TIRANË - Ministria e Punëve të Brendshme i propozon Kuvendit një ligj të ri "Për azilin" që synon konsolidimin e kuadrit ligjor substancial në fushën e azilit, si dhe përafrimin e plotë të këtij legjislacioni me atë të Bashkimit Evropian.

Në prezantimin e tij sot në komisionin e Ligjeve, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se një ndër risitë që sjell projekti "Për azilin" është integrimi i dy ligjeve ekzistuese në këtë fushë, atij të vitit 1998 "Për azilin në Republikën e Shqipërisë", si dhe i ligjit "Për integrimin dhe bashkimin familjar të personave që kanë përfituar azil".

Një tjetër risi e këtij p/ligji është dhe ngritja e Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët, si autoriteti i vetëm që trajton kërkesat për azil. Ky Komision po ashtu ka dhe kompetencën vendimmarrëse për ankimimet kundër vendimeve për azilin dhe refugjatët.

Projektligji, që ruan organizimin strukturor të ligjit kroat, parashikon kushtet dhe procedurat për dhënien dhe heqjen e azilit në Republikën e Shqipërisë, të drejtat dhe detyrimet e refugjatëve dhe të personave nën mbrojtje të përkohshme e plotësuese, përmbajtjen e statusit të refugjatit, të drejtën e tyre për bashkim familjar, si dhe parashikimin e kushteve për integrimin e refugjatëve e të personave nën mbrojtje plotësuese në Republikën e Shqipërisë.

Pas prezantimit nga ministri Tahiri, komisioni e miratoi draftin në parim vetëm me votat e maxhorancës së majtë, pasi opozita vijon të bojkotojë aktivitetin e Kuvendit. I vetmi përfaqësues i opozitës sot në komision ishte deputeti Nard Ndoka, kryetar i Partisë Demokristiane. /ATSH/