Qeveria do të kontrollojë dhe hetojë investimet e huaja direkte të cilat do të bëhen në sektorë me rëndësi kritike për sigurinë kombëtare, siç janë mediat dhe fusha e mbrojtjes.
Pas mbledhjes së qeverisë ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se rregullorja e miratuar është në linjë me procesin e integrimit evropian.
“Nëpërmjet aktit që sapo u miratua dhe nëpërmjet një mekanizmi të një bordi të drejtuar nga Ministri i Ekonomisë, një bord ndërministror, ne do të shqyrtojmë të gjithë investimet të cilat vijnë nga vende jo anëtare të Bashkimit Evropian, fillimisht në dy fusha, në fushën e medias dhe në fushën e mbrojtjes”, tha Ibrahimaj.
Fokusi kryesor i kësaj rregulloreje do të jetë tek kontrolli investimeve të huaja në fushën e medias, me qëllim që të shmangen fushatat e dezinformimit apo ndikimet keqdashëse nga shtete të huaja.
Ministrja tha se pas hyrjes në BE, ky bord do të shqyrtojë të gjitha investimet e huaja që vijnë nga shtete jo anëtare.
“Ky bord do të do të shqyrtojë të gjitha kërkesat për investime të huaja në të gjithë sektorët kritik të ekonomisë shqiptare”, tha Ibrahimaj.
Gjithashtu qeveria ka miratuar edhe një projektligj për nënshkrimin elektronik, që sipas ministres i hap rrugën eliminimit të ‘firmave fizike’ të administratës.
“Ky ligj krijon kushtet për të pasur një siguri të të dhënave më të lartë, për të krijuar portofolin e identitetit dixhital, i cili është parakusht dhe përmbyll në mënyrë të përhershme çështjen e shkresave apo të dokumenteve elektronike. Do të eliminojmë të gjithë dokumentet shkresore dhe të gjithë firmat shkresore dhe administrata shqiptare do të mund të punojë “paperless”, tha Ibrahimaj.
Vendimi i tretë i miratuar në qeveri me propozim të ministrisë së ekonomisë është për t'i dhënë 100 milionë lekë AIDA-s, për mbështetjen e sipërmarrjeve mikro të vogla dhe të mesme.
Komente











