
Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC), AËEN dhe shoqëri të tjera civile mbajtën ditën e sotme një konferencë të përbashkët për shtyp lidhur me miratimin e Ligjit për Barazinë Gjinore nga Kuvendi i Shqipërisë.
Sipas aktivistëve ky ligj mishëron parimin themelor të demokracisë sonë: se çdo person, pavarësisht gjinisë, aftësisë, moshës, racës, etnisë, identitetit gjinor, orientimit seksual, prejardhjes, statusit social dhe çdo karakteristike tjetër identitare, ka të drejtë të jetojë me dinjitet dhe në barazi të plotë, jo vetëm përpara ligjit, por edhe përpara mundësive të barabarta.
Deklarata e plotë:
Ligji "Për Barazinë Gjinore" është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me të drejtën e Bashkimit Evropian (acquis) në kuadër të procesit euro-integrues dhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për Shqipërinë, duke përfshirë instrumenta themelore të të drejtave të njeriut të sistemit të Këshillit të Europës dhe Kombeve të Bashkuara, korpus juridik i nënshkruar dhe ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 5, 17, 116 dhe 122 të Kushtetutës shqiptare gjatë 35 viteve të fundit.
Ligji i ri "Për Barazinë Gjinore" përfaqëson një reformë strukturore ligjore, social- ekonomike dhe kulturore për të gjithë shoqërinë, që e përafron Shqipërinë me standardet ligjore dhe vlerat e Bashkimit Europian. Ky ligj përfshin një sërë dispozitash që garantojnë të drejta e mundësi të barabarta për zhvillim për të gjithë qytetarët, duke përfshirë grate dhe vajzat, personat me aftësi të kufizuara, komunitet rome dhe egjiptiane dhe personat LGBTIQ+.
Në vijim të kësaj deklarate, theksojmë disa nga risitë e ligjit:
1. Për herë të parë, ligji "Për Barazinë Gjinore"njeh punën e papaguar si kontribut për zhvillimin e familjes dhe të shoqërisë, duke përfshirë kujdesin për fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe punën bujqësore në ekonomitë familjare. Ky është një hap i madh përpara në vlerësimin real të kontributit të të gjitha grave, sidomos atyre rurale dhe punës së tyre shpesh të padukshme.
2. Ligji i ri për Barazinë Gjinore është një premtim ligjor që asnjë grua e burrë, asnjë nënë e baba, asnjë kujdestare dhe kujdestar nuk do të mbetet më jashtë politikave të punës, shëndetit, arsimit dhe mbështetjes sociale. Bazuar në këtë ligji, shteti shqiptar ka detyrim ligjor të zhvillojë politika për të siguruar një balancë më të mirë mes punës dhe jetës private, për eliminimin e hendekut gjinor në paga dhe për promovimin e ndarjes së barabartë të përgjegjësive mes grave dhe burrave për kujdesin për familjen.
3. Një kapitull i veçantë i ligjit trajton barazinë gjinore në bujqësi dhe zhvillimin rural, duke njohur rolin e grave në bujqësi dhe duke garantuar akses në kredi, programe mbështetëse e shërbime bazë në zonat rurale.
4. Ligji parashikon masa të qarta kundër diskriminimit në vendin e punës, duke garantuar pagë të barabartë për punë me vlerë të barabartë, mbrojtje të grave
shtatzëna dhe prindërve të rinj, ndalim të ngacmimit seksual dhe detyrimin e çdo punëdhënësi,publik ose privat, për të hartuar rregullore të brendshme për
parandalimin e dhunës dhe ngacmimeve në vendin e punës. Miratimi i këtij ligji është një fitore për çdo grua, vajzë, punëtore në fabrikat e tekstileve, infermiere, mësuese, punonjëse pastrimi apo bujqësie, që meriton siguri, respekt dhe kushte të drejta e të barabarta pune.
5. Ky ligj, në nenin 12 të tij, detyron institucionet publike të zbatojnë buxhetimin e përgjigjshëm gjinor, duke garantuar që burimet publike të shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe transparente, sipas nevojave reale të të gjithë grave dhe burrave. Në të njëjtën linjë, neni 11 kërkon që çdo projektligj shqiptar të shoqërohet me vlerësimin e ndikimit gjinor, duke e bërë Shqipërinë një ndër vendet e para në Ballkanin Perëndimor që institucionalizon këtë praktikë të mirë ndërkombëtare.
6. Ligji i ri për Barazinë Gjinore, nëpërmjet nenit 10 të tij, detyron institucionet, shkollat, median dhe çdo subjekt publik e privat të përdorë gjuhë me ndjeshmëri gjinore dhe gjithëpërfshirëse, si mjet për të ndalur stereotipet, diskriminimin dhe seksizmin në hapësirën publike. Ky është një hap i domosdoshëm për të përmirësuar komunikimin institucional dhe publik në Shqipëri, larg steriotipeve të dëmshme gjinore dhe gjuhës seksiste, për t'u bërë një shoqëri me vlera, standarte dhe kulturë të Bashkimit Europian, ku barazia fillon nga komunikimi dhe respekti i dinjitetit njerëzor.
7. Përmes miratimit të ligjit "Për Barazinë Gjinore", Shqipëria forcon zbatimin e parimit të mosdiskriminimit, duke përfshirë qartë identitetin gjinor, shprehjen gjinore dhe orientimin seksual si pjesë të mbrojtjes ligjore kundër diskriminimit dhe pabarazisë me bazë gjinore. Ky aspekt shënon një hap të rëndësishëm drejt një Shqipërie që respekton dhe mbron të drejtat e njeriut pa kompromis, si një vend që qëndron me dinjitet në rrugëtimin e tij për t'u anëtarësuar në Bashkimit Europian si një shoqëri më e hapur, më e drejtë dhe më përfshirëse.
8. Ky ligj vendos theksin te edukimin gjinor si pjesë e detyrueshme e kurrikulave shkollore dhe të arsimit profesional, duke synuar formimin e brezave më të edukuar ndaj barazisë gjinore dhe rëndësisë së eliminimit të stereotipeve gjinore, duke kontribuar në ndërtimin e një kulture respekti, barazie dhe dinjiteti që nga moshat e hershme.
9. Garantimi i barazisë gjinore në teknologjitë e informacionit, në media dhe në komunikimin publik, duke përforcuar kuadrin mbrojtës ndaj gjuhës së urrejtjes, përmbajtjeve seksiste dhe diskriminimit në hapësirat online dhe në mediat tradicionale, përfaqëson një tjetër pikë të fortë të këtij ligji
10. Së fundi, ligji përcakton mekanizma të qartë për monitorim dhe përgjegjësi, përfshirë masa disiplinore dhe gjoba për shkeljet, si dhe të drejtën e çdo individi për kompensim dhe mbrojtje gjyqësore kur cënohet parimi i trajtimit të barabartë. Ligji shqiptar "Për barazinë gjinore" është, mes të tjerash, edhe fryt i viteve të përpjekjeve të pandalshme të shoqërisë civile, aktivistëve, organizatave të grave dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut, të cilët kanë luftuar për një sistem që e sheh barazinë gjinore jo si privilegj, por si e drejtë themelore dhe shtyllë të zhvillimit demokratik, si një detyrim bazë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky ligj është një fitore për të gjithë shoqërinë shqiptare, është një fitore për të gjithë ata që besojnë në një Shqipëri më të drejtë, më barazimtare dhe më humane. Është një fitore për punëtorët dhe punëtoret, për prindërit që kërkojnë mbështetje, për të rinjtë që duan mundësi të barabarta, për gratë në fshat dhe qytet, për personat me aftësi të kufizuara dhe për komunitetet që kërkojnë respekt, njohje ligjore dhe përfshirje. komunitet.
Miratimi i këtij ligji është një fitore, por zbatimi i tij do të jetë sfida jonë e përbashkët. Institucionet duhet të sigurojnë që ai të zbatohet në çdo nivel,në punë, në arsim, në shërbime sociale, në vendimmarrje dhe në Ne, mbrojtësit dhe mbrojtëset e të drejtave të njeriut, riafirmojmë përkushtimin tonë për të mbetur zëri i njerëzve që shpesh nuk dëgjohen, si dhe për të punuar së bashku me institucionet publike e private shqiptare, me partnerët ndërkombëtarë dhe komunitetet në terren që ky ligj të kthehet në jetë, në veprim dhe në ndryshim të prekshëm.
Lajmi kryesor:
OKB përshëndet ligjin për barazinë gjinore! PS: S’ka gjini të re, por burrë e grua! PD-PL: Komplot familjes












