Ardian Visha, përfaqësuesi ligjor i avokatit Ulian Barjami, i cili u lirua pasditën e sotme, e ka konsideruar të paligjshëm arrestimin e klientit të tij.
Gjatë një prononcimi për ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori, Visha tha se arrestimi i avokatit Barjami, është veprim i paligjshëm i oficerit të policisë gjyqësore, i cili sipas tij duhet vetëm ta shoqëronte avokatin.
“Po i përkrah të gjithë qëndrimet e juristëve, qofshin në cilësinë e avokatit apo profesionistë të së drejtës që janë shprehur për rastin dhe ishte një solidaritet i logjikshëm, i drejtë dhe natyrisht dhe dobiprurës në aspektin për reagimin e prokurorisë për lirimin të paktën të menjëhershëm të avokatit Bajramaj. Them të paktën se për mua duhet të ishte shoqëruar me konsiderim, si autoritet superior i paligjshmërisë absolute të oficerit të policisë gjyqësore që urdhëroi ndalim me iniciativë të këtij shtetasi. Këtë nuk e ka bërë, të paktën me komunikimin me të cilin bëri media me Prokurorinë e Elbasanit. Nuk gjeta këtë qëndrim, për mua në paligjshmëri totale të aktit të OPGJ-së. Akt që për mua i përket karakterit disiplinor dhe penal”, tha ai.
Më tej, Visha ka deklaruar se do ta ndjekin rastin, teksa tha se nëse nuk do të ketë iniciativë nga prokuroria, do të ketë kallëzim penal nga ana e tyre.
“Në aspektin më të rëndë, të heqjes së lirisë së avokatit, ky absurd është rregulluar. Në aspektin e vlerësimit të aksionit penal të jashtëligjshëm, nëse ka vend për këtë, padyshim që do të ndiqen edhe hapa të tjerë, qoftë me iniciativë nga prokuroria dhe kallëzim nga ana jonë.”, tha ai.
Sa i përket avokatit Barjami, Visha tha se është lart nga pikëpamja morale, pasi është i ndërgjegjshëm që nuk kishte bërë asgjë.
“Askush nuk ka dëshirë të qëndrojë pas hekurave, aq më pak një avokat. 48 orë të qëndruara padrejtësisht, kanë pasoja psiqike, në karakter apo në sjelljen e individët, te paktën nga pikëpamja morale ishte lart, sepse ishte i ndërgjegjshëm që nuk kishte bërë asgjë”, tha ai.
Ndërsa po ashtu avokati Visha bëri thirrje për ndëshkimin e këtij rasti.
“Recidivizmi është gjithmonë i ndëshkueshëm. Për të ndëshkuar atë, është aksioni i Dhomës së Avokatisë, të cilët duhet t’i falënderoj për reagimin dhe gjithë avokatët në daljet e tyre publike kanë bërë për këtë absurd të sjelljes së autoriteteve gjyqësore. Precedenti i krijuar duhet të ndëshkohet, që të mos përsëritet”, tha ai.
Komente










