Nesër do të zhvillohet ndeshja e dytë dhe e fundit gjysmëfinale mes Holandës dhe Argjentinës në orën 22:00. Dy ekipet janë duke studiuar me kujdes skemat e njëra tjetrës pak orë para fillimit të sfidës tjetër të madhe që do të zhvillohet në këtë kampionat botëror. Angel Di Maria do të mungojë në ndeshjen gjysmëfinale të Kampionatit Botëror kundër Holandës ka bërë të ditur mjeku i ekipit të Argjentinës. 26-vjeçari u lëndua në takimin çerekfinale kundër Belgjikës.

Por trajneri i Argjentinës, Sabella ka marrë një lajm të mirë, pasi do të ketë në dispozicion sulmuesin Aguero, i cili është rikuperuar plotësisht dhe pritet që të jetë në fushë nga minuta e parë ndaj Holandës.

Në kampin tjetër surpriza e Van Gal do të jetë De Jong, i cili po ashtu si edhe Aguero është riaftësuar nga dëmtimi. Ndërsa një ditë para ndeshjes ka folur për mediat edhe sulmuesi argjentinas, Messi. “Një finale Argjentinë – Brazil do të ishte dëshira e çdo amerikani këtu në jug, do të ishte një ndeshje me plot pasion dhe motivim shtesë për lojtarët për ta fituar këtë ndeshje. Të luash në finale latine në ‘Marakana’ do të ishte një ëndërr, por se pari ne duhet ta arrijmë finalen. Holanda ka një ekip të fortë fizikisht që nëse u lë hapësira janë shumë të rrezikshëm. Duhet të luajmë të gjithë në grup për të arritur qëllimin tonë” tha ai.  

Ndërsa mbrojtësi argjentinas Mascherano i trembet sulmuesit holandez. “Ne e dimë se po luajmë me një skuadër e cila ka kundërsulmin më të shpejt dhe sulmuesit më të shpejtë në këtë Botëror. Po përballemi me një skuadër që ka përvojë dhe janë shumë të uritur të fitojnë këtë trofe pasi që humbën në finalen e Botërorit të kaluar. Megjithatë besoj plotësisht, ashtu sikur i gjithë ekipi që do të jemi ne që do të shkojmë në finalen e madhe” tha ai. Ndërsa sfida është komentuar edhe nga legjenda e futbollit holandez, Cruyff. “Është një mëkat të shohësh kombëtare si Brazili dhe Argjentina që vënë shumë pak në përdorim talentin e madh që kanë. Kështu që për bukurinë e futbollit shpresoj që në gjysmëfinalen mes Brazilit dhe Gjermanisë të fitojnë ‘pancerat’” deklaroi ai.

d.b/shqiptarja.com