13 protestuesit e ndaluar dy ditë më parë në protestën e Liqenit mes tyre dhe ish deputeti Ndriçim Babasi do të hetohen në gjendje të lirë. Ata u liruan këtë të mërkurë nga gjykata me pëlqimin e prokurorisë, e cila ende nuk ka dhënë asnjë koment nëse ka nisur apo jo hetimet për armëmbajtie ndaj deputetit Gent Strazimiri dhe pse ai është denoncuar zyrtarisht nga policia.
 
Vendimet e marra nga gjyqtari Sokol Pasho i sapo rikthyer në këtë funksion pas një shkëputje disa vjeçare janë përshëndetur dhe nga avokati i të akuzuarve Fabjan Topollaj.
 
Mes të ndaluarve të cilët u lanë të lirë këtë të mërkurë është dhe ish deputeti demokrat, Ndriçim Babasi, ndaj të cilit rëndojnë për të disatën herë akuzat e kundërshtimit të punonjësve të policisë.

lirohen
(Disa nga të arrestuarit gjatë seancës së sotme gjyqësore, ku u liruan)

ndricim babasi
(Ndriçim Babasi, gjatë seancës së sotme gjyqësore)

 
Por si u ndaluan 13 protestuesit?

Sipas Policisë së Tiranës ata u ndaluan dy ditë më parë pasi kundërshtuan uniformat blu, protestuan pa leje, prishën pronën publike dhe po ashtu prishën rendin dhe qetësinë.

Ndërkohë që masa e sigurisë detyrim paraqitje u vendos dhe me pëlqimin e Prokurorisë kjo e fundit ende nuk ka dhënë asnjë koment apo përgjigje nëse ka nisur hetimet ndaj deputeti demokrat Gent Strazimiri i denoncuar publikisht me armë në brez gjatë protestës.

Strazimiri u fotografua në protestën tek Liqeni me armë në brez, ndërsa sipas Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, kjo armë pa leje është dorëzuar tashmë në polici nga vetë deputeti.

Protestuesit e liruar
Driçim Babasi
Grigels Muçollari
Indrit Hoxha
Erjon Dizdari
Franci Doka
Gerald Metko
Silvio Sheme
Jurgen Kupi
Soven Sheme
Arlind Kajo
Klejdi Kalaja
Behar Hasa
Tonin Kolthi

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)