TIRANE – Qeveria shqiptare është e vendosur për pavarësinë e gjykatave në vend dhe do të bashkëpunojë me opozitën për miratimin e ligjeve të rëndësishme që i përkasin sistemit të drejtësisë. Pohimi erdhi sot pasdite nga Kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Konferencën e Gjykatave të Larta që u zhvillua në Tiranë.

Sipas tij, gjyqtarët në vendin tonë kanë dhënë një ndihmesë të lartë në procesin e integrimit të vendit, ndonëse janë përballur me vështirësi dhe presione të herëpashershme. Pavarësisht nga kjo, ata nuk e kanë ndalur punën e tyre dhe kanë vazhduar të ecin përpara duke zbatuar ligjin dhe të drejtën, tha Kryeministri.

Në lidhje me Gjykatën e Lartë, ai tha se ajo shqiptare është ndër të paktat jo të politizuara. Kryeministri nënvizoi se puna e gjyqtarëve shqiptarë gjatë viteve të fundit konfirmohet edhe nga statistikat, sipas të cilave gjatë vitit 2005 në burgjet shqiptare vuanin dënimin 1800 persona ndërsa aktualisht ky numër ka arritur në mbi 5000.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha falënderoi edhe të gjithë gjyqtarët e huaj që merrnin pjesë në këtë konferencë për ndihmesën e dhënë ndaj sistemit shqiptar të drejtësisë. Kjo konferencë do të vazhdojë edhe në ditët e tjera gjatë të cilave do të mbahen takime mes gjyqtarëve shqiptarë dhe atyre të rajonit pa praninë e medias.

(kz/im/shqiptarja.com)