Skandal të drejtësisë shqiptare e ka quajtur minsitrja e Drejtësisë e Etilda Gjonaj lirimin me kusht që Gjykata e Korçës i ka dhënë Gerd Gjinararit, i dënuar me burg përjetë për vrasjen e Naim Zyberit në 1997. Gjonaj i kërkon KLGJ të nisë  procedimin për gjyqtarin Markelian Kuqo që e liroi, si dhe ka pezulluar nga detyra drejtuesit e burgut të Drenovës që i përgatitën atij dosjen e lirimit.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj doli në një konferencë për mediat, kur tha se lirimi me kusht i Gjinararit, njohur si "Gjenerali" është në shkelje me ligjin.

Ministria e Drejtësisë ka bërë një hetim paraprak ku është konstatuar se është dhënë në kundërshtim me kriteret ligjore dhe kërkesat e kodit penal për dhënien liri me kusht për një të dënuar me burgim të përjetshëm. Ministrja tha se i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe inspektoratit për të kërkuar nisjen e procedimit disiplinor për gjyqtarin, duke shprehur sigurinë se përgjigjja nga këto institucione do të jetë e shpejtë.

Ndërkohë, drejtori i Burgut është proceduar dhe janë referuar materialet pranë Prokurorisë Korcë, për veprën penale shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumenti, dhe deri në zbardhjen e ngjarjes janë të pezulluar nga detyra.

Gert Gjinarari, 45 vjeç, përfitoi lirim me kusht, në të njëjtën procedurë abuzive që shpëtoi nga dënimi përjetë edhe Dritan Dajtin, autor i vrasjës së 4 policëve. Gjinarari u dënua me burgim të përjetshëm në Itali, por me sjelljen e dosjes në Shqipëri ai kërkoi gjykim të shkurtuar, duke pranuar të gjitha aktet e akuzës, çka e çon dënimin përjetë në 25 vite burg. Një procedurë kjo e ndryshuar vitet e fundit, ku tashmë ndalohet gjykimi i shkurtuar për vepra të rënda penale, veçanërisht për vendime me burgim të përjetshëm.

Gert Gjinarari dhe Naim Zyberi

Gjykata e Korçës, kryesuar nga kryetari Markelian Kuqo ka vendosur të pranojë kërkesën e Gjinararit për lirim me kusht, një vendim i marrë më 14 shkurt të këtij viti, në ditën e "Shën Valentinit". Gert Gjinarari u ekstradua në Shqipëri në vitin 2014, ndërsa akuzohet si bashkëpunëtor me Arben Grorin në vrasjen e bujshme të Zyberit. 

Në vendim shkruhet se Gjinarari është plotësisht i rehabilituar dhe i gatshëm për tu riintegruar në shoqëri, duke argumentuar se një nga arsyet e dhënies së lirisë me kusht është edhe sjella e mirë që i dënuari ka pasur në burg, "shembullore", - theksohet në vendim.

"I dënuari paraqitet me normalizim të plotë të marrëdhënieve me trashëgimtarët e viktimave nga vepra penale", thuhet në vendim.

Vendimi i Gjykatës së Korçës për Gert Gjinararin