Ligji i Moralit dhe paradokset e politikës tonë

Ligji i Moralit dhe paradokset e politikës tonë

Foto ilustruese

Kryeministri Rama e përjashtoi gazetarin nga konferencat e tij të shtypit, vetëm se pas një pyetje që u konsiderua si e papërshtatshme prej tij, ai e identifikoi si keqësi të medias!!! Ish-kryeministri Berisha i premton diasporës gjithçka, paçka se ai vetë e ka penguar kohë më parë pashaportizimin e saj!!! Anipse, e dimë mirë se: kush do guxonte të dilte jashtë parametrave të BE-së!!! Kryeministri premtoi dikur që shqiptarëve do u ulte borxhin publik por ai ka kapur parametra të frikshëm. I shpalli luftë kanabizimit të vendit (Shqipëria ka edhe heronjtë e luftës kundër saj) dhe tashmë u legalizua, pasi humbi dukshëm betejën me të në vend. Ish-kryeministri Berisha, sot kryetari de facto i opozitës mëtonte se do e bashkonte atë dhe do sillte parametra demokratikë, por tashmë e ka ndarë si askush tjetër Partinë Demokratike.

Po pse politikanët jashtë retorikës së tyre nuk munden të përshtaten dhe të nderojnë fare thjeshtë: Ligjin Moral? Pse nuk e kanë shumë problem politikanët tanë të mos i mbajnë premtimet? Pse duhet të thonë të pathëna dhe pse duhet të bëjnë disgresione edhe kur nuk ua kërkojnë? Nëse do të bëhej ndonjë manual me premtimet e kryeministrave shqiptare dhe argumentet sesi janë justifikuar atëherë do të kuptohej se Ligji moral tek ne është i shkelur me të dy këmbët dhe pa asnjë lloj arsye.

Dikur parimet etike, që më së shumti ndiqeshin nga pasuesit e pakët të Krishtërimit, do ndikonin edhe në zhvillimin e Ligjit laik kudo në vende të ndryshme. Kjo ka sjellë që si rezultat, Ligji Moral i krishterë dhe ligji laik, në më të shumtën e rasteve, të mbivendosen natyrshëm por edhe të ndikojnë në atë që do jetë historia jonë njerëzore. Urdhëresat që janë të përcaktuar në librat e shenjtë si: Mos vrit, mos vidh, mos prostituo dhe sjellje të tjera të etiketuara si imorale janë e mbeten gjithashtu të paligjshme për t’u kryer dhe janë gati kanonike për sjelljen. Jo më kot, ai që ka penalitete morale është mbartësi i një termi ligjor dhe i një kufizimi shoqëror që përdoret për të përshkruar një penalitet, i cili jo thjesht demonstron shthurje në jetën publike dhe private të dikujt, por konsiderohet në kundërshtim me atë të përgjithshmen e pranuar dhe që duhet të jetë e zakonshme. Dhe pasojat janë ato që në shumë shoqëri jo thjesht bënin sens por edhe krijonin diferencime: Ata nuk lejoheshin të kishin stad social, të punonin në zyrat e qeverisë, atyre u mohohej e drejta dhe humbisnin licencën për të ushtruar profesionin e doktorit dhe avokatit ose në kohët tona, ku ligjet janë “likuide” deportohen, siç ndodh rëndom me emigrantët.

Por a mundet që etika dhe morali të shërojnë një shoqëri si kjo jona? Në shumicën e rasteve kjo theksohet jashtëzakonisht dhe bën atë që quhet diferencë në shoqëritë të cilat mbështeten mbi parime. Koha jonë po tregon se jo vetëm është e pamundur por është edhe e paarritshme. Gati edhe kodet e sjelljes në shoqëritë e sotme i vendos politika dhe institucionet e lidhura me të. Ato, madje, përcaktojnë deri edhe narrativa, që i shkojnë oreksit të kryeministrave, paçka se gjendja në terren është krejt tjetër. Dhe rezultati shqiptar dihet: gjithnjë e më shumë të rinj që duan të ikin por edhe pasiguria totale e çdo fashe shoqërore.

Në shumë momente etika dhe morali njëjtësohen, por teoricienë të ndryshëm mundohen të bëjnë diferenca dhe të tregojnë sesi mund të jetë e gjitha kjo në kohën tonë.

Përpjekja për të shëruar të gjitha dobësitë e shoqërisë nëpërmjet etikës (pra me një përsiatje mbi moralin) bëhet vërtetë qesharake. Në çdo rast mungon prova që e vërteton se etika i përshtatet qëllimit; nga ana tjetër kur i drejtohen etikës, në përgjithësi nuk mundohet për një qëndrim moralisht të kodifikuar, domethënë për një qëndrim të mirë dhe të keq, por vetëm për të mirë, që natyrisht shihet me kënaqësi por që, për fat të keq, nuk jetësohet vetvetiu”, shkruajnë tek “Teoria e Shoqërisë”, studiuesit, Niklas Luhmann dhe Raffaele de Giorgi.

Po a mund të jetë ky një motiv për të shtyrë përpara atë udhë që sot e anashkalon moralin? Nëse e ndjek retorikën e politikës flitet vetëm për një të tillë, paçka se ministret e Ramës, sot, bëjnë gafa dhe gabime të panumërta të pajustifikuara, që janë bërë shkak jo thjesht humori, por edhe përplasjesh dhe brenda Grupit të tyre parlamentar. Apo si ndodh te Grupi i PD-së, i cili drejtohet nga Berisha dhe mëton se nuk do e njohë vendimin e Gjykatës për ta dhe asnjë vendim që bie ndesh me atë që kanë vendosur ata!!! Cila është vallë kjo bashkësi që e quan veten si të përzgjedhur dhe mundohet të jetë deri edhe mbi publikun? Sociologu i njohur filozof Ruso në kohën e vet e lidhte lirinë e individit me të ashtuquajturën “bashkësi”. “Njeriu lindi i lirë, shkruante dikur ai, por kudo është i rrethuar me pranga”. Asokohe, ai ngriti zërin që me mundësitë e tij e duke u përballur dhe bashkëpunuar me shoqërinë të mbrohej dinjiteti dhe prona, me një kusht të vetëm për qenësinë e lirë dhe e gjitha kjo do përbënte atë që do njihej si “shoqëria e mirë”.

Po pse këtë baraspeshe të domosdoshme, politika e sotme, nuk arrin dhe ta bindi sot shumë kohë më vonë, kur janë zhvilluar shumë eksperimente sociale për të mbërritur te ky realitet i sotëm?! E para se tashmë ka një përbuzje totale të asaj që kanë bërë filozofët e mëdhenj por edhe përvojat e mëdha sociale; e dyta, sepse vetëm kështu pushtohet dhe drejtohet njeriu i sotëm, që për hir të së vërtetës është shumë i zhveshur dhe i pambrojtur e më keq akoma po kthehet në një qenie që bën shumë më pak perceptime drejt të së vërtetës si dikur.

Dukej se kur ligji i filozofëve mbizotëronte, atëherë dhe arsyeja kishte më shumë respekt për individin. Në natyrë, sipas Kantit, vepron Ligji i Shkakësisë, që është absolut dhe i përjetshëm.. Në një farë mënyre, kjo të kufizon të njohësh botën në vetvete. Bota na përshfaqet pa e ditur ne, por e imponuar në shqisat tona!! Kjo është më e pranueshme sot, kur ne jemi të ndërvarur nga propaganda të frikshme që na e japin botën ku jetojmë, e na e kufizojnë ta këqyrim, ashtu si duhet me anë të perceptimit tonë. A mund të ishim vallë ndryshe? A mundet shoqëria sotme, me kulturën e saj, me sasinë e njohurive që u ka dhënë njerëzve t’u ofronte edhe një aparat tjetër ndijimi që do i jepte mundësinë njeriut të shekullit XXI për të gjykuar mbi kohën dhe hapësirën. Kanti, në kohën e vet, e kishte një zgjidhje edhe për këtë: Njeriu ka një “arsye praktike” e cila është gati ekuivalente me inteligjencën që tregon në çdo kohë se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar në fushën e moralit.

Po pse vallë politikanët tanë mundohen të modifikojnë gjëra që janë edhe brenda ndijimit të zakonshëm? Pse tallen me inteligjencë e zakonshme të njerëzve? A duhet që të binden se Ligji Moral ka peshë sublime? Pse siguria që na jep Ligji Moral bie ndesh me premtimet dhe amalgimet e politikës…? Tek e fundit, është provuar se Ligji Moral ka avantazhin se është më sipër se çdo përvojë, është formal dhe nuk lidhet me ndonjë situatë të zgjedhjes morale, ka vlerë për çdo shtresë  dhe ta thotë haptas se ndikon instinktivisht sesi duhet të veprohet, ashtu si edhe është kategorik pozitiv nëse vërtetë ti e respekton. Dhe sinteza e të gjithës, është ajo që koha na e ka dhënë me fjalinë simbolike që lidhet me të: ”Mos i bëj tjetrit atë që nuk dëshiron të të bëjnë ty!”

A do dëshironin politikanët të silleshin dhe të zhgënjeheshin ashtu si ua bëjnë ata shqiptarëve?! Pa asnjë mëdyshje jo. Kur Erion Braçe i numëronte defektet kolegëve të tij socialistë nisej nga premisa logjikë që i kapte situata por kurrsesi nga ajo, që donte t’i bënte keq qeverisë.

Duket se koha jonë ka nevojë për analiza të tjera dhe mbi të gjithë për tu mbështetur nga ajo që kohërat e kanë dhënë si një modul për t’iu shmangur sa më shumë të keqes: një shoqëri e mirë vepron thjesht sipas Ligjit të Moralit. Këtë duhet të kenë parasysh politikanët dhe përbën atë që lidhet me imperativin kategorik politik ku interesat private të individëve dhe grupeve sociale të partive duhet t’i nënshtrohen qëllimit programor, shprehet te “Fundi i filozofisë politike” politologu Pëllumbi, ku politikanët duhet të jenë realistë dhe jo kinse vizionarë si kryeministrat tanë, të ketë dialog dhe politikanët të kenë përgjegjshmëri kulturore,  solidaritet dhe frymë bashkëpunimi me të kundërtin… A janë vallë në një nga këto hulli politikanët tanë?! Vështirë të thuash por me keq akoma, vështirë ta pranosh se ata do të sillen ndonjëherë konform Ligjit të Moralit. (Homo Albanicus)

 

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës