Ligji i pronave në Kushtetuese, PD:
S'ka siguri e barazi, s'njeh pronën
PDF/Kërkesa e PD-së drejtuar Kushtetueses

Ligji i pronave në Kushtetuese, PD:<br />S'ka siguri e barazi, s'njeh pronën<br />PDF/Kërkesa e PD-së drejtuar Kushtetueses
Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit të pronave i është drejtuar dje edhe Partia Demokratike. Pas republikanëve të Fatmir Mediut dhe Presidentit, Bujar Nishani, padia në kushtetuese ka mbërritur edhe nga demokratët, me kërkesë shfuqizimin e ligjit të miratuar nga Kuvendi në dhjetor të vitit të kaluar. Në kërkesën e tyre, demokratët kërkojnë rrëzimin e ligjit me arsyetimin se cenon barazinë para ligjit, nuk e njeh pronën si koncept si dhe shkel vendimet e dhëna nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut.

Ankesa 
Në një prononcim për mediat pas dorëzimit të ankimimit, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku u shprehu se, forca që ajo përfaqëson shpreson se gjykata do të japë një vendim të drejtë për këtë çështje. Dhe për këtë besim të saj, ajo renditi disa nga arsyet sepse e kanë çuar ligjin e pronave në Gjykatën Kushtetuese. Sipas saj janë mbledhur mendimet e grupeve të interesit, sepse ky ligj nuk e njeh pronën si koncept. “Ligji bazuar kryesisht edhe mbi parimet ndërkombëtare të pranuara dhe vendimet e dhëna nga gjykata Europiane e të drejtave të njeriut dhe vendimet e gjykatës së Strasburgu, bien ndesh pikërisht me një sërë vendimesh të dhënë kohët e fundit që cenon parimin e barazisë para ligjit”, tha Tabaku.

Më tej ajo shtoi se rivlerësimi i pronës do të bëhet përmes një vlerë shumë herë më të vogël se sa vlera reale që ka prona aktualisht. “Kjo do thotë që të gjithë vendimet e reja që do të jepen nga komisioni janë në mënyrë logjike në një vlerë shumë herë më të vogël se ajo që u është njohur qytetarëve të tjerë pas vendimeve të dhënë nga Gjykata e Strasburgut. Ky ligj nuk e njeh pronën si një koncept, por kalon thjesht në kthimin dhe kompensimin e saj”- tha Tabaku. Ndërsa kolegu i saj, Oerd Bylykbashi u shpreh se, me këtë ankimim, dëshmohet se ish-pronarët janë një shtyllë e PD-së. Por nga ana tjetër ai tha se ky ligj cënon të drejtën e pronarëve, por edhe sigurinë dhe barazinë juridike para ligjit.

Ne e kemi bërë shumë të qartë në emër të Partisë Demokratike në parlament dhe sot jemi për të konfirmuar këtë qëndrim se ky ligj në çdo mënyrë do të shfuqizohet. Vullneti i Partisë Demokratike është që në momentin më të parë, çdo element që bie ndesh me pronat e ish-pronarëve, ai moment të shfuqizohet për rrjedhojë pronarëve t’u garantohet e drejta. Unë besoj se është shumë e qartë për Gjykatën Kushtetuese bazuar edhe mbi çka marrë vendime edhe më parë. Nuk mund të flas asgjë se ç’mund të jetë presioni që do të bëjë qeveria në çdo rast, ky ligj nuk mund t’i qëndrojë kësaj Gjykate. Në çdo ligj që kërkon shumicë të thjeshtë ne do ta shfuqizojmë dhe do të miratojmë një ligj që të jetë plotësisht, 100 përqind në favor të ish-pronarëve”, sqaroi Bylykbashi.

Ankesat. Tre ankesa në Kushtetuese për ligjin e pronave
Në Gjykatën Kushtetuese janë depozituar 3 ankesa kundër ligjit të pronave. E para që kërkoi rrëzimin e ligjit ishte Partia Republikane, e cila e konsideron këtë draft si më të keqin e 70 viteve të fundit dhe që sipas republikanëve mohon të drejtën e pronarëve për të marrë pronën e tyre.

Ndërkohë vetëm një javë më parë, edhe presidenti Nishani kërkoi nga Gjykata Kushtetuese pezullimin dhe shfuqizimin e ligjit duke e konsideruar si antikushtues. Sipas argumentimit të kreut të shtetit, ligji që nuk mori as dekretin e tij, cenon rëndë parime të rëndësishme si: sigurinë juridike, barazinë para ligjit, apo të drejtat e pronësisë. Ligji i ri për Kthim-Kompensimin e pronave u miratua në fund të vitit të shkuar mes debateve të ashpra, për të hyrë në fuqi pak ditë më parë. Momenti më i debatueshëm i ligjit të ri, është vendimi për të kompensuar pronarët sipas zërit kadastral që ka pasur një tokë në çastin e shpronësimit të pronarit.

Ligji i ri i pronave është kundërshtuar edhe nga Shoqatat e Pronarëve. Madje, edhe vetë pronarët e vjetër kanë paralajmëruar ankimimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese. Por teksa kanë mbërritur 3 padi kundër ligjit në Kushtetuese, duket e vështirë që të depozitohet edhe një ankesë nga pronarët e vjetër. 

Vendimet e ardhshme të Agjencisë së Trajtimit të Pronës. Azizaj: Të pavlefshme nëse kushtetuesja rrëzon ligjin. Ende nuk kanë dalë aktet nënligjore në zbatim të ligjit i cili sot ka hyrë në fuqi

Partia Demokratike është subjekti i tretë që e dërgon në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Pronën, pas Presidentit dhe Parisë Republikane. Ndërsa analizon situatën e ligjit të ri për trajtimin e pronës, konstitucionalisti, Sokol Azizaj, thotë se ligji nuk mund të jetë tërësisht funksional për shkak se nuk është plotësuar ende me aktet e duhura nënligjore. Eksperti thotë se gjatë këtyre viteve ligjit të pronës në tërësi i janë bërë 38 ndërhyrje, disa prej të cilave jo kushtetuese.

Ende nuk kanë dalë aktet nënligjore në zbatim të ligjit i cili sot ka hyrë në fuqi dhe botuar në fletoren zyrtare. Në lidhje me pronat në historinë e legjislacionit shqiptar janë konstatuar mbi 38 ndërhyrje dhe janë përpunuar akte nënligjore të cilat në përmbajtjen e tyre mund të kenë qenë deri tashmë dhe jo kushtetuese”- shprehet Azizaj. Ndërkohë që vendimet e ardhshme të Agjencisë së Trajtimit të Pronës do të ishin të pavlefshme nëse Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën e Presidentin dhe shfuqizon Ligjin e ri për trajtimin e Pronës.

Presidenti i Republikës ka bërë dy momente, ka kundërshtuar nëpërmjet dy momenteve formal ligjin e kuvendit: Së pari në dispozita të veçanta ka kërkuar konstatimin e jokushtetueshmërisë së ligjit dhe së dyti ka kërkuar pezullimin e tij. Pronarët të presin në një farë mënyre dy momente: Aktet nënligjore në zbatim të ligjit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese” - thotë ai. Ndërkaq, një prej elementeve thelbësore të ligjit të ri është përcaktimi i afateve të qarta kohore për çdo hap të procesit.

Sipas saj, brenda tre viteve nga hyrja në fuqi e ligjit të ri për Trajtimin e Pronës, se do të përfundojë kompensimin e vendimeve të dhëna deri tani nga ky institucion. Ndërkohë që brenda 10 viteve do të ezaurohen tërësisht pretendimet e 26 mijë dosjeve në pritje të vendimeve. Sipas kreut të AKKP, Sonila Qato, për herë të parë në të gjithë historinë e kthimit dhe kompensimit të pronave, në vitin 2015 akordoi një fond për krijimin e hartës dixhitale të vendimmarrjes të kthimit dhe kompensimit të pronave.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vranësira e reshje shiu, parashikimi i motit për sot

Vranësira e reshje shiu, parashikimi i motit për sot