Ligji i ri për shqiptarët që luftojnë
në Siri, ja tri penalizimet

TIRANE- Shqiptarët që do të zgjedhin të luftojnë në një shtet të huaj pa qenë pjesë e misioneve ushtarake, apo që do të bëjnë tthirje për luftë do të përballen dhe me tri akuza të reja. Deputetët e komisionit të ligjeve kanë paraqitur një draft në të cilin parashikohet ndryshimi në Kodin e Procedurës Penale.

Fenomeni i përhapur së fundmi, i përfshirjes së shqiptarëve në luftën Siri, ka sjellë inicimin e nismës ligjore në Kuvend. Tri dispozitat që do t’i bashkangjiten ligjit ekzistues lidhen me veprat penale të  “Pjesëmarrjes në veprime luftarake në një shtet të huaj”, “Organizimit për pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj” dhe “Thirrja për pjesëmarrje në veprime luftarake të dhunshme në një shtet të huaj”. Sipas relacionit për këto ndryshime, të propozuara nga deputetët Felaj, Hysi dhe Subashi, Kuvendit i sygjerohet që kompetencat për hetimin dhe gjykimin e këtyre veprave penale t’i kalojnë sistemit të Prokurorisë dhe gjykatës së Krimeve të Rënda si institucione të sprovuara në gjykimin e çështjeve me specifika të veçanta.

Pak muaj më parë nga një hetim rastësor i prokurorisë së Elbasanit i nisur në vitin 2013 për trafik armësh, u arrit të zbardheshin bisedat telefonike mes anëtarëve të dyshuar, në të cilat shfaqej interesimi për rekrutimin e shqiptarëve dhe dërgimin e tyre fillimisht në Turqi dhe më pas në Siri, për t’ju bashkuar grupit terrorist “Al-Nusra”. Menjëherë pas hetimeve u vunë në pranga organizatorët, ndërkohë që Prokuroria e Krimeve të Rënda përballi të arrestuarit me akuza të cilat për shkak të specifikës së ngjarjes mungonin në ligjin aktual

Akuzat
Caktimi i masës së sigurisë për celulën e muxhahedinëve që dërgonte luftëtarë shqiptarë drejt betejave të përgjakshme në Siri, u bë për akuzat e “Rekrutimit të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste”, “Nxitjes së thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste” dhe “Nxitjes së urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive racave dhe feve”. Ndërhyrjet e reja që pritet të ndodhin në ligj, do të koordinohen edhe me strukturat ndërkombëtare për shkak të shtrirjes së gjerë të këtij fenomeni.

Në mars të këtij viti Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftuan arrestimin e 8 personave dhe shpalljen në kërkim të 5 të tjerëve me akuzën e dërgimit të rekrutëve shqiptarë në luftimet në Siri. Nga hetimet e bëra nga kjo prokurori u zbulua se çdo muaj secili prej rekrutëve paguhej me 150 dollarë, ndërkohë që për familjet e atyre që humbnin jetën jepej një shumë prej 750 dollarësh. Ligji i ri pritet të rëndojë dënimin për secilin prej shqiptarëve që do të ndalohen për luftime jashtë vendit, ndërkohë që këto ndryshime janë propozuar të shqyrtohen brenda sesionit të dytë të Kuvendit.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Marrëdhëniet Greqi -Shqipëri, avokati Islami: Kanë bërë masakra në vendin tonë, Beleri në PE ishte goditje! Sekretari i OMONIA-s: Jemi urë komunikimi mes vendeve

Marrëdhëniet Greqi -Shqipëri, avokati Islami: Kanë bërë masakra në vendin tonë, Beleri në PE ishte goditje! Sekretari i OMONIA-s: Jemi urë komunikimi mes vendeve