Dy kongresistë amerikanë, republikani Joe Wilson dhe demokrati Bill Keating, kanë rritur presionin ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiç, duke paraqitur një projektligj që parashikon sanksione dhe ndalime vizash për individët që minojnë proceset demokratike, paqen, stabilitetin dhe integritetin territorial në Ballkanin Perëndimor.
Wilson dhe Keating, anëtarë të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, kërkojnë që Serbia të bëjë përparim në luftën kundër korrupsionit, reformën në sundimin e ligjit dhe të shkëputë lidhjet me Rusinë, Kinën dhe Iranin.
“Gjatë presidencës së Vuçiç, Serbia është larguar qëllimisht nga sundimi i ligjit dhe është afruar me armiqtë e lirisë si Vladimir Putin, Partia Komuniste Kineze dhe regjimi terrorist në Teheran. Pavarësisht protestave të gjera kundër korrupsionit, qeveria e Vuçiç kërcënon të destabilizojë rajonin dhe më gjerë. Populli i Serbisë meriton më mirë”, deklaroi Wilson për The Hill.
Edhe Keating tha se projektligji përcakton qartë se Vuçiç dhe zyrtarët e tjerë serbë duhet të bëjnë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe të kufizojnë ndikimin e Iranit, Rusisë dhe Kinës.
“Demokracia, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit duhet të mbeten shtyllat kryesore të marrëdhënieve SHBA-Serbi”, u shpreh ai.
Projektligji mbështet protestat studentore kundër korrupsionit në Serbi, kërkon hetim dhe përgjegjësi për tragjedinë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku në nëntor 2024 humbën jetën 16 persona, si edhe shpreh shqetësim për përdorimin e forcës ndaj protestuesve.
Nisma vjen në prag të zgjedhjeve të paralajmëruara në Serbi. Vuçiç ka njoftuar se zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale mund të mbahen më 18 ose 25 tetor, ndërsa projektligji kërkon që SHBA të ngrejë me Beogradin çështjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, reformës në drejtësi, lirisë së medias dhe të drejtës së tubimit.










Komente
Komento