Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi dy ndeshjet e radhës në grupin E kualifikues të Euro 2024. Kundër Moldavisë në Tiranë, kuqezinjtë fituan 2-0, teksa në transfertën e Ishujve Faroe tanët u imponuan 1-3. Me këto rezultate, Shqipëria mban vendin e dytë në grup, një pikë më pak se Çekia e vendit të parë.
Në lidhje me këto suksese ka reaguar edhe trajneri i Kombëtares. Sylvinho ka shkruar shqip në kanalet e komunikimit, duke thënë se kanë qenë ditë të rëndësishme për t'u lidhur më shumë me lojtarët.
“Këto kanë qenë ditë intensive dhe shumë produktive pune e përgatitjeje për dy ndeshjet. Ky grumbullim na ndihmoi për të njohur grupin e lojtarëve më në detaje dhe të ushqenim akoma më shumë lidhjen tonë të mrekullueshme. Rezultati ishte dy fitore, me numra të rëndësishëm”, shkroi fillimisht trajneri.
Braziliani në tre ndeshje ka marrë dy fitore dhe një humbje (1-0 Polonia), duke dashur që në rikthimin e Euro 2024 në shtator të ketë grupin e karikuar.
“Unë jam i bindur se e gjitha kjo ishte rezultat i punës në grup: lojtarë, staf teknik, punonjës dhe drejtues të FSHF-së si dhe fansat, të cilët na inkurajuan shumë në fushën tonë dhe na dhanë një energji të mirë për ndeshjen e dytë. Ecim përpara. Forca Shqipëri”, shkruan trajneri brazilian.

Komente











