TIRANE- Ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese zhvillohet seanca për banesat e ish-pronarëve. Shoqata e qiramarrësve ka paditur aktin normativ të qeverisë. Shoqata kërkon pezullim të përkohshëm të këtij vendimi sepse po u zbatua ka pasoja. Këshilli i Ministrave kërkon gjykim të shpejtë.

Të pranishëm në seancën e sotme ka qenë Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi. Gjithashtu të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues nga parlamenti dhe qeveria.

Qiramarrësit nga ana e tyre janë shprehur se zgjedhja e ofruar nga qeveria për strehimin tonë duke marrë kredi është diskriminuese.

Avokati e qiramarrësve, Dorian Matlija ka shpjeguar se ky akt normativ me fuqinë e ligjit, është antikushtetues sepse nuk është respektuar kushti i nevojës dhe urgjencës, dy kushte të rëndësishme për të nxjerrë një akt normativ me fuqinë e ligjit, sepse nuk jemi në kushte emergjence.

“Ky problem i trashëguar që nga viti 1993. Nga ky akt 300 familje dalin në rrugë dhe shteti duhet të gjejë një balancë sociale. Pamundësia për të shlyer kredinë i bën qiramarrësit të mos aplikojnë për kredi”, deklaroi Matlija

Ministri Olldashi i pranishëm në seancë theksoi se akti normativ i qeverisë erdhi si nevojë dhe prioritet në kushtet e Be-së, nuk ishte një befasi pasi që nga viti 2009 është bërë publik plani i kredive me interes 0. Olldashi u zotua se me këtë akt kemi zgjidhur problemin për 7400 familje të pastreha.

“Në korrik 10 familje aplikuan për kredi, në gusht 50 familje, në shtator dhe tetor 350 familje aplikuan për kredi, pra kjo tregon që akti funksionon. Politikën e kredive me suvencionim interesi ja kemi kushtuar vetëm kësaj kategorie, pra në këtë mënyrë i kemi favorizuar. Ka interes të jemi të drejtë me ish-pronarët sepse duam vetëm pronën e vet të marrë nga regjimi. E drejta e zotërimit të pronës nga i zoti qëndron mbi të drejtën e individit për strehim siç pretendojnë qiramarrësit, prandaj kërkoj që akti të mbetet në fuqi dhe të vendosim drejtësi për pronarët legjitim”, u shpreh Sokol Olldashi.

Nga ana tjetër përfaqësuese ligjore e qeverisë, Marsida Xhaferrllari theksoi se nëse nuk zbatohet akti i qeverisë dëmtohet pala e pronarëve të ligjshëm.

“Nxjerrja e këtij akti ka respektuar kushtet e nevojës dhe urgjencës. Fatura e shtetit nga vendimet e gjykatës europiane për të dëmshpërblyer pronarët e ligjshëm ndaj bëmë këtë akt”, deklaroi Xhaferrllari.

Agim Toro, kryetar i shoqatës së ish-pronarëve ka kërkuar në fillim të seancës së sotme që të bëhet palë në proces dhe të shtyhet seanca gjyqësore por Gjykata Kushtetuese ka rrezuar kërkesën e tij dhe ka vendosur vazhdimin e gjykimit mes palëve qeveri, parlament dhe shoqatën e qiramarrësve.
(eç/shqiptarja.com)