Për Bashkimin Evropian, konsultimet e gjëra publike nuk janë të negociueshme për Shqipërinë, kur vjen puna tek kalimi në parlament i ligjeve dhe akteve që lidhen edhe me integrimin. Duke folur në një tryezë për lirinë e medias, ambasadori i BE-së Silvio Gonzato tha gjithashtu që autoritetet vendase duhet të bëjnë më shumë për të përfshirë rekomandimet e shoqërisë civile në aktet ligjore, specifikisht kur flitet për sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias.

Një sërë ndryshimesh ligjore në parlament po paraqiten si nisma deputetësh duke bërë që të anashkalohet detyrimi për konsultime publike. Ndërsa në ndryshimet e rregullores së propozuar nga socialistët, ligjet që lidhen me procesin e bisedimeve për në BE, aktualisht të përjashtuara nga miratimi i tyre me procedurë të përshpejtuar, do t’i nënshtrohen vetëm kësaj procedure. Për pasojë ato nuk do të mund të jenë objekt i një konsultimi publik.

“Në këtë kontekst, konsultimi nuk është element aspak i negociueshëm. Është e qartë për ne dhe për qeverinë që reformat nuk mund t’ia dalin pa pjesëmarrjen gazetarëve, medias, akademisë dhe shoqërisë civile”, tha Gonzato.

Këto komente ambasadori i bëri gjatë një diskutimi për çështjen e lirisë së mediave. Kur mazhoranca parlamentare miratoi dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët në fund të janarit të këtij viti, organizatat e medias vendase dhe ndërkombëtare, e kundërshtuan, për shkak se procesi ishte bërë pa konsultime të gjera.

Qeveria e quajti një arritje për shkak se kishte implementuar një kërkesë të kahershme të institucioneve ndërkombëtare, por shoqëria civile kishte kërkuar dekriminalizim të plotë dhe jo të pjesshëm të shpifjes, e cila rregullohet me nenin 120 të kodit penal.

Ambasadori Gonzato tha se liria e medias është ndër prioritet e BE-së dhe se nuk mund të konsiderohet një çështje e mbyllur, duke nënkuptuar rrugën që ka Shqipëria në procesin e negociatave dhe që media është pikërisht tek kapitulli i parë, Themeloret!

“Loja nuk ka mbaruar, qeveria e di këtë!” tha Gonzato.

Në tryezën e diskutimit morën pjesë anëtarë të parlamentit të të dy partive kryesore dhe përfaqësues të qeverisë, që e vunë theksin tek nevoja që ka vendi që të gjithë aktorët të bashkëpunojnë në mënyrë të ngushtë që rruga drejt anëtarësimit të BE-së të bëhet më e lehtë dhe më e shpejtë!