Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar një projektligj, i cili parashikon disa ndryshime të rëndësishme në ligjin e vitit 2007 për bujqësinë dhe zhvillimin rural, me qëllim rritjen e prodhimit vendas dhe rrjedhimisht edhe të eksporteve të produkteve bujqësore. Nisma është propozuar nga deputeti Agron Duka, i cili është pjesë e opozitës. Nisma ligjore, përpos të tjerave, parashikon që strukturat shtetërore të kryejnë analizat e tokës dhe të ujit, duke orientuar më pas fermerët se çfarë duhet të mbjellin, pra kultivojnë në tokat e tyre. Sipas ndryshimeve, për të gjithë tokën e punuar, duhet të ketë një raport-analizë për cilësinë.

Gjithashtu parashikohet krijimi i një agjencie tjetër për studimin e tregut dhe çmimeve, për të orientuar fermerët për vitin pasardhës se çfarë kulturash duhet të mbjellin.

Nisma ligjore ndryshon edhe skemën e subvencionit të fermerit. Sipas ndryshimeve, qeveria përcakton sektorët prioritar dhe mbështetja për fermerin do të jetë jo më pak se sa 5 vitet vijuese. Aktualisht skema hartohet mbi baza vjetore dhe sipas propozuesit ka problematika në zbatim. Por, ndryshimi më i rëndësishëm konsiston në heqjen e kritereve për fermerët për të përfituar mbështetje nga shteti, si numër krerësh bagëtish, sipërfaqe toke etj. Sipas ndryshimeve, çdo fermer që punon tokën dhe ushtron aktivitet blegtoral përfton pagesa nga shteti.

Projektligji i propozuar parashikon edhe aktivizimin e shërbimit diplomatik për rritjen e eksporteve bujqësore të Shqipërisë dhe thithjen e investimeve të huaja. Për këtë qëllim parashikohet që në çdo ambasadë dhe konsullatë të ketë një zyrë të posaçme. Zyra do të mbledhë informacion për operatorët eksportues të produkteve bujqësore, do monitorojnë zhvillimet tregtare, do të promovojnë bujqësinë shqiptare etj. “Efektet e pritshme janë pozitive pasi do të japin mesazhe të qarta që bujqësia shqiptare është sektor prioritar për vitet në vijim dhe do të sjellë impakt pozitiv për investimet në bujqësi dhe mbajtjen e banorëve në fshat”, thuhet në relacion. Mbetet për t’u parë nëse nisma ligjore do të pranohet nga maxhoranca.