TIRANË - Auditimit të borxheve që shteti i ka biznesit privat, shqiptar apo të huaj, i është hapur rruga sot në Komisionin e Ligjeve, i cili miratoi projektligjin për “Miratimin e Marrëveshjes për kryerjen e shërbimit të auditimit të borxhit të ministrive kundrejt biznesit vendaj dhe të huaj”.
 
Në komision ka qenë i pranishëm edhe zëvendësministri i Financave, Ervin Mete, i cili interpretoi projektligjin, gjë që bëri dhe relatori Pirro Lutaj. “Po kalojme diçka të vendosur, pasi nëse do hapnim garë, nuk kishim kohë për planifikime në buxhetin e ardhshëm”, tha Mete.
 
Më pas, fjalën e ka marrë deputeti socialist, anëtar i Komisionit të Ligjeve, Bashkim Fino, i cili i ka kërkuar zëvendësministrit Mete disa sqarime në lidhje me këtë gjë.
“Nuk kemi panoramë të përmbledhur, çdo ministri ka të dhënat e veta për borxhet konkrete. Do bëjmë dhe ballafaqimin me pretendimdt e biznesit. Ky proces do të mbarojë brenda datës 30 nëntor dhe e treta është që marrëveshja do të firmoset nga ministria e Financave”, tha Mete gjatë shpjegimeve në komision.
 
Po sot, Komisioni i Ligjeve miratoi edhe projektligjin “Për një ndryshim në Ligjin numër 8116, Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë, të Ndryshuar.  Sipas projektligjit, “çështjet civile që janë në gjykim, ditën e hyrjes së fuqi të këtij projektligji, do të vazhdojnë të gjykohen në Gjykatën e Shkallës së Parë  dhe në atë të Apelit, sipas ligjit të kohës së paraqitjes së kërkesës”. Ky projektligj, saktëson edhe mënyrën e ekzekutimeve të vendimeve përmbarimore.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)