HIMARË- Operacioni i koduar ‘Plazhi i lirë’ vijon me qëllim lirimin e hapësirave publike në bregdetin e vendit tonë. Kësaj radhe është liruar hapësira publike në plazhin e Borshit dhe në vendin e quajtur “Maraç”, Himarë.  

Policia ka sekuestruar në total 38 çadra dhe 66 shezlongë, që ishin vendosur në mënyrë të paligjshme, ndërsa janë vënë në hetim 3 personat që kishin zaptuar hapësirat publike.

Konkretisht janë vënë në hetim:

-A. M., banues në Himarë dhe E. T., banues në Tiranë, pasi duke vendosur në mënyrë të paligjshme 20 çadra dhe 30 shezlongë, në vendin e quajtur “Maraç”, Himarë;

-A. Z., 52 vjeç banues në Borsh, Himarë, pasi kishte vendosur në mënyrë të paligjshme 18 çadra dhe 36 shezlongë, në plazhin e Borshit.

Materialet proçedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pushtimi i tokës”, “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar i paregjistruar”.