Ligji "Për të drejtën e informimit" u publikua të premten në Fletoren Zyrtare, pas miratimit në Kuvend më 18 shtator 2014. Ky ligj, i bazuar në modelet më të përparuara të vendeve evropiane, pritet të garantojë rregulla konkrete për mbrojtjen dhe shndërrimin e të drejtës së informimit në një të drejtë reale dhe lehtësisht të zbatueshme në praktikë.
Risitë kryesore që sjell ligji i ri, me ligjin që ishte në fuqi, janë si vijon:

Përcaktimi i kompetencave të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji nga organet e administratës publike, për hartimin e programeve të transparencës, për shqyrtimin e ankesave, si dhe për vendosjen e dënimeve administrative;

Mbrojtja e së drejtës për informim që ka çdo qytetar, pa qenë nevoja të sqarojë motivet;

Rregullimi i përgatitjes, miratimit dhe rishikimit të programeve të transparencës;

Rregullimi i njohjes me informacionin/dokumentin zyrtar publik;

Krijimi nga autoriteti publik i një regjistri të posaçëm, ku pasqyrohen të gjitha kërkesat për informim dhe informacionet e dhëna në përgjigje të tyre;

Parashikimi i kufizimit të së drejtës për informim;

Parashikimi i shkeljeve dhe sanksioneve administrative në fushën e të drejtës për informim;

Rregullimi i kompetencave dhe procedurave për shqyrtimin e ankesave në rastet e cenimit të së drejtës për informim.
Ligji "Për të drejtën e informimit" është përgatitur duke konsultuar modelet më të mira evropiane, në veçanti me modelet e vendeve të rajonit si, Kroacia, Maqedonia, Serbia, të cilat kanë hartuar ligje bashkëkohore për të drejtën e informimit. Gjithashtu, ligji i ri është hartuar me konsulencën e Fondacionit SOROS.

ATSH