Opinioni i Komisionit të Venecias për ligjin e Vettingut është në dorë të trupës së Gjykatës Kushtetuese.
 
Burime pranë kësaj gjykate bëjnë të ditur se dokumenti i është shpërndarë 8 gjykatësve të Kushtetueses, ndërsa pritet që në mesjavë të jepet edhe vendimi përfundimtar.
 
Komisioni i Venecias e vlerësoi plotësisht ligjor dhe kushtetues ligjin e Vettingut, duke i kthyer përgjigje negative pretendimeve të opozitës dhe Gjykatës Kushtetuese.
 
Kjo e fundit pezulloi zbatimin e ligjit në datën 25 tetor, ndërsa iu drejtua Venecias për të marrë një opinion të detajuar për katër pyetjet e saj.
 
Pyetjet e ngritura nga Gjykata Kushtetuese ishin shkelja e të drejtave të njeriut, konflikti i interesit të kësaj gjykate, pavarësia e pushtetit gjyqësor dhe e drejta e ankimimit të gjykatësve dhe prokurorëve.
 
Kushtetuesja vuri në diskutim kushtetutshmërinë dhe vlefshmërinë ligjore të Vettingut, por përgjigja e Venecias ishte e qartë dhe konkrete se ligji nuk cenon asnjë nen të Kushtetutës.   

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com