TIRANE - Mazhoranca rrëzon dekretin e presidentit Nishani që kthente për rishqyrtim ligjin për zgjedhjen e kreut të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë nga Parlamenti dhe jo nga Presidenti. Mes debatesh të forta në Komisionin parlamentar të Ligjeve, ku ashtu siç pritej mazhoranca dhe opozita mbajtën qëndrime të ndryshme, pr/ligji u rivotua me 16 votat pro të shumicës ndërsa opozita braktisi mbledhjen.

Relatorja Vasilika Hysi është shprehur se janë të pabazuara argumentat e Presidentit duke e cilësuar kthimin e ligjit nga ana e Presidentit të pavend.

“Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetencat të tjera përveç atyre që njihen shprehimisht me Kushtetut. Presidenti kur thotë që përzgjedhja e inspektorit të përgjithshem vetëm nga kuvendi mund ta politizojë atë, por çfarë duhet të themi ne për Presidentin e Republikes kur ai zgjidhet nga Kuvendi, madje zgjidhet me 71 vota, atëhere Presidenti vet pranon që është i politizuar”, u shpreh Hysi. 

Ndërsa nënkryetari i komisionit Oerd Bylykbashi tha se kjo nuk është asgjë veçse një tjetër hap i kësaj mazhorance për të kapur institucionet.

"Rregullorja i jep 8 javë kohë për ta shqyrtuar veton e Presidentit, e cila është diçka e rrallë që ndodh dhe nuk ndodh shpesh. Nëse kjo mazhorancë nuk i thërret mendjes, nuk i jep kohë vetes të marrë në shqyrtim të gjitha shqetësimet që ngre Presidenti i Republikës dhe nëse ne nuk i japim mundësinë një institucioni të tillë të bëjë punën e pavarur, por të jetë e kontrolluar nga mazhoranca, nuk kemi përpara zgjidhje tjetër përveç kapjes së shtetit me qëllimin që në mënyrë afatgjatë të ketë mundësinë të mbrojë veten nga të gjitha mundesitë e kontrollit për aferat e saj korruptive", tha Bylykbashi.
 
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho i ka rikujtuar edhe një herë Presidentit se edhe ai zgjidhet dhe shkarkohet prej Kuvendit. Po ashtu ai lajmëroi se së shpejti do të bëhet një ligj i ri vetëm për kompetencat e Presidentit ndërsa ka hedhur akuza ndaj kreut të shtetit duke u shprehur se ka futur në handikap Gjykatën e Lartë, duke mos plotësuar vakancën.

“Presidenti në relacionin shoqërus të dekretit, pranon motamo. Kompetenca e tij nuk parashikohet thotë në nenin 92 të Kushtetutës. Nuk e di çfarë kërkon ti, kërkon kompetenca ekstra?! Presidenti e di shumë mirë që edhe ai vetë zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë edhe shkarkohet nga Kuvendi i Shqipërisë. Për t’i lënë një hapësirë Presidentit dhe meqë bëhet fjalë për interpretim të Kushtetutës le të shkojë të kërkojë ankimim në Gjykatën Kushtetuse", u shpreh Braho.

Këto debate sollën edhe largimin e opozitës nga salla kur kjo e fundit ka disa ditë që nuk merr pjesë në punimet e komisioneve. Kryetari i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafa pak para se të hidhte në votim dekretin u shpreh se presidenti është i përfshirë në llogore politike ndërsa theksoi se mazhoranca është e shqetësuar për të luftuar korrupsionin.

Dekreti i presidentit pritet të rrëzohet edhe në Kuvend dhe kërkon shumicë absolute votash.

RREZIMI I DEKRETIT, NISHANI DREJT KUSHTETUESES 
Presidenti Nishani lë të nëkuptuar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e dekretit të tij nga votat e mazhorancës sa i përket ligjit të ILDKP-së. 

Kreu i shtetit shprehu qëndrimin se do të jenë institucionet kushtetuese ato që do të zgjidhin konfliktet.
 
 “S’i Presidenca edhe Kuvendi dhe çdo institucion tjetër, ka të drejtën të veprojë mbi bazën e parashikemeve dhe tagrit të tij kushtetues. Qëndrimi i Parlamentit është sovran dhe çdo konflikt mes institucioneve, do të zgjidhet nga institucionet përkatëse për të zgjidhur këtë konflikt, sipas Kushtetutës”, tha Nishani.

Deklarata e Presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani u bë gjatë konferencës me homologun austriak pas takimit të zhvilluar mes tyre në ambjentet e presidencës.