Gjykata e Tiranës ka liruar me kusht Lavdërim Tufën, i dënuar për vrasjen e Fatmir Ramës apo i njohur ndryshe si ‘Miri i Xhikes’. I arrestuar në vitin 2004 ai u dënua me 20 vite burg për vrasjen te Kartodromi. Kjo çështje u gjykua nga gjyqtarja Enkeledi Hajro, e cila dha dhe vendimin. 

Në fund të muajit mars, Hajro vendosi të pranojë kërkesën e Tufës, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm. “Gjykata vendosi pranimin e kërkesës, lirimin me kusht të të dënuarit Lavdërim Tufa, 39 vjeç, dënuar me vendimin nr. 540, datë 13 shkurt 2013, të Gjykatës së Apelit Tiranë. Urdhëroj pezullimin e pjesës së mbetur pa vuajtur të dënimit prej 1 vit, 8 muaj e 10 ditë burgim, për një kohë provë prej 4 vjetësh, me kusht që gjatë kësaj kohe i dënuari të mos kryejë vepër tjetër penale”, thuhet në vendimin e gjykatës. Vendimi i Gjykatës për lirimin e Lavdërim Tufës

Sipas saj, i dënuari Lavdërim Tufa detyrohet që gjatë kohës së provës të ushtrojë veprimtarinë profesionale, si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës. “Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të dënuarit Lavdërim Tufa nga IEVP Fier, në qoftë se nuk mbahet i ndaluar, i arrestuar apo i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale”, thuhet në vendim, ndërsa gjykata i ngarkoi të kërkuarit edhe shpenzimet e gjyqit.

Sipas vendimit të gjykatës, Tufa akuzohej për vrasje në rrethana të tjera cilësuese në dëm të shtetasve Fatmir Rama, Julian Durishti, Kristaq Cani dhe ka plagosur shtetasin Fatmir Rrapaj. Gjykata e Krimeve të Rënda në vitin 2006 e deklaroi fajtor dhe e ka dënuar me burgim të përjetshëm. Apeli i Krimeve të Rënda në vitin 2007 vendosi ta lërë në fuqi këtë vendim.

Gjykata e Lartë, në shkurt të vitit 2009, prishi vendimin dhe e delegoi çështjen sërish në Apelin e Krimeve të Rënda. Apeli i Krimeve të Rënda në muajin maj 2009 vendosi të prishë vendimin e burgut të përjetshëm dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën e Rrethit Tiranë. Prokuroria i bëri rekurs këtij vendimi, por Gjykata e Lartë në shtator 2009 vendosi të mos e pranojë kërkesën. Më pas, çështja kaloi në Gjykatën e Tiranës, e cila kreu një hetim të ri gjyqësor. 


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)