Ligji i Prokurorisë nen që dënon
gazetarët,komisioni e miratoi

Ligji i Prokurorisë nen që dënon<br />gazetarët,komisioni e miratoi
Tjetër nen që kufizon lirinë e mediave në Shqipëri. Dy ditë pas tërheqjes së ligjvënësve nga neni 13 i draftit për institucionet antikorrupsion, “Shqiptarja.com” zbulon një tjetër paragraf, tashmë në projektligjin për organizmin dhe funksionimin e prokurorisë, zbatimi i të cilit mund të çojë në instalimin e censurës në vend, duke dënuar me burg gazetarët që investigojnë veprimtarinë e prokurorëve.

Bëhet fjalë për paragrafin e tretë të nenit 6, të projektligjit për prokurorinë, i cili parashikon që, çdo lloj ndikimi i papërshtatshëm mbi punën e prokurorëve dhe veprimtarinë e tyre në çështje konkrete, i ushtruar përmes autoritetit publik, mjeteve të informacionit apo me çdo lloj mjeti tjetër apo personave të tjerë, që cënon pavarësinë e prokurorëve në ushtrimin e detyrës së tyre, është i ndaluar dhe dënohet sipas ligjit.

Përmbajtja  është pothuajse e njëjtë me nenin 13 të projektligjit për SPAK-un, thjeshtë fjala “media” është zëvendësuar me togfjalëshin “mjeteve të informacionit”. Pra, ndikimi i papërshtatshëm mbi prokurorët me mjete informacioni dënohet sipas ligjit, në rastin konkret deri në tre vjet burg, sikundër parashikohet në Kodin Penal. Drafti në fjalë është shqyrtuar në parim dhe nen për nen nga komisioni i posaçëm për Reformën në Drejtësi, ku si relator figuron deputeti Ulsi Manja. Gjatë shqyrtimit, anëtarët e komisionit nuk kanë bërë asnjë diskutim mbi paragrafin e tretë të nenit gjashtë, i cili prodhon të njëjtat efekte si paragrafi i tretë i nenit 13 të ligjit për SPAK.  

Hartuesit  
Projektligji është përgatitur gjatë periudhës janar-qershor 2016 nga një grup pune i përbërë prej ekspertëve të nivelit të lartë dhe EURALIUS, ndërsa është rishikuar në vijim në bazë të komenteve të palëve të interesuara. EURALIUS dhe ekspertët shqiptarë kanë sqaruar se draftit i kanë bërë një kontroll për përputhshmërinë me projektligjet në proces hartimi, në veçanti me projekt ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” dhe projekt ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Megjithatë, ky paragraf duket se bie ndesh me nenin 22 të Kushtetutës, i cili ndalon censurën e mjeteve të komunikimit, ndërsa garanton lirinë e shprehjes, lirinë e shtypit, radios dhe televizionit.

Prokurorët
Nëse neni 13 i draftit për SPAK kriminalizonte ndikimin e papërshtatshëm të mediave në punën e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, neni 6 i ligjit për prokurorinë kriminalizon ndikimin me mjete informacioni mbi të gjithë prokurorët. Drafti në fjalë përfshin Prokurorinë e Posaçme, e cila ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën për veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe veprat penale të kryera nga funksionarë të lartë. Po ashtu, përfshin prokurorët pranë çdo gjykate të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm si dhe prokurorët pranë çdo gjykate apeli të juridiksionit të përgjithshëm.
 
Parashikimi
Ky paragraf parashikon që çdo lloj ndikimi i papërshtatshëm mbi punën e prokurorëve, i ushtruar përmes autoritetit publik, mjeteve të informacionit apo me çdo lloj mjeti tjetër, është i ndaluar dhe dënohet sipas ligjit.
 
Zbatimi
Nëse neni 13 i draftit për SPAK kriminalizonte ndikimin e papërshtatshëm të mediave në punën e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, neni 6 i ligjit për prokurorinë kriminalizon ndikimin me mjete informacioni mbi të gjithë prokurorët.

Neni 6 i draftit për prokurorinë
Në ushtrimin e funksioneve të tyre, prokurorët veprojnë dhe marrin vendime në mënyrë të pavarur, bazuar në parimet e ligjshmërisë, objektivitetit dhe paanshmërisë.
 2. Prokurorët i nënshtrohen udhëzimeve të përgjithshme me shkrim të prokurorit më të lartë, sipas dispozitave të këtij ligji.
 3. Çdo lloj ndikimi i papërshtatshëm mbi punën e prokurorëve dhe veprimtarinë e tyre në çështje konkrete, i ushtruar përmes autoritetit publik, mjeteve të informacionit apo me çdo lloj mjeti tjetër apo personave të tjerë, që cënon pavarësinë e prokurorëve në ushtrimin e detyrës së tyre, është i ndaluar dhe dënohet sipas ligjit.
 
 
Neni 13 i draftit për SPAK
Pavarësia e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme

 1. Në ushtrimin e funksioneve të tyre, prokurorët veprojnë dhe marrin vendime në mënyrë të pavarur bazuar në parimet e ligjshmërisë, objektivitetit dhe paanshmërisë. 
 2. Prokurorët e Posaçëm zbatojnë udhëzimet e përgjithshme me shkrim të një prokurori më të lartë sipas këtij ligji. Një prokuror më i lartë nuk i jep udhëzime një prokurori të posaçëm lidhur me thelbin e hetimit apo çështjes.
 3. Çdo lloj influence e papërshtatshme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre ndalohet dhe dënohet me ligj. 
 
Diskutimet në komision për projektligjin e prokurorisë
 
-Ulsi Manja: Në paragrafin e parë të nenit 6 është përmendur parimi i paanshmërisë, por në vijim të projektligjit, ai nuk është parashikuar si parimet e tjera, pra thuhet: “...bazuar në parimet e ligjshmërisë, objektivitetit dhe paanshmërisë”. Kur flitet te parimet pastaj, parimi i paanshmërisë nuk është trajtuar në projektligj. A është nevoja të trajtohet në projektligj edhe parimi i paanshmërisë, si parim i rëndësishëm?
 
-Artan Hoxha: Paanshmëria në vetvete është pjesë e pavarësisë, domethënë është
segment. Kur flasim për pavarësinë, pjesë e pavarësisë është edhe paanshmëria, e cila ka të bëjë me raportin e prokurorit në lidhje me çështjen, kurse pavarësia ka të bëjë me raportin që ka prokurori, në tërësinë e vet, me institucionet dhe me subjektet e tjera të procesit penal. Paanshmëria është element i pavarësisë dhe janë nenet 15, 16, 17 të Kodit të Procedurës Penale. Përmendja “në pavarësi”, mendoj se e plotëson edhe elementin e paanshmërisë.
 
-Ulsi Manja: Dakord.
 
-Vasilika Hysi: Për të qenë koherentë, duhet që pas “orientimit seksual” të shtohet identiteti gjinor. Është protokolli 12 i konventës.
 
Fatmir Xhafaj: Pra, dakord me nenet 6 dhe 7. Neni 8.
 
-Vasilika Hysi: Unë jam dakord me z. Hoxha, veçse parimet që janë përcaktuar në nenin 8/a janë të domosdoshme të jenë në ligj, pasi flitet për ndalimin e torturës dhe të trajtimeve degraduese poshtëruese. E dyta, është e domosdoshme të përcaktohet prezumimi i pafajësisë dhe, njëkohësisht, është shumë interesant parashikimi i bërë në germën “dh”, ku thuhet: “Prokurorët duhet të jenë të gatshëm, jotolerant dhe të hapur për të ofruar diskutime dhe zgjidhje të ofruara në mënyrë të ligjshme”, pra sipas mendimit tim të gjitha parashikimet që bëhen në nenin 8/a nuk lidhen me paanësinë se sa lidhen me respektimin e të drejtave dhe parimeve të rëndësishme në proces, që duhet të jenë në këtë ligj, por kurrsesi nën termin paanësi. Me këtë unë jam dakord me ju.
 
-Fatmir Xhafaj: T’i lëmë kohë zotit Hoxha t’i shohë. Nëse këto çmohen dhe janë të nevojshme, ne mund t’i përfshijmë. Nëse debati do ta sjellë që të jenë në nivelin e Kodit Etik, le të jenë në Kodin Etik. Dakord, ngelet një çështje për t’u parë. Vazhdojmë me nenin 9: “Konfidencialiteti i të dhënave”.  

ke

*)  Ky shkrim është përgatitur në bashkëpunim me Osservatorio Balcani e Caucaso për Qendrën Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi vetëm e Shqiptarja.com dhe nuk mund të pretendohet në asnjë mënyrë se pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian




Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)


 

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Këngëtarja Parashqevi Simaku komunikon me djalin dhe ish-bashkëshortin

Këngëtarja Parashqevi Simaku komunikon me djalin dhe ish-bashkëshortin