Meta kërkon që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të nis verifikimin në lidhje me rastin në fjalë. Vëllai i Admir Tafilit, Genc Tafili është dënuar nga Gjykata e Krujës për vrasjen e komisarit Arben Zylyftari. Vendimi për lirimin e tij është dhënë ditën e djeshme nga gjyqtarja e Gjykatës së Vlorës Enkeleda Hoxha.
"Presidenti i Republikës garanton se pretendimet e institucionit të Prokurorisë do të verifikohen nga Inspektoriati dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në përputhje me kushtet dhe kriteret e ligjit"- thuhet në reagimin e Presidentit Meta. Në cilësinë e kreut të KLD, Presidenti Meta ka kërkuar të nis menjëherë verifikimi në përputhje të plotë me ligjin për procedurat e ndjekura nga Gjykata e Krujës në lidhje me vendimin e dhënë për lirimin me kusht për Genc Tafilin, i cili ishte dënuar për vrasjen e komisarit Arben Zylylftari.
Reagimi i plotë i Presidentit Meta në lidhje me rastin e lirimit:
Presidenti i Republikës, me cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi u njoh me lajmin dhe reagimin publik të institucionit të Prokurorisë, për veprimtarinë e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, në lidhje me lirimin e shtetasit Genc Tafili, ka urdhëruar menjëherë Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që në përputhje me kërkesat e ligjit, të fillojë urgjentisht verifikimin e rastit në fjalë dhe veprimtarinë proceduriale të kësaj gjykate.
Presidenti i Republikës garanton se pretendimet e institucionit të Prokurorisë do të verifikohen nga Inspektoriati dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në përputhje me kushtet dhe kriteret e ligjit.
Presidenti i Republikës mbështet të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe Prokurorinë në veprimtarinë e tyre, në luftën kundër krimit dhe sundimit të ligjit.
Redaksia Online
N.M/Shqiptarja.com












