TIRANË - Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës së Gjirokastrës e cila ka vendosur masën e sigurisë detyrim paraqitje për 51-vjeçarin M.Tafilaj i cili ka dhunuar fizikisht nusen e nipit të tij të ndjerë për t’i marrë kujdestarinë e fëmijëve.

Sipas KLD-së nga verifikimi paraprak rezultoi se gjykata ka vendosur të njëjtën masë të kërkuar nga organi i akuzës dhe Në bazë të nenit 244/3 të Kodit të Procedurës Penale, gjyqtari nuk mund të caktojë një masë sigurimi më të lartë nga ajo që ka kërkuar prokurori.

Deklarata e Plotë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë
Këshilli i Lartë i Drejtësisë i vënë në dijeni nëpërmjet mediave me ngjarjen e ndodhur para pak ditëve ku 26 vjeçarja Y.T, nga Tepelena, ka qënë viktimë e dhunës së ushtruar nga shtetasi M.T., dhe me pretendimet se Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër, në mënyrë të padrejtë, ka liruar dhunuesin, ka filluar menjëherë verifikimin e rastit.
Duke mbajtur parasysh sesibilitetin e opinionit publik ndaj ngjarjeve të kësaj natyre, Inspektorati i KLD-së, si kurdoherë në punën e tij, trajtoi me shpejtësi dhe në mënyrë profesionale rastin në fjalë.

Nga verifikimi paraprak rezultoi se gjykata për shtetasin M.T. ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore”. Ky shtetas është akuzuar nga Prokuroria Gjirokastër për kryerjen e veprës penale të “Dhunës në familje”.

Në këtë rast gjyqtari i çështjes, pasi ka vlerësuar rrethanat e faktit, ka caktuar të njëjtën masë sigurimi të kërkuar nga organi i akuzës. Në bazë të nenit 244/3 të Kodit të Procedurës Penale, gjyqtari nuk mund të caktojë një masë sigurimi më të lartë nga ajo që ka kërkuar prokurori. Vendimi i dhënë nga gjyqtari nuk është kundërshtuar në gjykatat më të larta.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë me këtë rast, dëshiron të informojë se jo vetëm për çështjen në fjalë, por çdo ankesë të ardhur nga publiku i vlerëson me seriozitetin maksimal, duke verifikuar çdo rast, duke ushtruar inspektime dhe kurdoherë duke sqaruar zyrtarisht ankuesit.

Në politikën e Këshillit, bashkëpunimi me qytetarët dhe mediat konsiderohet si një ndër elementët e domosdoshëm për kontrollin e sistemit gjyqësor.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)