Ujërat e liqenit të Fierzës ashtu siç ndodh në çdo sezon pranvere e vjeshte, sërish këtë vit është ndotur masivisht, nga mbetje urbane, spitalore, plastike apo edhe të tjera. Rritja e nivelit të yjërave në liqenin e Fierzës ka risjellë ndotjen e basenit më të madh ujor në vend, ku tonelata mbeturinash janë depozituar në sipërfaqen e liqenit. Është e njëjta ndotje masive si në periudha të mëparshme, e shkaktuar nga mbeturinat që transportohen nga rrjedha e lumenjve nga Kosova e Maqedonia. Fotografitë që shihni i përkasin brigjeve të këtij liqeni që lag nga të katër anët qytetin e Kukësit, por edhe disa njësi administrative të tij, ndërkohë që ujërat që grumbullohen në të, vijnë nga zonat e Kosovës e Maqedonisë.

Mesa duket nuk kanë marrë asnjë masë për parandalimin e kësaj katastrofe ekologjike. Ndonëse vit pas viti, në këto ujëra janë realizuar dhjetra aksione, ku janë pastruar qindra metra brigje, sërish mbeturinat janë të pranishme, duke rrezikuar seriozisht jo vetëm florën dhe faunën e këtij liqeni, por edhe banorët të cilët gjatë sezonit të verës i shfrytëzojnë këto ujëra për plazh. Fierza ndodhet në kuoten maksimale te saj.