Hasan Lika nuk do të jetë më trajner i Vllaznisë. Për arsye personale ai është larguar nga shkodranët të cilët këtë sezon militojnë në Kategorinë e Parë. Sipas njoftimit të Vllaznisë, Lika ka kërkuar të largohet jashtë shtetit dhe klubi nuk ka dashur të bëhet pengesë. Së shpejti pritet që Vllaznia të emërojë edhe trajnerin e ri që pritet të marrë drejtimin e skuadrës.
Aktualisht Vllaznia kryeson Grupin A në Kategorinë e Parë me 44 pikë, 12 më shumë se Erzeni ndjekës.
Njoftimi i klubit të Vllaznisë:
KF Vllaznia bën të ditur se që nga dita e sotme Hasan Lika nuk do të jetë më trajner i ekipit të parë. Me kërkesën e vetë trajnerit, kontrata dypalëshe është ndërprerë për aryse se z.Lika bashkë me familjen e tij pas pak ditësh do të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të jetuar atje tashmë. Në këtë mënyrë, KF Vllaznia duke parë ecurinë e mirë të skuadrës e cila ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt arritjes së objektivit, vendosi që të mos e pengojë për të ardhmen e tij.
KF Vllaznia e falenderon z.Lika për kontributin e tij në krye të skuadrës gjatë kësaj periudhe duke marrë parasysh momentin e vështirë kur e mori drejtimin e saj, megjithatë falë punës së tij dhe të futbollistëve, ekipi tashmë është shumë pranë arritjes së objektivit, daljes në Superligë.
Brenda një periudhë shumë të shkurtër, KF Vllaznia do të bëjë publik edhe emrin e trajnerit të ri që do të angazhohet për drejtimin e skuadrës së parë deri në fund të sezonit.
KF VLLAZNIA