Në kuadër të negociatave me BE-në, po ndryshon edhe ligji për median audiovizive, duke u përpjekur të ofrojë më shumë transparencë për pronarët e radiove dhe televizioneve si dhe për financimin e këtyre mediave.

Për këtë qëllim, do të krijohet një regjistër publik për të treguar se kush janë zotëruesit realë dhe përfitues të tyre, por nisma nuk përfshin portalet online.

“Të jetë i identifikueshëm dhe i gjurmueshëm për publikun dhe autoritetin, duke rritur në këtë formë dhe besimin te publiku dhe llogaridhënien. Kjo i jep publikut mjetin minimal për të ditur se kush qëndron pas një media. Do të kemi në këtë database një listë me pronarët e drejtpërdrejt dhe të ndërthortë që kanë ndikim në vendimmarrjen strategjike, publikimin e shumës vjetore që vijnë nga reklamat shtetërore”,- shprehet deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi.

“I përgjigjet disa rekomandimeve që kemi ne për transparencën, por nuk zgjidh totalisht problemin”,- shprehet Mark Marku, udhëheqës i dialogut.

 

Megjithëkëtë, kjo ndërhyrje ligjore nuk i jep zgjidhje problemit tjetër të medias, funksionimin me dy bilance dhe pagat e padeklaruara në dorë. As ligji i ri nuk ofron transparencë se nga vijnë paratë që mbulojnë këto shpenzime të padeklaruara për shtetin. Në këtë moment, transparencë do të bëhet vetëm për reklamat shtetërore.

Shoqëria civile dhe organizatat e medias u shprehën kritike për sinqeritetin e dialogut, duke treguar pakënaqësi se si shpifja u hoq pjesërisht nga Kodi Penal.

“Nuk ekziston ky besimi dhe nuk od të ekzistojë për sa kohë në gënjehemi. Na kanë prerë në besë. I kemi dhënë besën njëri-tjetrit që do ta shfuqizojë, nuk e shfuqizon shpifjen”,- thotë Isa Myziraj, kreu i AGSH.