Ligji mediave online,Harito: S'kemi 
 nxitim, të hapur për ndryshime

Ligji mediave online,Harito: S'kemi <br /> nxitim, të hapur për ndryshime
Qeveria nuk ka nxitim për te kaluar ligjin per tregtine elektronike qe prek drejtëpërdrejtë dhe mediat online. Duke folur ne emisionin "45 Minuta" të gazetarit, Denis Minga, në Report TV, ministrja e Inovacionit, Milena Harito, deklaroi se ligji në fjalë nuk cenon pavarësinë e mediave online, ndësa shtoi se qeveria mbetet e hapur për të dëgjuar shqetësimet e grupeve të interesit.

Duke folur për zhvillimet brenda PS, Harito i është përgjigjur edhe sulmeve të deputetit Blushi se një pjesë e ministrave të qëverisë janë mediokër elitar. ”Nuk e di nëse duhet të hyjmë në debate shterpë. S'ndjehem as mediokre e as e paaftë. Duhet të flasë me fakte dhe emra. Në këtë rast është të shtosh zhurmë dhe baltë në një ambient ku ka nevojë për fakte dhe emra".

Në fund, Harito ka komentuar dhe gjestin e saj për të vënë kufjet kur flet Berisha në Kuvend, ndërsa jep edhe një këshillë për kolegët e shumicës, por edhe ata të opozitës…"U kam këshilluar të gjithë deputëtëve të shumicës që kur të flasë Berisha në Kuvend të vënë kufjet në vesh dhe të mos e dëgjojnë”. 

Intervista e plotë në "45 minuta" e ministres Milena Harito

 Një pjesë e mediave online, ka shprehur një lloj frike ndaj ligjit që po amendoni, për "Tregtinë elektronike". Pse është lidhur ky ligj me median? Kur thelbi i ligjit është tregtimi i mallrave online?
Është e vërtetë që ka patur shqetësime për këtë çështje. Shqipëria vjen nga një histori censure të gjatë, dhe është normale që të ketë shqetësim. Unë vetë kam kaluar nëpër studio për të shpejtuar dhe për marrë çdo detaj të amendimeve që duam të sjellim dhe për të krijuar qartësi. Nuk kemi asnjë urgjencë për ta kaluar këtë ligj. Ligji  ekzistues rregullon pjesën më të madhe të gjërave që duam të preçizojmë. Jemi në një fazë konsultimi, në një fazë paraprake, për ta diskutuar me të gjithë. Mund t'ju them se pse i hyra amendimit të ligjit. Ligji është transfuzuar në 2009-ën si një direktivë e BE, për shërbimet elektronike dhe të shoqërisë së informacionit. Direktiva thotë se përfshin portalet që quhen shërbime pa pagesë të financuara nga reklama, ose sponsorizimi. Kjo do të thotë se të gjitha shërbimet e shoqërisë së informacionit, hyjnë në kuadrin e rregullimit të kësaj direktive. Pra, siç e thash është transfuzuar në 2009-ën dhe amenduar në 2013-ën. Spuntoja se pse e kemi ndërmarrë këtë proces, është se në progres raportin e 2015-ës, edhe për shkak të amendimit të propozuar nga deputetja Bregu, ngrihej shqetësimi se nuk ishte drejtimi i duhur, por në Shqipëri mungon rregullimi i portaleve.
 
Ajo që ka vënë në panik median online është se në nenin 3, e keni shtuar shërbimet që japin informacion...
Në një gazetë nuk ka komentator të tretë, gazeta nuk është anonime dhe publikon përmbajtjen e vet që është përgjegjëse. Nëse dikush fyhet, ka të gjithë mekanizmat ligjorë për të ndërmarrë, deri përpara gjykatës. Në portale ka një ndryshim të madh, përmbajtje që vjen nga palë të tretë. Për këtë arsye, ka një direktivë të posaçme nga BE. Janë komentatorët, dhe hapësirat publicitare, që s'është përgjegjës portali, por pala e tretë. Direktiva thotë se portali nuk është përgjegjës për palët e treta. Dhe nuk bëhet portali përgjegjës. Ndryshe nga amendimi i Bregut që portali të infiltronte përmbajtjen e palëve të treta. Por, në ligjin aktual ka një detyrim aposteriori. Në momentin kur unë raportoj te portali që komenti final është fyes për këtë arsye, duke iu referuar bazës ligjore, sot në ligin që flasim, ka detyrimin ta çaktivizojë përmbajtjen fyese.
 
Ka një ndryshim në ligj, se ju keni shtuar "palën e cënuar", që s'ka qenë në ligjin e mëparshëm...Është si të thuash i ofroni dikujt, nëse mendon se është cenuar të reagojnë ndaj portalit?
Për komentet e palës së tretë, pala tjetër ka të drejtë të ankohet për të limituar abuzimin. Dikush, një subjekt i tretë, të bëjë raportime për të goditur portalin. Për këtë arsye kemi e vënë "pala e cenuar", "personi i fyer", i cili i drejtohet portalit për të çaktivizuar komentin fyes. Kur portali vihet në dijeni nga pala e cenuar, duhet të trajtojë çështjen. Këtu nuk ndërhyn qeveria, s'ndërhyhet te përmbajtja e vetë portalit, por te palët e treta dhe këtë përmban direktiva e BE.
 
Ishte para disa ditësh, grabitja e një taksisti nga punonjësi i FNSH-së, një komentues në portale e identifikoi atë. Nëse do i ishte drejtuar portalit, personi i akuzuar, hiqe atë koment se jam i cenuar dhe nëse portali do ta kishte hequr, sot s'do kishim shkuar në zbulimin e autorit...
Pala e cenuar duhet të japë bazë ligjore. Duhet provuar. Nëse dikush thotë se kam parë Milena Hariton duke vjedhur mollë në një supermarket, unë them se nëse ka provë, ka një fotografi etj, vazhdon procedurën.
 
Nëse nuk e heq komentin, çfarë ndodh?
Ka një afat 48 orë, mund të mos e heqë dhe shkohet në gjykatë dhe ka një penalitet. Portali lehtësohet me ndërhyrjen tonë, sepse në direktivë është e shkruajtur që portali e çaktivizon komentin menjëherë. Gjermania e kishte 6 orë. Ne na u duk shumë pak kohë kjo, sepse portalet në vendin tonë s'kanë kapacitetet e duhura për të reaguar, dhe lam afatin maksimal prej 48 orësh.
 
Ligji i vjetër merrej me blerjet online dhe jo me web-et...
Nuk i ka përfshirë në mënyrë të qartë. Shumica e portaleve, ose ato që quhen media online, diku financohen, janë në kuadrin e tregtisë elektronike, mbledhin të ardhura, nuk janë pa pagesë.
 
Ka ndryshim thelbësor mes dy ligjeve. Më parë ishte Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorëve, tani është shtuar roli i Ministrit përgjegjës...ka një dallim mes dy ligjeve...
Me fuqizimin e portaleve forcohen dhe institucionet që merren me to. Ministri ka një rol të kufizuar për pikat e kontaktit për të dhënë informacion. Ky ligj ka qenë në heshtje, i paimplementuar, për shkak se web-et s'kanë qenë të zhvilluar. Pikat e kontaktit që duhet të japin info, janë inekzistente sot. Ministri përgjegjës gjykohet se është autoriteti që ka më tepër mundësi për pikat informacionit. Dhe për këtë qëllim është përcaktuar roli i Ministrit.
 
Po editorialet rrezikohen? Nëse një ëeb bën një analizë kritike, akuza, ndaj një ministri, politikani. Ky i fundit ka të drejtë ta detyrojë të heqë komentin?
Nuk ndryshon asgjë me situatën aktuale. Ligji merret kur portali s'ka dijeni për materialin. Në rastin konkret portali ka dijeni. Ndjek rrugën ekzistuese sot, siç ndodh në një shkrim të botuar në një gazetë. Meraku është për komentet dhe palët e treta, hapësirat publicitare, për të cilat nuk është përgjegjës portali.
 
A do ishte më mirë, duke patur parasysh edhe këtë reagim, të kishte diçka ndryshe, të mos përfshihej "tregtia elektronike"?
S'po shpikim diçka për Shqipërinë. Po transfuzojmë direktivën e BE.
 
S'ka cenim të lirisë së mediave online?
Ju garantoj për këtë. Por ju këshilloj edhe të lexoni ligjin fjalë për fjalë. Se s'po bëjmë asgjë për të cilën ju mendoni se preket liria e medias. Por sigurisht jemi duke plotësuar detyrimet që na vijnë nga progres-raporti dhe është normale për të ecur përpara në këtë fushë.
 
Afati 48 orë, s'është parë e arsyeshme të hiqet ky nen?
Komentatorët janë anonimë dhe diçka dengruese në internet mbetet përgjithmonë. Prandaj, duhet kjo ndërhyrje në kohë.
 
Pse nuk e latë në dorë të lirë të portalit?
Facebook e ka praktikisht të njëjtën procedurë raportimi që kemi ne. Nëse iu fyen në faqen tuaj, ju keni mundësi ta çaktivizoni vetë, nëse një faqe e tretë ju fyen, keni një procedurë raportimi. Në internet gjithkush mund të fyejë nën anonimat. Fyheni si person publik, ndërsa komentuesi është nën maskë. Procedura e raportimit ekziston në Kodin e OSBE, konventën e OKB-së, s'kemi pse të trembemi për diçka që e bëjnë të gjithë.
 
P.sh, Berisha e Rama, marrin dhe komente fyese në Facebook...
Ligji operon në Republiks së Shqipërisë, Facebook s'është në Shqipëri.
 
Ka gjasa të rishikohet ky ligj?
Nëse gjejmë pika të arsyeshme, për të cilat gjejmë dakordësi, patjetër. Një nga gjërat që u ngrit nga portalet, për raportimin abuziv, kemi parashikuar diçka, e para mund të gjobitet dhe futëm fjalën, "raportimi bëhet nga pala e cenuar". Ligji do të jetë gati brenda disa javësh.
 
Ju merreni edhe me administratën publike. Raporti i Shërbimit Civil, flet për 54% emërime në kundërshtim me ligjin, konkurse fiktive e vetëm një kandidat?
Është totalisht e pavërtetë. Raporti i kandidatëve është 20 kandidatë për një vend pune në administratë. Kemi dy kategori në administratë, nënpunësin civil dhe ata që rregullohen me Kodin e Punës. Nga 90 mijë punonjës, 16 mijë janë nëpunës civilë. Vitin e kaluar, DAP ka patur 1000 pozicione të lira. Ka bërë 700 emërime dhe në to ka patur mesatarisht 20 kandidatë për çdo pozicion. S'di për çfarë bëhet fjalë në këtë gjë.
 
Ka përmirësim në perfomancën e administratës?
Çështja është e gjerë. Administrata përbëhet nga 90 mijë punonjës, nga të cilët 36 mijë janë në sistemin arsimor,
7-8 mijë në shëndetësi, 9 mijë në sistemin e Policisë. Dhe matja e perfomancës është një proces. Qartësisht ka një progres të njohur e të dokumentuar. Të njohur edhe nga progres- raporti i 2015-ës. Ky raport vlerëson se është bërë progresi i konsiderueshëm, se Shqipëria është rasti i përparuar në Ballkan në rekrutimet e Shërbimit Civil. Është forcuar shkolla e trajnimit të administratës, ku kanë kaluar mijëra vetë. Nga administrata qendrore ka kaluar nga 1500 vetë që ishin, në 9000 vetë që tashmë janë pjesë e Shërbimit Civil. Është bërë një punë e madhe në profesionalizimin e tyre.
 
Media publikon lista të partive, deputetëve që bëjnë emërime... Mes PS e LSI, çfarë ndikim ka?
Lista deputetësh mund të ketë plot se janë përfaqësues të zonave të tyre. Ka njerëz që kanë nevojë për punë dhe përpiqesh t'i ndihmosh brenda kritereve dhe aftësive të tyre. Duhet bërë një dallim i qartë mes Shërbimit Civil dhe Kodit të Punës, ku rekrutimet bëhen nga institucionet. Për këtë të dytën, duhet të pyesni drejtuesin e çdo institucioni se ka mënyra sesi ata e drejtojnë institucionin. Nga 90 mijë punonjës, vetëm 9 mijë janë në Shërbimin Civil, pra 10-15 e administratës, bashkë me pushtetin qendror.
 
Si ministre e linjës, do të kërkonit që ky raport të ishte 50 me 50?
Mendoj se do të ishte një hap i parakohshëm. Se të katërfishosh pjesën e punonjësve në Shërbimin Civil, kërkon një kohë absorbimi. Duhet të rritet niveli i kërkesës dhe profesionalizimit.
 
Kthehemi te zhvillimet politike. Kongres i PS mbahet nesër. Do të ketë polemika, debate?
Është një moment i rëndësishëm për partinë. Fuqizon të gjitha strukturat e partisë.
 
Do të ketë garë? Referendum?
Le të mendojmë që një kandidat, cilido qoftë, kandidon në këtë momente përballë Ramës, i cili ka fituar 2 palë zgjedhje dhe le të supozojmë se njëri apo tjetri nga këta kandidatë fiton garën...A do të ishte legjitim në sytë e shqiptarëve që të ishte kryeministër? Statuti i PS përcakton se kryetari i partisë është Kryeministër. Do të kishim një kryetar të zgjedhur nga anëtarët e PS dhe do të dilte me pretendimin për të qenë Kryeministër, pavarësisht se populli ka votuar 2 herë rresht një lider, që është Rama. Është një debat shterpë mendoj, pasi vullneti i qytetarëve është shprehur qartë.
 
Ky argument le të kuptohet një lloj frike nga Rama?
Jo, nuk mendoj kështu. Dhashë një arsyetim nga e kundërta, pra do të ishte rasti absurd nëse do të fitonte. Nuk besoj se beson kush se kushdo që mund të dalë përballë Ramës, mund të fitonte.
 
Deputeti Blushi ka akuzuar ashpër në daljen e fundit për mediat. Ministrat sipas tij janë mediokër elitar...
Nuk e di nëse duhet të hyjmë në debate shterpë. S'ndjehem as mediokre e as e paaftë. Duhet të flasë me fakte dhe emra. Në këtë rast është të shtosh zhurmë dhe baltë në një ambient ku ka nevojë për fakte dhe emra.
 
Si i komentoni qëndrimet e znj.Dade e znj.Hafizit?

Është mendimi i tyre i lirë.
 
Para disa muajsh, më vjen ndërmend një gjest i juaji, kur përdornit kufjet kur fliste z.Berisha. S'e keni bërë më. Për kë do ta bënit tjetër këtë veprim, përveç z.Berisha?
Për askënd tjetër s'do ta bëja këtë gjest në Parlament. E kam bërë kur flet z.Berisha se është një zhurmë, baltë, lumë shpifjesh, një neveri që mendoj se nuk ka pse ta pësojë asnjë njeri, asnjë shqiptarë dhe asnjë person atje. Kthehet e thotë jeni kriminelë, le të na denoncojë nëse ka prova e fakte. S'ndjehem as kriminele e as të kem bërë ndonjë gjë të keqe. Ka qenë President e Kryeministër e si takon të flasë ashtu siç flet në Kuvend. Propozimi im është që të gjithë deputetët të venë kufje kur ai flet. Të mazhorancës po se po, por edhe ata të të djathtës, të vënë kufjet kur flet Berisha. 


Redaksia online
(S.M/L.Q/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

'Në dokumentet e vetë Ministrisë së Mbrojtjes, që në shkurt 2002, doli në ballë të mashtrimeve për datën e çlirimit, 28 nëntori ‘44, figuron si datë e çlirimit të Shqipërisë'/ Polemika e historianit të njohur

'Në dokumentet e vetë Ministrisë së Mbrojtjes, që në shkurt 2002, doli në ballë të mashtrimeve për datën e çlirimit, 28 nëntori ‘44, figuron si datë e çlirimit të Shqipërisë'/ Polemika e historianit të njohur