Liqeni i Shkodrës është shpallur Rezervë Biosfere e UNESCO-s, një vlerësim ndërkombëtar për një nga pasuritë më të mëdha natyrore që kemi.

Lajmin e dha kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Liqeni i Shkodrës është shpallur Rezervë Biosfere e UNESCO-s, një vlerësim ndërkombëtar për një nga pasuritë më të mëdha natyrore që kemi.

Ky është një moment krenarie për Shkodrën, për komunitetet që jetojnë pranë liqenit dhe për potencialin e jashtëzakonshëm që ky territor mbart për turizmin, ekonominë lokale, zhvillimin e rajonit dhe rritjen e mirëqenies .

Liqeni i Shkodrës nuk është vetëm një pasuri natyrore. Është identitet, histori dhe një nga asetet më të çmuara të Shkodrës”, shkroi Benet Beci.

I ndarë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, Liqeni i Shkodrës konsiderohet liqeni më i madh në Gadishullin e Ballkanit dhe një nga zonat më të rëndësishme për biodiversitetin në Evropën Juglindore.

 Ekosistemi i tij strehon qindra lloje shpendësh, peshqish dhe specie të tjera të florës e faunës, përfshirë edhe organizma të rrallë apo të rrezikuar.