JERUSALEM - Ministri i Jashtëm i Izraelit, Avigdor Lieberman ka thënë se Franca asnjëherë nuk ka kërkuar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të mos marrë pjesë në marshin kundër terrorizmit në Paris të dielën, transmeton Anadolu Agency.

"Askush në Ministrinë e Jashtme nuk ka pranuar mesazhin nga Franca ku thuhet se kryeministri Netanyahu nuk është i mirëpritur në marshin e solidaritetit në Paris", ka thënë Lieberman në një intervistë për radion ushtarake të Izraelit. 

Të dielën, gazeta izraelite "Haaretz" ka raportuar se presidenti francez Francois Hollande ka kërkuar nga Netanyahu që të mos marrë pjesë në marshin në Paris. Sipas kësaj gazete, së pari Netanyahu ka pranuar kërkesën e Francës, por ka ndryshuar mendjen pasi ka mësuar se në marshin do të marrin pjesë ministri izraelit për Punët e Jashtme Avdigor Lieberman dhe ministri i Ekonomisë Naftali Bennet. "Nuk kemi njohuri për informacione të tilla nga Parisi", ka thënë Lieberman.

Në sulmin ndaj revistës satirike "Charlie Hebdo" në Paris të mërkurën janë vrarë 12 persona. Revista është e njohur për publikimin e karikaturave të profetit Muhamed në vitin 2006 dhe 2012, gjë e cila ka shkaktuar reagime negative.

Dy të dyshuarit për sulmin, vëllezërit Said dhe Cherif Kouachi janë vrarë të premten në afërsi të Parisit. Të njëjtën ditë katër pengje dhe sulmuesi, për të cilin dyshohej se ishte anëtar i të njëjtit grup xhihadist si vëllezërit Kouachi, janë vrarë në një supermarket në Paris. Si përgjigje ndaj sulmeve, me ftesë të presidentit Hollande është zhvilluar marshi, ndërsa morën pjesë mbi 55 liderë botërorë dhe qindra mijëra qytetarë të cilët nderuan 17 viktimat e sulmeve terroriste në Paris.


Redaksia Online
(shqiptarja.com)