Ndryshimet ligjore që u japin të drejtë serbëve në veri të Kosovës që nuk kanë dokumente kosovare të marrin leje qëndrime janë në fuqi që nga kjo e diel të 15 marsit.

Ministria e Brendshme e Kosovës njoftoi se nga e hëna do të fillojë procesi i aplikimeve për leje-qëndrim dhe lajmërimin e adresës për qytetarët. Në një komunikatë për media, MPB njofton se gjatë një periudhe tre mujore do të mundësohet regjistrimi i fakteve të lindjes, martesës dhe vdekjes që janë regjistruar deri më 15 mars 2026 në institucionet jolegale serbe, me qëllim integrimin e tyre në Regjistrin Civil.

Qeveria e Kosovës ra dakord që të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb dhe t'i njohë kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe, parashikuar në ligjin “Për të huajt”. Gjithashtu automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në trafik në Kosovë për më shumë se tre muaj, ose në bazë të autorizimit.

Albin Kurti e njoftoi vendimin pas një takimi këtë të shtunë në Prishtinë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen. Në konferencën për media me Sorensenin dhe shefin e zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orav, kreu i qeverisë së Prishtinës tha se qeveria do të vazhdojë punën për shkrirjen e plotë të sistemit arsimor e shëndetësor serb në sistemin unik të Kosovës.

I dërguari I posaçëm I BE Sorensen tha se mirëpret angazhimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit dhe vendimin e saj për ta zbatuar gradualisht Ligjin për të huajt dhe atë për automjetet.  Vendimi duket se u prit mirë edhe në Beograd, ku Petar Petkoviç, Drejtori i Zyrës për Kosovën tha se zgjidhja e arritur lidhur me zbatimin e plotë të Ligjit për të huajt do të mundësojë funksionimin e pandërprerë dhe normal të institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe.

Zhvillimin pozitiv e përshëndeti edhe Tirana zyrtare  Në një postim, në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama thotë se e mirëpret koordinimin midis Kosovës dhe BE-së dhe kërkon nga Brukseli heqjen e masave ndëshkuese për Prishtinën.