Megjithëse ka shënuar një rënie të lehtë në ditët e fundit, Liqeni i Fierzës vijon të mbetet pranë kuotës së tij maksimale prej 296 metrash mbi nivelin e detit, duke regjistruar një nga nivelet më të larta të viteve të fundit për këtë periudhë të fundpranverës.
Situata e favorshme hidrologjike gjatë pesëmujorit të parë të vitit ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e prurjeve në basenin më të madh ujëmbledhës të vendit. Sipas të dhënave, gjatë muajve të fundit, veçanërisht në periudhat me reshje intensive, prurjet në Liqenin e Fierzës kanë kaluar në disa raste mbi 500 metra kub ujë në sekondë.
Aktualisht, niveli i liqenit është 295.88 metra mbi nivelin e detit, duke siguruar rezerva të konsiderueshme ujore për sistemin energjetik shqiptar. Kjo situatë krijon kushte të favorshme për përballimin e kërkesës për energji gjatë muajve të verës.
Në Hidrocentralin e Fierzës po punohet aktualisht në punë me dy turbina me fuqi aktive prej 240 megavatësh. Operimi i tyre mundëson furnizimin normal të konsumatorëve vendas me energji elektrike, njëkohësisht duke garantuar menaxhimin e kujdesshëm të rezervave ujore.
Rezervat e krijuara në Fierzë sigurojnë gjithashtu funksionimin me kapacitet të lartë të të gjithë Kaskadës së Drinit, ku përfshihen hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës.
Pas një periudhe me reshje të bollshme dhe prurje të larta, sistemi hidroenergjetik shqiptar hyn në sezonin veror me një situatë të qëndrueshme, duke ofruar më shumë siguri për prodhimin vendas të energjisë elektrike dhe përballimin e nevojave të konsumit në vend.
Të dhënat sipas HEC- Fierzë
Data: 17.06.2026
Niveli: 295.88 m
Fuqia aktive: 240 MW
Agregat ne pune: 2
Komente







