”Ujku qimen e ndëron, por zakon se harron”. Është kjo një fjalë e urtë popullore, që i shkon më së miri Sokol Mjacajt vrasësit të çiftit të turistëve nga Çekia, Anna Kosinova dhe Michael Svtaos. Kjo pasi, në vendimin e saj të dënimit me 1 vit burg gjykata e Shkodrës ka argumentuar se kjo masë e ulët dënimi jepet me qëllim riedukimi i të dënuarit në mënyrë që, pas kryerjes së dënimit, të mos ndërmarrë në të ardhmen veprime kriminale.

Po në fakt nuk ndodhi kështu, pasi Sokol Mjacaj jo vetëm që nuk është riedukuar në burg, por është kriminalizuar më tepër, ku një muaj sapo kishte lënë qelitë e burgut ai ka tentuar të vjedhë sërish, ku këtë herë në tentative vjedhje ka vrarë dhe dy turistë çekë, që ndodheshin në zonën e Dukagjinit. Ja çfarë thotë në vendimin e saj gjykata e Shkodrës:”...

Nëpërmjet këtij të fundit synohet riedukimi i të dënuarit Sokol Mjacaj në mënyrë që, pas kryerjes së dënimit, të mos ndërmarrë në të ardhmen veprime kriminale. Në përputhje me frymën e Kushtetutës, sanksioni penal i cilës do natyrë duhet të synojë vetëm riedukimin dhe më pas integrimin e të dënuarit në jetën shoqërore.

Sa mësipër Gjykata çmon se, dënimi i dhënë është në përputhje me rrezikshmërinë e veprës penale, rrethanave të kryerjes dhe rrezikshmërinë e autorit në rastin konkret. Gjithashtu, dënimi i dhënë, do t’i shërbejë të pandehurit për edukimin e tij si dhe parandalimit të përgjithshëm të këtyre veprave penale në shoqëri...”.


Grup pune në Shkodër Naço nis inspektimet e vendimeve për Sokol Mjacaj
Ministri i drejtësisë, Nasip Naço ka urdhëruar nisjen e inspektimit lidhur me vendimet gjyqësore dhënë ndaj Sokol Mjacaj, autor i vrasjes së dy turistëve nga Çekia, të premten në Dukagjin të Shkodrës. Inspektimi sipas Naços duhet të konsistojë në verifikimin e vendimeve ndaj shtetasit Mjacaj.

Naço ka kërkuar të dërgohet grupi i inspektimit në Gjykaten e Rrethit Shkodër dhe Gjykatën e Apelit Shkodër. Sokol Macaj është dënuar më parë dy herë nga Prokuroria. Në 2010 ai u dënua nga Gjykata e Apelit në Shkodër me 4 vite burg, për vrasje në bashkëpunim të një fëmije 13-vjeçar në Shkodër. Pas kryerjes së këtij dënimi, Mjacaj u dënua përsëri në 2014 me 1 vit burg pasi u akuzua për vjedhje

Mungonte daja. I pandehuri në mënyrë të fshehtë kur i dëmtuari, daja i tij shtetasi Zef Qafaloku nuk ka qënë në banesë ka marrë dhe shitur një pjesë të pasurisë së këtij të fundit.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)