"Ligji për turizmin detar nuk përmban fjalë shqip", Ilir Beqaj i përgjigjet Metës: Po përpiqeni të komprementoni procesin ligjhartues

Pak ditë më parë, Presidenti i Republikës Ilir Meta ktheu për shqyrtim ligjin për aktivitetet e turizmit detar, ku veç arsyetimeve të tjera thotë se ky ligj përmban terma dhe fjalë që nuk janë në gjuhën shqipe duke bërë që sipas tij këto çështje të paraqesin probleme të një niveli kushtetues.

Për këtë, Presidentit Ilir Meta i është përgjigjur deputeti Ilir Beqaj, i cili thotë se për disa fjalë jemi të detyruar t'i përdorim ashtu siç ka vendosur shkenca dhe jo siç do politika.

"Zoti President! Duke ju kërkuar ndjesë publike në vijim të kësaj fjale do t’ju drejtohem me emër dhe jo me titull. Duke qenë se “President” nuk është fjalë me origjinë shqipe, druhem se mos lëndoheni.

Zoti Meta, unë kam luajtur sport disa vite. Edhe ju jeni marrë me sport. Fjala “sport” nuk është fjalë shqipe. Por ja që kështu i thonë në anglisht, italisht, frëngjisht, spanjsht, serbo-kroatisht, greqisht, turqisht. Si ta bëjnë të gjithë ata vajza e djem që merren me sport?

Unë kam luajtur basketboll. Serbët i thonë “kosharka”, italianët “palacanestro”, grekët “kallathosferisi”. A ti themi edhe ne shqiptarët “top e shportë”? A të themi se Agim Fagu është sportisti më i famshëm shqiptar i “top e shportë”. Mundet. Por këtë nuk e vendos politika, por shkenca.

Zoti Meta,

Së fundmi ju keni shfaqur publikisht simpatinë për një skuadër të huaj futbolli. Futbollit në serbisht i thonë “nogomet”, në greqisht i thonë “podhosferi”. Po të shqipërosh, në të dy gjuhët do të thotë “top e këmbë”. A t’i themi edhe ne shqiptarët kështu? A të themi se Loro Boriçi është sportisti shqiptar më i famshëm i “top e këmbë”? A të themi se presidenti i Shqipërisë është simpatizant i skuadrës së “top e këmbë” të Sëlltik-ut? Mundet. Por këtë nuk e vendos politika, por shkenca.

Zoti Meta,

Ju keni dyshime nëse duhet të thuhet “surf” apo “sërf”. Mund të keni të drejtë, por kjo nuk është çështje e politikës.

A duhet të themi ne “presidenti Klinton” apo “presidenti “Clinton”?

A duhet të themi “kryeministri Xhonson” apo “kryeministri Johson”?

A duhet të themi ne “presidenti Makron” apo “presidenti Macron”?

A duhet të themi “Selltik” apo “Celtic”?

Është çështje e shkencës. Ju, më së pari, duhet të përpiqeni që politika të rrijë larg shkencës. Më së pari, ju duhet të ushtroni edhe kompetencat tuaja e t’i kërkoni Akademisë së Shkencave të bëjë detyrën e saj.

Zoti Meta,

Së fundmi, krejt haptazi, ju po përpiqeni të komprementoni procesin ligjhartues në Shqipëri. Ju nuk mund të jeni njësi kodifikimi. Mesa duket rregullimi i kompetencave të presidentit të Republikës me një ligj të veçantë është bërë domosdoshmëri. Do t’i kërkoj grupit tim parlamentar ta shohë me përparësi në programin e punës së Kuvendit në sesionin që do të çelet në shtator. Ai ligj le të hyjë në fuqi në shtator 2022 kur të ketë filluar mandati i presidentit të ardhshëm të Republikës.

Zoti Meta,

Politika shqiptare e 30 viteve të fundit i ka shumë borxhe Shqipërisë dhe shqiptarëve. Një nga borxhet më të mëdha është mosshfrytëzimi sa e si duhet i detit. Më së shumti kemi shfrytëzuar bregdetin, edhe atë barbarisht në jo pak raste. Detin ia kemi lënë botës së paligjshmërisë. Është mëkat të shohësh gjirin e Vlorës sot bosh. Para 30 vitesh e ndalonte shteti. Po sot kush e ndalon?

Zoti Meta,

Ju keni 30 vite në politikë aktive. Unë kam 11 vite. Por edhe 11 nuk janë pak. Sot unë u kërkoj ndjesë publikisht shqiptarëve që, deri më sot, nuk kam mundur të ndikoj në zhvillimin e industrisë së detit dhe të përshëndes qeverinë për ligjet e përpiluara së fundmi. Me votimin kundër dekretit tuaj sot, të paktën mbështes fillesat e ngritjes së industrisë së detit në Shqipëri.

Edhe vajzës sime më duhet t’I kërkoj ndjesë. Një nga stërgjyshët e saj është ulqinak. Ulqinakët i kanë rënë detit kryq e tërthor nga lashtësia deri në vitet 30-të të shekullit të kaluar.

Zoti Meta,

“Surf” i thonë edhe italianët, edhe francezët, edhe grekët. Megjithatë, nëse ju do të mund të gjeni një mënyrë që të na tregoni se kush mund të ishte fjala e duhur shqipe në vend të “surf”, unë mund të marr në konsideratë të thyej vendimin e grupit e të mbështes dekretin tuaj", ka thënë Ilir Beqaj gjatë fjalës së tij sot në Kuvend.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ilir bajga: 18/06/2020 20:12

    O like floriri përpëlitu si pula kur i presin kokën po nuk ke nga shkon se burgut si shpëton o bajg e ndyr në ktë bot paguhen të gjitha o like bajga e ndyr.

    Përgjigju
    • O tej: 18/06/2020 22:12

      Ilir HAJDUTI

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb