Projektligji i PS-së për faljen e gjobave kalon në komisione, amnisti dhe për ndërtimet individuale pa leje në fshat e qytet në 10 vitet e fundit

Komisionet parlamentare e zgjeruan sot faljen e gjobave, nga propozimi fillestar i Erion Braçes vetëm për ndërtime në fshat. Në variantin final që do të votohet të enjten në Kuvend, parashikohet falja e gjobave edhe për ndërtimet për strehim në qytet.

"“Ne jemi pro anulimit të masave të vendosura për këto procese pune, kur nuk merrej leja e ndërtimit gjobiteshin qytetarët. Ky lehtësim që kemi bërë në procedura me fokus fshatin, tashmë të reflektohet edhe te anulimi i masave administrative nga 1 janari i 2015, përfshirë periudhën e tërmetit dhe deri në 30 nëntor 2024. Anulimin e këtyre masave administrative. Edhe për ndërtime me qëllim strehimi individual në zonat urbane, jo për pallate, shtesa pallatesh, lartësi, por për qëllime strehimi individual edhe në zonat urbane. E gjykoni ju, besoj se kolegët e kanë këtë sensibilitet” tha Braçe.

PS dëgjoi edhe disa shqetësime të sjella nga opozita, për disa zona, të cilat, brenda qytetit kanë ndërtesa për qëllime bujqësie apo blegtorie e që janë gjobitur, por në përfundim nuk u përfshinë në kategorinë për shfuqizim.

Në Lushnje, në një lagje qyteti ka fermerë të gjobitur, pse ky duhet të jetë i njerkës dhe ai në fshat i nënës. Nuk jam kundër faljes së gjobave, por nuk është e drejtë, tha Korreshi.

'E mirëkuptoj shqetësimin vendoseni ju, nuk kam asgjë kundër por ki parasysh që kemi qenë kundër fermave blegtorale brenda qytetit' tha Braçe.

Brace theksoi se qeveria aktualisht ka lehtësuar shumë lejet e ndërtimit për banesa në fshat, e po ashtu edhe ndërtimin për qëllime agro-përpunuese.

Shpjegime u dha para deputetëve të komisionit edhe për kërkesën e faljes së masave administrative për periudhën e pandemisë Covid-19. Braçe theksoi se:

“Elementi dy janë masat administrative të vendosura gjatë pandemisë dhe që nuk janë ekzekutuar deri më sot. Janë vendosur në referencë të rregullimeve që u bënë për të administruar situatën e pandemisë. Mund të jenë në procese gjyqësore një pjesë apo janë lënë në rrjedhje të lirë, mirë do jetë të anulohen, që të çlirohen ata njerëz që kanë marra masa administrative”.

E njëjta nismë edhe për gjobat e vendosura nga AKU në zonën rurale.

“Elementi 3 ka të bëjë me gjoba të vendosura nga AKU në fshat, që lidhen me procese pune atje, prodhimi bujqësor dhe tregtimi. Janë gjoba që janë futur brenda objekteve ku prodhohet, eksportohet dhe për kushte rrethanore janë vendosur gjoba që kanë rënduar sipërmarrjen në fshat dhe procese prodhimi përpunimi e eksportimi”, shpjegoi ligjvënësi socialist.

Qeveria do të falë gjobat e vendosura nga 1 janari 2015 në nëntor 2024. Përfitues janë ata që janë gjobitur për ndërtim të paligjshëm për strehim individual, në qytet ose në fshat dhe që janë vendosur nga IKMT, Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake. Edhe gjobat që ka vendosur AKU në subjektet agro-përpunuese në zonat rurale do të falen dhe po ashtu edhe gjobat e vendosura nga Inspektorati Shëndetësor për masat anti-Covid. Ministri Taulant Balla kërkoi që Kuvendi të marrë dakordësinë e Presidentit që të hyjë në fuqi menjëherë ligji.

Ky ligj nuk lejohet të hyjë në fuqi pas 11 janarit, kur qeveria vendoset në kufizime për të mos joshur elektoratin pranë zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit 2025. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:37
Projektligji për faljen e gjobave, Tabaku: I paqartë dhe selektiv, nuk mbron shtresat në nevojë, disa institucione si kamzhik! Po ata që i kanë paguar?

1734356913_joridatabaku.JPG

Deputetja demokrate Jorida Tabaku

Jorida Tabaku kritikoi sot (17 Dhjetor) qasjen selektive të qeverisë për faljen e gjobave në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Deputetja e Partisë Demokratike, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, ngriti shqetësime të forta mbi projektligjin e propozuar nga mazhoranca, duke vënë theksin tek mungesa e analizës dhe trajtimi i pabarabartë i qytetarëve.

Tabaku vlerësoi çdo nismë ligjore që i shërben interesit publik, por kritikoi qasjen selektive të mazhorancës në përfshirjen e propozimeve:

"Më vjen mirë që propozimi i z. Braçe erdhi aq shpejt në axhendë, ndërkohë që opozita ka vite që propozon ligje dhe ato nuk diskutohen. Kam bërë një propozim ligjor që në fillim të tetorit dhe ende po pres që të duket në ndonjë axhendë. Shpresoj të kemi fatin tuaj, z. Braçe!", tha ligjvënësja.

Tabaku ngriti shqetësime edhe mbi mungesën e një analize të detajuar për gjobat që synohen të falen, duke theksuar se qeveria nuk ka ofruar të dhëna të qarta mbi ndikimin ekonomik:

"A ka bërë qeveria shqiptare një analizë të plotë për gjobat e vendosura, për sa janë paguar dhe sa jo, si dhe ndikimin në buxhet? Si do të trajtohen ata qytetarë që i kanë paguar gjobat ndërkohë që të tjerët përfitojnë nga falja? Kjo është një çështje e rëndësishme për barazinë para ligjit", vuri në dukje Tabaku.

Sipas deputetes, ky projektligj, që fillimisht synonte ndërtimet në zonat rurale, ka përfshirë në mënyrë të papritur edhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit dhe Inspektoratin Shëndetësor, pa një relacion të qartë.

"Një ligj dinjitoz duhet të ketë një analizë të qartë mbi kategoritë që përfshin dhe ndikimin që ka. Kjo qasje gjysmake krijon hapësira për abuzime dhe trajtim të pabarabartë të qytetarëve. Qëllimi fillestar i projektligjit ishte ndërtimi në zonat rurale, ndërsa këto dy kategori janë shtuar në fund pa një relacion të qartë. Kjo krijon hapësira për abuzim dhe diskriminim", tha ajo.

Deputetja e PD nuk la pa përmendur dhe situatën alarmante të gjobave të vendosura në mënyrë abuzive nga institucionet lokale, veçanërisht Bashkia e Tiranës:

"Ka institucione që po vendosin gjoba si kamzhik ndaj qytetarëve, si në rastin e Bashkisë së Tiranës, që bllokon llogaritë dhe vendos gjoba për parkimet në mënyrë abuzive. Ky është një problem që duhet adresuar urgjentisht", u shpreh ajo.

Tabaku kërkoi përfshirjen e kategorive më të pambrojtura në këtë amnisti dhe për trajtimin e drejtë të tyre: si pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuara dhe bizneset e vogla.

“Nga ana tjetër, nuk mund të penalizojmë ata që kanë paguar gjobat, duke krijuar dy standarde për qytetarët shqiptarë!", përfundoi deputetja demokrate.

Ora 14:11
Komisioni i Ekonomisë kalon projektligjin për faljen e gjobave, të enjten miratohet në Parlament! Balla kërkon që të hyjë në fuqi menjëherë (DETAJET)

1734441328_komisioniekonomise.jpg

Pamje nga mbledhja e Komisionit të Ekonomisë

Mazhoranca socialiste kalon në Komisionin e Ekonomisë projektligjin e propozuar nga deputeti Erjon Braçe dhe i mbështetur nga qeveria nëpërmjet ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, në mbledhjen që u zhvillua edhe në komisionin tjetër, atë të Ligjeve, po ditën e sotme.

Pas diskutimeve të ditës së sotme, ku u shpjeguan edhe modalitetet e këtij projektligji që përfshin dhe prek rastet duke nisur nga 1 Janari 2015, në fund u votua nga deputetët e Komisionit.

Të enjten ai pritet të kalojë edhe në Parlament për diskutim dhe më pas miratim. Ministri Taulant Balla kërkoi që Kuvendi të marrë dakordësinë e Presidentit, që të hyjë në fuqi menjëherë ligji. 

Ky ligj nuk lejohet të hyjë në fuqi pas 11 janarit, kur qeveria vendoset në kufizime për të mos joshur elektoratin pranë zgjedhjeve. 

Do falen (anulim-shfuqizim) gjobat për ndërtimet në zonat rurale e qytet, me qëllim strehimin individual (nuk përfshihen gjobat e marra për shtesa pallatesh, etj.). Gjobat e ndërtimit për qëllime bujqësore e blegtorale vetëm në fshat, gjobat e AKU vetëm për njësitë agro-përpunuese në zona rurale, si dhe shkeljet e rregullave gjatë pandemisë.  

Falen gjobat e këtyre kategorive, qoftë të vendosura nga IKMT, inspektoratet vendore,Policia e Shtetit apo Policitë bashkiake.

Ora 12:03
Anulimi i gjobave/ Balla në Komisionin e Ligjeve: Nisma, si në vendet e Bashkimit Europian! Qeveria shpreh dakordësinë në parim

 

Ministri i Shtetit, Taulant Balla, sot në Komisionin e Ligjeve

Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ditën e sotme ishte i pranishëm edhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.

Deputeti socialist kërkoi miratimin e nismës së Partisë Socialiste “Për anulimin e masave administrative” për tre fashat e përfshira në projektligj: Falja e gjobave për ndërtimet pa leje në fshat, faljen e gjobave të kohës së pandemisë që nuk janë shlyer ende, si dhe falja e gjobave të vendosura po në zonat rurale nga Ujësjellës-Kanalizimet, kryesisht ato ndaj bujqve dhe fermerëve.

Në fjalën e tij ministri Balla vlerësoi praktikën e mirë që Kuvendi ka ndjekur, duke ngritur një grup pune, i cili punoi gjatë për të hartuar një politikë të tillë.

“Si përfaqësues i Këshillit të Ministrave dhe në emër të ministrive dua të shpreh dakordësinë tonë në parim sa i përket miratimit të këtij projektligji, për anulimin e masave administrative”, tha ministri gjatë fjalës së tij në Komision, duke sjellë shembuj nga praktika të ngjashme  në disa vende të Bashkimit Europian.

“Nisma, duhet të informoj kolegët nuk është një nismë që nuk gjendet në vende të tjera, dhe këtu i referohem kryesisht vendeve të BE. E gjej plotësisht në të njëjtën linjë të ndërmarr në disa vende të BE dhe është e njëjtë me një të tillë në Itali dhe Francë, sa i përket shkeljeve të vogla administrative, ku janë zbatuar anulime masash të ngjashme për ndërtimet e vogla pa leje, duke synuar siç thotë parlamenti italian uljen e barrës financiare ndaj qytetarëve”, sqaroi ministri Balla.

Ai solli si shembull edhe nxitjen e formalizimit në zonat rurale në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, ku vende si Hungaria dhe Polonia, në të njëjtën frymë që vjen nga grupi parlamentar i PS dhe nga kolegu Braçe, kanë zbatuar politika për faljen e gjobave ndaj subjekteve rurale për ndërtimet, ose aktivitetet e tyre në shkëmbim të një formalizimi të mëvonshëm.

Sipas ministrit, parimi i parashkrimit për masat administrative është dyvjeçar, ndaj projektligji ‘bie tërësisht në linjën e një standardi të vendosur nga parlamentet e vendeve te BE’, ndërsa sugjeroi disa saktësime.

“Në këtë kontekst unë sa i përket shprehjes në parim, sepse për këtë jemi këtu, dua të shpreh dakordësinë e qeverisë për miratimin e këtij projektligji. Dhe ndërkohë në komunikim me Ministrinë e Drejtësisë do të sugjeronim disa saktësime të natyrës të teknikës legjislative. Me qëllim që qoftë në titullin e ligjit, pra do të ishte mirë që anulimi i masave administrative të shoqërohej dhe me identifikimin e karakterit ndëshkues të vendosur ndaj subjekteve që ushtrojnë veprimtari bujqësore dhe blegtorale, në mënyrë që mos ketë një karakter të përgjithshëm dhe që mund të përdoret për qëllime të tjera, por të identifikohet plotësisht sektorët në të cilat ndërhyhet”, tha Balla.

Në fund ai shpjegoi edhe disa teknikalitete proceduriale:

“Dhe po ashtu sa i përket teknikës legjislative, idea është që në nenin 1 të përcaktohet qëllimi i ligjit, pra në fakt neni 1 është i tillë, por në formën që e kërkon dhe teknika legjislative neni 1 të jetë qëllimi i ligjit, neni 2: cilat janë kriteret për faljen administrative që në fakt janë të përcaktuar të gjitha në draftin përkatës dhe në këtë mënyrë e vendosim projektligjin në formën që kërkon edhe kodifikimi”.

A.Q/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • B.D: 17/12/2024 12:00

    Po energjin elektike mother f….r?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj