhës BE-Ballkani Perëndimor, e cila do të ketë në dokus partneritetin dhe rrugëtimin europian.