TIRANE - Një ditë pas ndalimit nga policia e kryeqytetit Perikli Shqevi fiton lirinë me kusht. Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës ka vlerësuar si të ligjshëm ndalimin në flagrancë të Shqevit, ndërsa ka vendosur që për të të mbetet në fuqi masa e sigurisë e dhënë pak kohë më parë nga e njëjta Gjykatë, arrest shtëpie.

Shqevi u ndalua nga uniformat blu të kryeqytetit, pasi në mënyrë të përsëritur ka shkelur masën e sigurisë arrest shtëpie, masë kjo e dhënë pasi Shqevi është person në hetim dhe i dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme ndaj ish-bashkëvuajtësit të tij Gjergj Ndreca. Më 8 tetor grevisti Gjergj Ndreca ndërmori aktin e parë të vetëdjegies. Dy ditë më pas i njëjti akt u përsërit edhe nga Lirak Bejko.

Perikli Shqevi ishte pjesë e 24 ish-të përndjekurve politikë të cilët më 22 shtator 2012 nisën një grevë urie në çadrat e vendosura në ambient të hapur pranë zonës së “Komunës së Parisit”, në Tiranë. Të indinjuar nga indiferenca e qeverisë e cila nuk pranonte të ulej në bisedime pë plotësimin e kërkesave të tyre. Greva mori fund më 22 tetor.

Çdo ditë e kësaj greve u shoqërua me tensione, presione të forta psikologjike deri dhe në arrestime. Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve dhe organizatave të ndryshme për të drejtat e njeriut e opozitës për të dialoguar, Kryeministri iu përgjigj me heshtje duke e quajtur grevën, sipas tij politike pas së cilës fshihej Partia Socialiste. Madje në deklaratat e herëparhershme etiketonte ish të burgosurit politikë në grevë si kriminelë, apo bixhozxhinj.

Redaksia online
(ar/eç/shqiptarja.com)