Lirak, tani je i lirë…

Lirak, tani je i lirë…
Në fund të vitit 2010, një grup ish të dënuarish politikë erdhën te redaksia e gazetës “Shekulli” ku punoja atëherë. Me ndrojtje dhe me mosbesim
kërkuan që të botonin një shkrim me kërkesat e tyre dhe intervistat që donin të bënin, për të kërkuar të drejtat e tyre. Mbaj mend që ishte Bedri Blloshmi, i palodhur për të kërkuar drejtësinë për vëllanë Vilson Blloshmin dhe këshëririn Genc Leka që ishin pushkatuar për poezitë e tyre. Aty njoha edhe Skënder Tufën, këtë burrë të shkurtër dhe energjik që sot është bërë zëdhënës i ish-të dënuarve politikë. Kërkesa e tyre ishte e qartë: donin të protestonin dhe kishin gjetur ditët e zhurmshme, kur Tirana ishte mbytur me parrulla që tregonin gjithë destinacionet e kryeqyteteve të Europës, me kilometrat që i ndanin nga Tirana dhe qeveria po bënte fushatën reklamative për heqjen e vizave me zonën Shengen. Të përndjekurit dhanë lajmin që do një gazetë: do të shkonin dhe do të bënin grevë urie përballë selisë së BE-së, atje do të lidheshin me zinxhirë për të treguar se në Shqipëri ende ishin të burgosur, sepse ende nuk kishin marrë dëmshpërblimet. Në 15 dhjetor 2010 Shqipëria ishte vendi tjetër i Ballkanit Perëndimor të cilit, iu lejua lëvizja e lirë me vendet e BE-së. U tregova skepticizmin tim të burgosurve të ndërgjegjes, por ata ngulën këmbë se ashtu do të bënin.
Por nuk e bënë. Nuk shkuan në Bruksel, edhe pse pas 15 dhjetorit 2010, nuk mbeti shqiptar, me kuç e me maç pa dalë jashtë vendit për në shtetet e BE, me apo pa lekë në xhep, me flettë gjakmarrje false, apo euro të marra borxh.

Kur Skënder Tufa erdhi sërish pas disa muajsh po te redaksia e “Shekullit” për të bërë një shkrim për dëmshpërblimet, ia thashë me shumë trishtim se isha i zhgënjyer, sepse nuk e kishin mbajtur fjalën për të bërë protestë në Bruksel, duke na bërë të botonim një lajm të pavërtetë. Tufa i zënë ligsht, u justifikua se nuk kishin arritur të mblidhnin lekët për të udhëtuar drejt kryeqytetit belg. Por kishin edhe merakun tjetër: Po sikur greva e tyre e urisë përballë selisë së BE-së, të penalizonte lëvizjen e lirë të shtetasve të tjerë shqiptarë. Me këtë u binda dhe botova letrën e shoqatës që përfaqësonte Tufa dhe që shprehte shqetësimin se rrengjet e qeverisë me afatet kohore të dëmshpërblimit të të përdjekurve, po e shtynte marrjen e lekëve në kalendat greke, se ata që do të mund të gëzonin paratë, nëse mund të quhen të tilla këstet që ka ndarë qeveria në 8 vite, nuk do të ishin më në këtë botë..

Lirak Bejkon e njoha shumë muaj më vonë, ditën kur ai dhe Gjergj Ndreca, bënë protestën e parë publike ndaj rregjimit komunist që është sërish në pushtet në Shqipëri. Nëpërmjet bijve të etërve. Ishin ata të dy që qëlluan Ilir Rusmajlin, për të cilin ata e thanë troç se nuk nuk mund të jetë ai deputeti i partisë që rrëzoi komunizmin, sepse i ati, ishte njëri nga hierarkët e nomenklaturës komuniste. Lirak Bejko ishte një burrë i ri. Me shumë probleme familjare, me dy fëmijë, i divorcuar dhe me vite burgu në shpinë, si shumë prej shokëve të tij të idealit, ai nuk ishte pjesë e “jona”. Jo se nuk donte, por se s’mundte. Nëse vërtet do të ishte trafikant droge, siç tha kryeministri Berisha, dy javë para se të ndërronte jetë, sot do na shihte me qesëndi majë një fuoristrade, nën shoqërinë e ndonjë ministri, duke bërë koperturën për biznese të fëlliqura, duke fituar tendera dhe duke përfaqësuar NIPT-te ndërmarrjesh të fuqishme që rregjistrohen Brenda ditës në QKR. Por ishte thjesht një fatkeq, si Gjergj Ndreca, Agim Kollçaku, e dhjetra të tjerë që sot kanë një mision fisnik: të lypin lekë borxh për të bërë ceremoninë e varrimit të shokut të tyre të ndjerë.

Liraku dhe të tjerë ishin fatkeqë, sepse prej 22 vitesh votuan partinë që sot djegë për një ditë flamurësh aq lekë sa duhet për të ribërë ceremonitë e Sharrës dhe të Shish-Tufinës bashkë dhe këtë e bëjnë jo në emër të antikomunizmit, por në emër të partisë-shtet.

Liraku u dogj publikisht, apeloi publikisht që askush prej shokëve të tij të mos vetëflijohej, sepse “oh sa djeg mishi që piqet si ne hell”. Dhe mbylli sytë dje, për të qenë i lirë prej këtij vendi që nuk e deshi jashtë burgut as dje në komunizëm, as sot në demokraci.

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Protesta e opozitës më 26 Nëntor/ PD publikon 5 rrugët dhe pikat që do bllokojë në Tiranë! Ja ndarja e deputeteve

Protesta e opozitës më 26 Nëntor/ PD publikon 5 rrugët dhe pikat që do bllokojë në Tiranë! Ja ndarja e deputeteve