Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë  Tedi Blushi , gjatë një konference për shtyp, dënoi miratimin e ligjit për barazinë gjinore nga Kuvendi, duke e cilësuar atë si akt antikushtetues dhe anti-kombëtar.

Ai theksoi se ligji, sipas partisë, synon shpërbërjen e familjes shqiptare. Partia e Lirisë e konsideron këtë akt si një kërcënim për identitetin, kulturën dhe traditat e vendit.

Po ashtu, Blushi u bë thirrje për mbrojtjen e vlerave familjare dhe ndërgjegjes qytetare kundër këtij ligji. Blushi hodhi akuza se ligji është i imponuar nga George Soros.

"Miratimi i këtij ligji, i imponuar nga Xhorxh Sorros dhe mafia ndërkombëtare është në fakt vijim i axhendës antikombëtare për shpopullimin dhe shndërrimin e Shqipërisë në një fermë të surrogacisë. Qëllimi i vetëm i këtij ligji është shpërbërja e familjes shqiptare, shkatërrimi i shoqërisë dhe kombit shqiptar dhe promovimi i degjenerimit i vesit dhe i kaosit si vlera morale. Të sulmosh familjen me ligj, do të thotë të sulmosh Kombin, identitetin, historinë, traditat dhe kulturën. Shpërbërja e familjes nuk është moderne, por është thjesht dhe vetëm një shkatërrim.  Është padrejtësi dhe krimi më i rëndë që ky Parlament ka bërë ndaj brezave të ardhshëm”, tha Blushi.

Blushi pretendon se ligji fshin nocionet e burrit dhe gruas.

“Ligji i miratuar nga 77 deputetët surrogato të Parlamentit,  zëvendëson fjalët e shenjta nënë dhe baba me disa terma të ftohtë dhe të pakuptueshëm,  si dhe fshin nocionet e burrit dhe gruas për ti zëvendësuar ato me konstrukte të paqarta të shpikura sipas interesave të një pakice globaliste që kërkon të transformojë vendin tonë pa pyetur për identitet, histori, kulture, vlera dhe pa pyetur as për ata që besojnë në zot.

Barazia gjinore apo liria nuk do të thotë të zhdukësh me ligj dinjitetin e nënës dhe të babait dhe të çnjohësh natyrën e burrit dhe të gruas. Sepse ne besojmë se fuqia e vërtetë e një Kombi vjen pikërisht nga mbrojtja e vlerave të përjetshme dhe se familja është themeli i parë ku lind dhe ku qëndron forca e një Kombi”, tha Blushi.  


Lajmi kryesor:

OKB përshëndet ligjin për barazinë gjinore! PS: S’ka gjini të re, por burrë e grua! PD-PL: Komplot familjes