Lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh ka deklaruar se janë drejt arritjes së një marrëveshje për armëpushim me Izraelin. Negociatat mes dy palëve janë zhvilluar në Katar, i cili po vepron si ndërmjetës.
"Ne jemi afër arritjes së një marrëveshjeje për një armëpushim," deklaron lideri i Hamasit Ismail Haniyeh.
Por, mbi këtë çështje deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga Izraeli. Deklarata e liderit të Hamasait për armëpushim vjen pasi një zyrtar i lartë amerikan tha të hënën (20 nëntor) se një marrëveshje për lirimin e pengjeve të marra nga Izraeli gjatë sulmeve të Hamasit muajin e kaluar, në këmbim të pauzave në luftime, është "më afër se kurrë më parë".
Sipas AFP, një marrëveshje paraprake mund të përfshijë:
Një armëpushim pesë-ditor që do të përfshinte një armëpushim në luftimet tokësore dhe kufizime në operacionet ajrore izraelite mbi Gazën jugore. Grupet militante palestineze do të lironin 50-100 pengje, të cilët do të ishin civilë izraelitë ose nga kombësi të tjera, por jo ushtarë. Në këmbim, 300 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, do të liroheshin nga burgjet izraelite.
Një zyrtar i Hamasit, Issat el Reshiq, i tha Al Jazeera se negociatat përqendrohen në kohëzgjatjen e një armëpushimi, dërgimin e ndihmës në Gaza dhe shkëmbimin e pengjeve izraelite për të burgosurit palestinezë. Të dyja palët do të lironin gratë dhe fëmijët, tha ai. Ai tha se detajet e marrëveshjes do të shpallen nga Katari, i cili ka ndërmjetësuar negociatat midis Hamasit dhe Izraelit.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se marrëveshja me Hamasin, e cila është gati të miratohet nga qeveria, ishte "një vendim i vështirë, por i drejtë".
Kryeministri shtoi se lufta do të vazhdojë edhe pas armëpushimit dhe se lirimi i pengjeve do të jetë i ndarë në disa faza.
Të paktën 17 persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën mbrëmjen e djeshme (20 Nëntor) në një sulm izraelit në kampin e refugjatëve Nuseirat, në jug të Gazës. Kështu raporton agjencia palestineze e lajmeve Wafa, duke deklaruar se viktimat përfshijnë gjithashtu gra dhe fëmijë.
"Shpresoj se së shpejti do të kemi lajme të mira për pengjet", tha Kryeministri Benjamin Netanyahu në një takim me një njësi të ushtrisë. Ende për problemin e pengjeve, Netanyahu shpjegoi: "Ne po bëjmë përparim. Nuk mendoj se është e nevojshme të shtohen fjalë, as në këtë moment." Kryeministri megjithatë përsëriti se objektivi i parë i Izraelit mbetet "shkatërrimi i Hamasit. Ne nuk do të ndalemi derisa ta arrijmë këtë".
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se marrëveshja me Hamasin, e cila është gati të miratohet nga qeveria, ishte "një vendim i vështirë, por i drejtë".
Kryeministri shtoi se lufta do të vazhdojë edhe pas armëpushimit dhe se lirimi i pengjeve do të jetë i ndarë në disa faza.
Netanyahu tha gjithashtu se presidenti amerikan Joe Biden e kishte lobuar në marrëveshje, duke rritur numrin e pengjeve që do të lirohen, transmeton La Repubblica.
Marrëveshja mes Izraelit dhe Hamasit, e cila raportohet se është afër finalizimit, parashikon 4 deri në 5 ditë armëpushim, si dhe lirimin e tre palestinezëve që ndodhen në burgjet e shtetit hebre për çdo peng izraelit të liruar.
Sipas CNN marrëvshja është shumë afër.
Izraeli gjithashtu pritet të ndalojë fluturimin e dronëve të vëzhgimit në Gazën veriore për të paktën gjashtë orë në ditë gjatë armëpushimit.
Si pjesë e negociatave, Hamasi ka kërkuar gjithashtu mbërritjen e qindra kamionëve me ndihma, veçanërisht ato që transportojnë karburant.
Ndërsa, sipas medias izraelite Haaretz, marrëveshja përfshin lirimin e 50 pengjeve izraelitë mes tyre gra dhe fëmijë, si dhe lirimin e 150 palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite.
Po ashtu, Izraeli pritet t’i japë dritën jeshile hyrjes së 300 kamionëve në ditë nga vendkalimi Rafah.
Mohammed bin Salman
"Ne bëjmë thirrje për fillimin e një procesi serioz dhe global për zgjedhjen e çështjes palestineze dhe vendosjen e paqes në Gaza",- është shprehur princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman.
Po ashtu, gjatë fjalës ë tij në në samitin e jashtëzakonshëm të vendeve të Brics, i cili u zhvillua përmes videokonferencës, Mohammed bin Salman kritikoi zhvendosjen e palestinezëve nga veriu i Rripit të Gazës dhe bëri thirrje për ndalimin e eksporteve të armëve në Izrael.
"Pozicioni i Mbretërisë është konstant dhe i paëlundur. Nuk ka asnjë mënyrë për të arritur sigurinë dhe stabilitetin në Palestinë, përveçse nëpërmjet zbatimit të propozimeve nga ndërkombëtarët për zgjidhjen me dy shtete. De-përshkallëzimi është i nevojshëm,"- shtoi ai, duke u kërkuar vendeve të punojnë për të përmirësuar aksesin për ndihmën humanitare në Rripin e Gazës.
1000 trupa shtesë në Lindjen e Mesme nga Britania
Britania ka dislokuar 1000 trupa shtesë rreth Lindjes së Mesme që nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit në Izrael më 7 tetor, tha të hënën ministri britanik James Heappey.
Ndërkohë ministry britanik i Mbrojtjes Grant Shapps konfirmoi gjithashtu se personeli i forcave të Mbretërisë së Bashkuar është zhvendosur në Tel Aviv në Izrael, si dhe në Bejrut dhe Jordani për të ndihmuar në mbrojtjen e ushtrisë britanike dhe civilëve në rajon.
Bombardimet izraelite në Gaza
Afrika e Jugut është bërë shteti i fundit që ka akuzuar Izraelin për gjenocid në Gaza ndërsa ai kryesoi një samit të jashtëzakonshëm të grupit të BRICS të martën.
"Ndëshkimi kolektiv i civilëve palestinezë nëpërmjet përdorimit të paligjshëm të forcës nga Izraeli është një krim lufte. Ndalimi i qëllimshëm i dërgesave të ilaçeve, ushqimit, ujit dhe naftës për rezidentët e Gazës është i barabartë me gjenocidin", tha presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa.
Numri i viktimave në Gaza është rreth 14 mijë që prej 7 tetorit kur nisi konflikti, më i përgjakshmi i viteve të fundit.
Afrika e Jugut i bashkohet Turqisë, Iranit, Brazilit, Kolumbisë, Hondurasit, Pakistanit, Irakut, Venezuelës dhe Palestinës në akuzat e tyre se në Gaza po kryhet gjenocid.
Foto e momentit kur njerëzit largohen nga Gaza, shkak bombardimet izraelite
Forcat izraelite kanë arrestuar të paktën 40 palestinezë, duke përfshirë ish të burgosur, në valën e fundit të bastisjeve gjatë natës dhe herët në mëngjesin e së martës në Bregun Perëndimor.
Sipas Komisionit të Çështjeve të të Burgosurve dhe Ish-Paraburgosurve dhe Shoqatës së të Burgosurve Palestinez, arrestimet u kryen në Jenin, Hebron, Betlehem, Nablus, Ramallah, Jerusalem dhe Jeriko.
Ndërkaq, numri i palestinezëve të arrestuar ka shkuar në 3 mijë, raporton Al Jazeera.
Forcat izraelite sulmuan gjithashtu qytetin Barqa në Ramallah, duke bastisur shtëpi dhe duke kryer arrestime.
Ndërkohë, të paktën një person u plagos gjatë një bastisjeje në qytetin Arraba, në jugperëndim të Jeninit.
Në Qiffin, ushtarët konfiskuan kamerat e vëzhgimit në kërkim të palestinezëve të dyshuar të përfshirë në një sulm me armë kundër kolonëve.
Sergey Lavrov
Rusia nuk e mbështet terrorizmin në asnjë formë, por nuk beson se lufta kundër tij duhet të shkelë ligjin humanitar.
Kështu u shpreh ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, duke komentuar konfliktin Izrael-Palestinë, shkruan Tass.
“Dëshiroj të ritheksoj se ne dënojmë çdo formë të terrorizmit, por kur bëhet fjalë për luftën kundër terrorizmit, është e nevojshme të përdoren metoda që as sugjerojnë dënim kolektiv dhe as nuk bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare humanitare, ose më saktë, të themi sinqerisht, e shkelin atë në mënyrë flagrante", vuri në dukje Lavrov në një takim me homologët e tij nga një numër vendesh anëtare të Ligës Arabe dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islamik
Benjamin Netanyahu
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu e quajti lirimin e pengjeve izralite një “mision të shenjtë dhe suprem”, në një deklaratë të martën , teksa ai po përballet me zemërimin në rritje nga anëtarët e familjes.
“Lirimi i pengjeve tona është një mision i shenjtë dhe suprem, për të cilin jam shumë i përkushtuar. Ne nuk do të heqim dorë nga misioni për t’i kthyer ata, dhe është përgjegjësia ime si dhe e kabinetit të luftës”, tha Benjamin.
Kryeministri premtoi se nuk do të ndalonte së luftuari derisa qeveria izraelite të lironte pengjet dhe të shkatërronte Hamasin.
Por kohët e fundit, tensionet janë përshkallëzuar pasi familjet e pengjeve kërkojnë përgjigje nga qeveria për fatin e të dashurve të tyre dhe një marrëveshje për lirimin e tyre.
Deri më tani, vetëm një pjesë e vogël e familjeve janë takuar me Netanyahun, duke zemëruar qindra të afërm të tjerë të pengjeve, të cilët thonë se qeveria nuk po bën mjaftueshëm për t’i liruar ata.
Foto nga masakra që militantët e Hamasit kryen në festivalin Nova
Pamje të reja terrori të kapura gjatë masakrës së festivalit Nova tregojnë terroristët e Hamasit duke qëlluar dy gra teksa përpiqeshin të iknin.
Pamjet u kapën nga kamerat e sigurisë në Kibbutz Alumim, i cili ndodhet vetëm në lindje të Izraelit ku u mbajt festivali, sipas kanalit Telegram South First Responders.
Video tregon një grup që arrin në Kibbutz pasi ikën nga festivali, duke menduar se ata janë të sigurt nga çdo sulm i mëtejshëm, shkruan South First Responders, raporton Daily Mail.
Megjithatë, ata papritmas u zunë në pritë nga tre persona të armatosur të Hamasit, të cilët shihen duke vrapuar në drejtim të tyre duke mbajtur në dorë armë që duket se janë AK-47.
Një nga terroristët e Hamasit shihet më pas duke ndjekur dy gra, të cilat i arrijnë përfundimisht . Në video shihet një nga militantët palestinez duke kapur prej flokësh njërën nga vajzat dhe më pas qëllon në drejtim të saj.
Më pas shoqja e saj e ngrira nga frika shihet duke u lutur për jetën e saj personit të armatosur, i cili më pas e ekzekuton atë. Terroristët e Hamasit zbritën në festivalin Nova pranë Re'im, duke përdorur paragliderë të motorizuar dhe kamionë, gjatë pushtimit masiv më 7 tetor.
Disa të mbijetuar kanë treguar se vrapuan në drejtim të burrave të veshur me uniforma, duke besuar se ata ishin policë dhe ushtarë izraelitë që vinin për t'i shpëtuar përpara se të bënin zbulimin e frikshëm se ata ishin në të vërtetë Hamasi.
Rreth 260 izraelit që merrnin pjesë në këtë festival u masakruan dhe rreth qindra të tjerë u morën peng nga militantët e Hamasit.
Josep Borrell
Kreu i diplomacisë së Bashkimit Europian Josep Borell, në përfundim të kësaj konference vuri në dukje se duhet të trajtohet me emergjencë kriza humanitare në Gaza, si ritheksoi se duhet punuar për një paqe të qëndrueshme në rajon.
“Unë do t’i kërkoj shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm të dorëzojë një dokument me skenarë të mundshëm për të ardhmen e Gazës, të cilin sigurisht do të doja ta diskutoja me ministrat. Këshilli i ardhshëm i Punëve të Jashtme në dhjetor do të na lejojë të bëjmë sërish vlerësime dhe të fokusohemi në stabilizimin dhe qëndrueshmërinë me dy shtete", tha Borrell.
Po ashtu Borrell shprehu shqetësimin e tij “për përkeqësimin e shpejtë të situatës në Bregun Perëndimor dhe rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm, pavarësisht përpjekjeve të Autoritetit Palestinez për të de-përshkallëzuar situatën”.
Foto nga Rripi i Gazës pas bombardimeve izraelite
Negociatat po përparojnë për një marrëveshje që mund të ketë rezultate pozitive për pengjet. Kështu shkruan Jerusalem Post, duke cituar një burim izraelit.
Burimi deklaroi se të dyja palët janë në kontakt me ndërmjetësuesin dhe detajet janë ende duke u diskutuar.
Udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh më parë tha se grupi është "afër" një marrëveshjeje armëpushimi me Izraelin.
Ushtarët e Hamasit
Detajet e marrëveshjes mes Hamasit dhe Izraelit do të bëhen të ditura nga Katari "brenda pak orësh". Kështu ka bërë të ditur një burim i Hamasit, Izzat al-Rishq, për median Al-Jazeera.
Marrëveshja do të përfshijë lirimin e grave dhe fëmijëve pengje izraelite në këmbim të lirimit të fëmijëve dhe grave palestineze të mbajtur në burgjet izraelite, si dhe një pauzë në luftimet "për disa ditë" dhe hyrjen e ndihmave në Gaza.
Al-Rishq akuzoi gjithashtu Izraelin se po përpiqet të diktojë kushtet e negociatave ndërsa vazhdon të sulmojë Gazën për të "thyer rezistencën. Kjo nuk do të ndodhë", tha ai, duke shtuar se "marrëveshja do të jetë e pranueshme për udhëheqësit e ushtrisë".
Disa banorë duke u larguar nga Gaza
Agjencia e ushqimit e OKB-së ka bërë thirrje për ndalimin e armiqësive në Rripin e Gazës, ku jetojnë rreth 2.2 milionë njerëz.
“Sistemet ekzistuese të ushqimit po shemben dhe për të arritur tek ata në nevojë, WFP dhe partnerët tanë kanë nevojë për akses dhe burime të shtuara si karburanti, gazi dhe lidhjet”, tha Programi Botëror i Ushqimit.
Numri i civilëve të vrarë në Gaza ka qenë “i pashembullt dhe i paprecedentë” në krahasim me çdo konflikt që nga viti 2017, kur Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara António Guterres mori detyrën, tha ai të hënën.
Around 2.2 million people in #Gaza need urgent food assistance.
— World Food Programme (@WFP) November 21, 2023
Existing food systems are collapsing, and to reach those in need, WFP and our partners need increased access and resources like fuel, gas, and connectivity.
To make a real impact, we need hostilities to halt.
Antonio Guterres
Numri i civilëve të vrarë në Gaza ka qenë “i pashembullt dhe i paprecedentë” në krahasim me çdo konflikt që nga viti 2017, kur Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara António Guterres mori detyrën, tha ai të hënën.
“Ajo që është e qartë është se në pak javë kemi pasur mijëra fëmijë të vrarë. Pra, kjo është ajo që ka rëndësi. Ne jemi dëshmitarë të një vrasjeje të civilëve që është e pashembullt dhe e paprecedentë në asnjë konflikt që kur jam sekretar i përgjithshëm”, tha Guterres gjatë një konference për shtyp.
Kur u pyet për vizionin e tij për të nesërmen në Gaza, Guterres hodhi poshtë mundësinë e një protektorati të OKB-së në enklavë, në vend të kësaj duke bërë thirrje për një “qasje me shumë palë” që përfundimisht do të çojë në një zgjidhje me dy shtete.
“Të gjithë duhet të bashkohen për të krijuar kushtet për një tranzicion, duke lejuar që Autoriteti Palestinez, një Autoritet Palestinez i forcuar, të marrë përgjegjësinë në Gaza”, tha ai.
Gazetarët në Gaza
Të paktën 50 gazetarë dhe punonjës të medias janë vrarë që nga shpërthimi i konfliktit të përgjakshëm midis Izraelit dhe Hamasit muajin e kaluar, tha Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve të hënën mbrëma, në atë që ka qenë muaji më vdekjeprurës për gazetarët që kur grupi për lirinë e shtypit filloi të gjurmonte vdekjet në 1992.
Sipas organizatës, numri në rritje shënoi një “piketë të zymtë” dhe tejkalon 15 gazetarët që janë vrarë në luftën e vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës. Të shtunën, pesë gazetarë u vranë, duke shënuar ditën e dytë më vdekjeprurëse të konfliktit, tha CPJ.
Dita më vdekjeprurëse e luftës ishte më 7 tetor, kur Hamasi filloi sulmin e tij tronditës terrorist në Izrael, kur u vranë gjashtë gazetarë. CPJ tha se verifikon raportet e gazetarëve të vrarë në konflikt me burime në rajon dhe nga raportet e mediave. Nuk dihet nëse të gjithë gazetarët e vrarë po mbulonin konfliktin në kohën e vdekjes së tyre, tha CPJ.
“CPJ thekson se gazetarët janë civilë që bëjnë punë të rëndësishme gjatë kohëve të krizës dhe nuk duhet të jenë në shënjestër të palëve ndërluftuese. Gazetarët në të gjithë rajonin po bëjnë sakrifica të mëdha për të mbuluar këtë konflikt. Ata në Gaza, në veçanti, kanë paguar dhe vazhdojnë të paguajnë një taksë të paprecedentë dhe përballen me kërcënime eksponenciale. Shumë prej tyre kanë humbur kolegët, familjet dhe objektet e medias dhe kanë ikur duke kërkuar siguri kur nuk ka strehë apo dalje të sigurt.”, tha në një deklaratë Sherif Mansour, koordinator i programit të CPJ për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
Pamje nga bombardimet në Metull
Ushtarët libanezë të Hezbollahut morën përgjegjësinë për sulmin që goditi një shtëpi e cila përdorej nga ushtria izraelite në Metulla, në veri të Izraelit.
Sulmi i tyre ishte një hakmarrje ndaj operacioneve ushtarake izraelite që bënë kundër shtëpive në fshatrat jugore të Libanit në kufirin me Izraelin.
Ditët e fundit, Hezbollahu ka intensifikuar numrin e sulmeve kundër pozicioneve ushtarake izraelite përgjatë kufirit, me një mesatare prej rreth 10 në ditë, sipas gazetës Al Jazeera që raportoi pretendimin.
Brenda spitalit al-Shifa në Gaza, 11 Nëntor
Luftime të ashpra po zhvillohen rreth spitalit indonezian në veri të Gazës. Kështu raporton NBC News.
Këto javë e gjithë vëmendja është ndaj objektit kryesor spitalor të Gazës, Al-Shifa, pasi qindra pacientë dhe anëtarë të stafit kishin mbetur të bllokuar.
Më shumë se 30 fëmijë u evakuuan dje nga Al-Shifa dhe tani janë në spitalet egjiptiane duke marrë trajtim.
Ushtarët e Hamasit
Zyrtarët e Hamasit i thanë gazetës Al Jazeera se detajet e armëpushimit do të shpallen nga Katari. Ata thanë se përsa i përket bisedimeve, ato janë në vijim e sipër, dhe se kjo ka të bëjë me një armëpushim pesë-ditor, duke përfshirë një armëpushim për operacionet tokësore dhe kufizimin e operacioneve ajrore izraelite në Gazën jugore.
Në këmbim, 50 deri në 100 persona të arrestuar nga grupet militante palestineze do të liroheshin. Këto do të përfshijnë civilë izraelitë dhe njerëz të kombësive të tjera, por jo personel ushtarak.
Po ashtu edhe rreth 300 palestinezë, duke përfshirë gra dhe fëmijë, do të liroheshin.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH)
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) po lehtëson evakuimin e tre spitaleve në vështirësi në veri të Rripit të Gazës, spitalin al-Shifa, Alhi dhe Indonesian.
Kështu deklaroi Richard Peeperkorn, përfaqësues i OBSH-së për Gazën dhe Bregun Perëndimor.
"Ne nuk shqetësohemi për evakuimin e pacientëve apo stafit të spitalit, pasi ne jemi këtu për të forcuar dhe ndërtuar spitale", tha Peeperkorn për NBC News.
Ai po ashtu specifikoi se "me kërkesë të mjekëve dhe pacientëve të frikësuar, OBSH po lehtëson evakuime të tilla, e cila është një proces për të cilin mund të zgjasë me javë".
Lideri i Hamasit ka deklaruar se janë afër një marrëveshje për amërpushim me Izraelin. Ndërkohë, edhe presidenti amerikan Joe Biden, ka bërë një koment të tillë gjatë një ceremonie të Falënderimeve.
Kur u pyet nga një gazetar nëse një marrëveshje për lirimin e pengjeve ishte afër, Biden kryqëzoi gishtat dhe tha: "Unë besoj se po".
Kjo deklaratë e Biden pasoi atë të një zyrtari të sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jon Finer, duke thënë të dielën (19 nëntor) se negociatorët ishin "më afër se ne kemi qenë ndoshta në çdo moment që nga fillimi i këtyre negociatave javë më parë".