/ATSH-AFP/ - Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Arabe e cilësoi sot si krim kundër trashëgimisë së njerëzimit shktarrimin e thesareve antike në Irak nga grupi i Shtetit Islamik duke dënuar gjithashtu rrëmbimin nga xhihadistët të 220 të krishterëve asirianë në Siri.
Shteti Islamik publikoi sot një video në të cilën luftëtarët po shkatërronin thesaret arkeologjike në muzeun e Mosulit, qyteti i dytë në Irak, ku ata kanë nisur fillimisht ofensivën e tyre në qershor 2014.
Në video shiheshin gjithashtu xhihadistët duke shkatërruar krahët e demit asirian, hyjni mbrojtëse në Muzeun Ninevah në Mosul. Statuja daton që në  shekullin e IX para erës sonë, shkëlqimi arkeologjik i qytetit.
"Ky agresion barbar kundër trashëgimisë së popullit irakian përbën një prej krimeve më të rënda të kryera në kohën tonë kundër trashëgimisë të njerëzimit", nënvizoi shefi i organizatës pan-arabe, vendosur në Kajro, Nabil al-Arabi.
Al-Arabi dënoi gjithashtu në një komunikatë rrëmbimet dhe torturat e kryera nga Shteti Islamik kundër anëtarëve të komunitetit asirian, pas rrëmbimit që prej të hënës të 220 të krishterëve asirianë në Siri, sipas një bilanci të ri të Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH).