Në Korçë, Policia Bashkiake ka ndërmarrë një aksion në zonën e njohur si “tregu maqedonas”, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna nga bizneset. Në rast moszbatimi, ato do të përballen me gjoba.
Janë rreth 50 tregtarë që operojnë në këtë zonë dhe kanë ekspozuar mallrat, kryesisht veshje, në manekinet dhe stendat e vendosura jashtë ambienteve të dyqaneve.
Tregtarët shprehen se aksioni ka nisur pa njoftim paraprak, duke i vendosur përballë një situate të vështirë për të riorganizuar mallrat.
"Nuk na kanë njoftuar për këtë aksion. Na thënë do merrni gjoba që sot. Kjo gjë është shumë e vështirë, kam 25 vite që punoj këtu. Ku të shkoj unë tani”, tha një tregtare.
“Ne nuk e zëmë rrugën. Ne u paguajmë taksat. Këtu janë mbi 50 dyqane”, u shpreh një tregtare tjetër.
Ata kërkojnë nga Bashkia shtyrjen e afatit deri pas festes së Pashkëve, duke argumentuar se aktualisht fluksi i klientëve është më i lartë se zakonisht.
Komente









