Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu refuzoi të komentojë vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila liroi të gjithë militantët e Berishës që sulmuan me molotovë ndaj policëve, duke caktuar ndaj tyre masën detyrim paraqitjeje. Ndërsa sot mbahet protesta e radhës, Koçiu u bëri thirrje organizatorëve që të distancohen nga aktet e dhunës dhe të mos përdorin të miturit.

“Nuk dua të komentoj vendime gjykatash, s’më takon mua t’i komentoj. Çdo akt dhune është i dënueshëm. Nga çdo akt dhune do duhet të distancohemi, u bëj thirrje të distancohen. Uroj të kemi protestë paqësore, të mos kemi akte të turpshme, uroj mos të kemi dhunë ndaj policisë e hedhje të bombave molotovë, gura e fishekzjarre. Nuk është kjo mënyra, jemi për protestë paqësore, po jo protesta të dhunshme. Të shmangni përdorimin e të miturve. Organizatorët duhet te distancohen nga përdorimi i të miturve në protestë, sikundër edhe përgjegjësit ligjor të tyre që i përdorin të miturit për të kryer akte të dhunshme dhe te dënueshme. Duhet të bëjnë maksimumin për të mos përfshirë të miturit në protestë. Është gjëja me poshtër, shfrytëzimi i të miturve në protesta. Do doja të kishim edhe një ndërgjegjësim sa i përket forcave të policisë, por edhe ju si media, për të mos incentivuar, apo motivuar këdo që kërkon të krijojë incidente të dhunshme, karshi atyre që janë në shesh për të kryer detyrën e tyre”, tha ministrja.


Lajmi kryesor:

Sot protesta e Berishës/ Policia s'e merr përsipër: Kemi informacion se do të ketë akte dhune! Koçiu: Përgjegjësit do të përballen me drejtësinë